Pesë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës ditën e sotme. Sipas informacioneve, këta persona morën me forcë dhe mbajtën peng një 68-vjeçar në një zonë periferike të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të policië, autorët e identifikuar si Sulejman Sina, Klinton Sina, Idajet Mashollari, Bajram Ibraliu dhe Nikoleta Begolli kërcënuan bashkëshorten e të moshuarit, për t’i marrë 2 milionë lekë.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera në kuadër të operacionit “Imediat”, u arrestuan 5 shtetasit e dyshuar të implikuar në këtë rast, konkretisht: shtetasit S. S., 31 vjeç, K. S., 21 vjeç (vëllezër), I. M., 21 vjeç, B. I., 57 vjeç dhe N. B., 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Nga hetimet, pamjet filmike dhe provat e siguruara ka rezultuar se shtetasit S. S., K. S. dhe I. M., në rrugën “George W. Bush”, kanë marrë me forcë në një automjet dhe kanë mbajtur peng, në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, shtetasin E. A., 68 vjeç. Dhe më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë shantazhuar për jetën e 68-vjeçarit, duke i kërkuar shumën prej 2 000 000 lekësh. Kjo shumë i është dorëzuar shtetasit B. I., në zonën e Saukut.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, janë kryer kontrolle në banesat e këtyre shtetasve si dhe në një automjet me të cilin lëviznin shtetasi S. S. dhe shtetasja N. B., ku u gjetën dhe sekuestruan 1 746 000 lekë të dyshuara të marra nëpërmjet kanosjes, nga bashkëshortja e shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.