Nga Marçel Hila
Hë mor? Po tiii? – m’u drejtua sot një i njohur i shumë kohëve më parë, kur më pa në rrugë të madhe. Shkodran, qytetar i vjetër.
– Mirë, pse po më pyet kështu?
– Je ba me Lul Bashën! Po si kështu ti?
– Se çka ka, nuk di me të thanë, por nuk e don askush!
– Pse?
– Nuk e di, por me këdo që të flasësh, një fjalë të mirë nuk e ndigjon për të!
– Po më thuej se çka ka ba e më ndihmon edhe mu të skjarohem.
– Se çka ka ba nuk di, por e di se nuk e don askush!
– Mirë, mirë, po më thuej se diçka duhet të ketë ba që askush nuk e don.
– Lëni tashti këto fjalë, po pse ti je ba me të? A e din se doktori ka shumë nevojë për vota këtë radhë e ju po ia hjekni e mund të mos fitojnë për fajin tuej!
– Për fajin tonë?
– Po, për fajin tuej, se ju jeni nda në disa parti e do t’i hiqni aq vota sa të mos e leni të fitojë!
– Po çka po thue, doktori ka përgatitë një fitore madhështore, prej atyne që mbërrijë një herë në një shekull! Ti duhet ta besosh vetë këtë, jo me përhapë frikë e pesimizëm! Po të shoh se nuk paske as besim e as kurajë!
– Shikjo, më ndigjo këtu, nuk duhet ta kishe pranu ftesën!
– Pse more burrë?
– Shikjo këtu, ti je prapë në kohë që të tërhiqesh e t’i bajsh thirrje atyne që të kanë premtu votën që t’a japin doktorit. Ban nji shërbim shumë të madh kështu!
– Domethanë t’ia japin votën të birit të Fahri Balliut?
– Jo, ai nuk ka nevojë se asht në listë të mbyllun, por dikujt tjetër.
– Pra, të tërhiqem unë që të votohet një dikush, vetëm se asht me doktorin e doktori ka shumë nevojë këtë radhë?
– Po, kështu asht!
– Po ne kur na vjen radha?
– Edhe këtë radhë pritni, se radhën tjetër patjetër do t’ju thërrasë vetë doktori, si thirri Jozin dhe e futi në listë të mbyllun.
– Ma garanton ti se mbas katër vjetëve do të na vërë në listë të mbyllun, të sigurt?
– Kjo asht punë ideali, detyrë, mos u tall!
– Nuk po tallem. E kam shumë seriozisht, domethanë simbas teje, të tërhiqem e të ftoj votuesit e mi që të votojnë një anonim të partisë së doktorit, se i duhen atij votat e këtë tërheqje ma shpërblen mbas katër vjetësh?
– Leni tashti ironitë, merre si po ta tham, se … a e din se sa shumë do t’i bahet qejfi shkodranëve nëse ti ikë prej Lulit e vjen te doktori?
– Nuk janë biseda këto! Të tërhiqem e të baj thirrje që të votojnë një dikë që nuk ia kam ndigju emnin kurrë, vetëm se asht besnik i doktorit?
– Do të ishte gjaja ma e mirë!
– Po doktori, nëse do të ishte kështu situata me ne, a do të bante thirrje të vetëve që të votoheshin kandidatët e Lul Bashës?
– Tashti, mirë, mirë, ik, lene krejt këtë muhabet, vetëm tallje e ironi ke. Se ku ma çove diskutimin, unë thashë shyqyr që të pashë me t’i thanë këto fjalë, e ti ma drodhe.
– Nuk ta kam dredhë, por kam marrë një vendim, sepse ekipi i Koalicionit Euroatlantik asht shumë i mirë, shumë cilësor. Luli rrin, Luli shkon, por bërthama e asaj partie asht shpresëdhanëse. Nesër e djathta duhet të fuqizohet, të konsolidohet. Te Ilir Meta e Beleri ke shpresë ti? Atyne me ia dhanë në dorë të djathtën?
– Uffufa, pse ban se nuk kupton, doktorit i duhen vota, tërhiquni, këtë radhë i duhen se mbas katër vjetësh nuk do të ketë nevojë …
– Pra mbas katër vjetër nuk do të na pyesë ma?
– Me ty nuk flitet, lene krejt, unë mendova, sa mirë që të hasa, por
– Ditën e mirë – i thashë mikut tim të vjetër shkodran, që kisha aq shumë kohë pa e parë e që e takova rastësisht. Kishte marrë vesh se kandidoja. Shfrytëzoi rastin të më ftonte të tërhiqesha. Krejt tuj turfullu u largua, ftohtë më përshëndeti.