Për herë të parë në një dekadë, opozita ka mundësinë të trokasë në ato koridore ku dikur depërtonte vetëm versioni i Edi Ramës. Kjo dhe jo origjina e fondeve, është risia e asaj që ka ndodhur
Publikimi i një kontrate marramendëse me një kompani lobimi shumë pranë presidentit Trump, në favor të Partisë Demokratike, ka nxjerrë nga shishja të gjithë djajtë e pushtetit në Tiranë. Disa ngrejnë zërin për shkelje të ligjit të financimit të partive, një palë tjetër po bërtet për çjerrjen e maskës së milionerit Berisha, ka prej tyre që hedhin dyshime nëse janë vërtet emigrantët në SHBA donatorë të kësaj marrëveshje dhe ka nga ata që shkojnë përtej, duke folur për prishje të ekuilibrit në zgjedhje.
Fatkeqësisht në këtë lojë të dirigjuar nga pallati i kryeministrisë, ka hyrë në mënyrë të vrazhtë, të shëmtuar, pse jo servile edhe SPAK. Pa pasur kohë të njihet zyrtarisht me dokumentacionin, Prokuroria Sepeciale që nuk ka dalë ende me një konkuzion për paratë shqiptare me të cilat u pagua McGonigal, ka nxituar ti bëjë jehonë kësaj zhurme mediatike duke shpallur se ka nisur verifikimet për kontratën e lobimit.
Kuptohet lehtë se e gjithë kjo rokopujë është e nxitur nga frika se mos i jepet fund fabulës së mbajtur gjallë me miliarda, asaj që e ka vizatuar Sali Berishën si një armik të Amerikës.
Por, për një çast, le të imagjinojmë të kundërtën. Le ti marrim si shqetësime rale ato që thuhen për paratë e zeza që furnizojnë opozitën, për shkeljen e ligjit të financimit të partive dhe atë të lobimit të paligjshëm në SHBA. Pra le të mendojmë një moment se versioni që jep PD-ja, se burimi i 6 milion USD-ve janë patriotët “shqiptaro-amerikanë” është i gënjeshtërt. Po pastaj?
Edhe vetë personalisht dyshoj se kjo mund të jetë një alibi dhe se për të arritur tek një marëveshje që i shpie direkt e në paradhomën e zyrës ovale, Sali Berisha dhe të tijët e kanë tendosur ligjin si llastik.
Por ama, thënë këtë, jam i bindur se edhe në qoftë kështu edhe nëse i ka rënë nga “rruga e shkurtër”, opozita ka qenë e dënuar të sillej në këtë mënyrë. Pasi ajo garon në të njëjtën fushë loje ku rivali i saj kryesor përdor të njëjtat armë dhe të njëjtat metoda.
A mund ti kërkohej një force politike të sillej ndryshe, kur tashmë jemi të bindur se për shpalljen “non grata” të liderit të saj janë shpenzuar shumë emergji dhe para nga Tirana? A mundet ti kërkohet të sillet si virgjëreshë, kur tërë bota e ka marrë vesh se si u rekrutua agjenti më i lartë i FBI-së, për të mbajtur në këmbë fabulën e një partie anti prerndimore, që ushqehej me para ruse? Ç’metoda të tjera mund të përdoren për të shmangur precedentë si ato kur sekretari i shtetit nxiton ta konsiderojë një masakër elektorale, si një fitore historike? Si mund të parandalohen deklarata alla Blinken se Rama është një “kryeministër shumë i mirë” dhe “udhëheqës i shquar”? Si mund të mos përsëriten qëndrimet putaneske të Yuri Kim, që dilte e bënte fushatë kundër një force politike dhe i kërcënonte militantët e saj se do të hanin bar?
Nëse në Uashingoton janë përdorur metoda përtej ligjit dhe shumë para për të lënë Ramën të vetmin faktor në fushë, qëllimi i opozitës vendase nuk mund të jetë rrgullimi i Amerikës, por rikthimi i ekuilibrave në terrenin e saj të lojës. Ajo duhet të bëjë gjithçka, që as mos lejojë më persekutime të kundërshtarëve të regjimit e as njohje të zgjedhjeve farsë.
Pra në këtë këndvështrim, ka një çështje më të rëndësishme se ajo që trumbetojnë borizanët e pushtetit, të cilët shqetësohen për burimin e parave të lobimit. Problemi përpara se të shihet tek origjina e pastër apo e errët e tyre, qëndron tek efekti që do të kishin për të ndaluar projektin e një diktature shqiptare me bekim amerikan.
Pikërisht ky është efekti tronditës që ka ngjallur zbulimi i kontratës me “Continental Strategy”, e cila falë lidhjeve që ka me pushtetin e ri në Uashington mund ti shpjerë shqetësimet për autokracinë tonë direkt e në zyrën e sekretarit të shtetit, Marco Rubio apo atë të shefes së kabinetit të Trump, Susi Wiles. Teorikisht, pas kësaj, për herë të parë në një dekadë, opozita ka mundësinë të trokasë në ato koridore ku dikur depërtonte vetëm versioni i Edi Ramës.
Kjo dhe jo origjina e fondeve, është risia e asaj që ka ndodhur. Për të vërtetuar këtë mjafton vetëm një fakt: se zhurma po bëhet nga propogandistët dhe spakistët e rilindjes, të cilët nuk janë shqetësuar kurrë më parë se cili qe burimi i dollarëve që paguan McGonigalin. Të gjithë ata që kanë miratuar të njëjtat metoda për zhdukjen e Berishës dhe asgjesimin e opozitës, tani i bëjnë këtyre moral duke i këkruar të kthejnë faqen tjetër.
Ata janë në ankth vetëm për një gjë, se mos falë kësaj lidheje të re i jepet fund gogolizimit të një opozite anti-amerikane që u lejoi atyte të vidhiin votat dhe pasuritë e këtij vendi.
Kjo trajektore duhej ndërprerë qoftë edhe me rrugë ekstra ligjore. Prandaj ka rëndësi marrëveshja me firmën e Carlos Trujillos, Susie Wiles dhe Alberto Martinez. Nëse falë asaj që ata do të përfitojnë, Uashingtoni nuk do të jetë më i gatshëm të njohë zgjedhje farsë apo të vijojë me teorinë e persekutimit të kundërshtarëve të regjimit në këtë vend, kjo do të ishte një e mirë për të gjithë shqiptarët, qoftë edhe po qe se arrihet me para që su’a dimë origjinën.