Nga Ben Blushi
Dje isha në Kamëz për të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve të Panairit të Librit që zhvillohet për herë të katërt në këtë qytet të ri të krijuar përpara 30 vjet vitesh.
DIsa vite më parë, kur Kamza ishte simboli perfekt i rrëmujës urbane, i kaosit njerëzor, i depozitës elektorale dhe i xhunglës ndërtimore, as mund të mendohej se aty një ditë do jepeshin çmime për shkrimtarët, por kjo ka ndodhur me një shpëjtësi dhe me një shkëlqim që nuk e pret.
Ndryshe nga qytetet e vjetra të Shqipërisë, Kamza ka themeluar një çmim për letërsinë që nuk e gjen as në Tiranë, as në Korçë as në Shkodër dhe as në Vlorë.
Për fat të keq këto qytete të vjetra i harxhojnë paratë për koncerte të shëmtuara, për birra, për qofte dhe për kallamar duke i zëvendësuar libraritë me mejhane dhe lexuesit me turistë të dehur.
Në Tiranë, një qytet me 900 mijë banorë sot nuk ka më shumë se 5 librari, ndërsa në Korçë, në Shkodër dhe në Vlorë, librat shiten nëpër kioska të fshehur poshtë rafteve me cemcakiz, me cigare me dhe coca cola pa sheqer.
Në indexin europian të librarive për frymë popullsie, Shqipëria është në vendin e fundit me shumë meritë, sepse i ka zhdukur të gjitha libraritë që trashëgoi nga komunizmi duke i privatizuar pa kushte dhe duke i kthyer në dyqane mishi serb dhe manikyrësh kinezë.
Sot Bjellorusia, një vend për të cilin ne mendojmë se është një diktaturë që mbahet me tanke ruse ka 52 librari për 100 mijë banorë, Cekia një vend ish komunist ka 50 librari për poaq banorë, Ukraina që është e pushtuar ka 44 librari për 100 mijë banorë, ndërsa vetëm Varshava ka 11 librari për cdo 100 mijë banorë.
Me këtë standart do duhej që Tirana të kishte të paktën 100 librari në gjithë territorin e vet.
Prandaj kur vjen nga Tirana dhe shkon në Kamëz habitesh që aty gjen dicka që ky qytet i madh nuk ia jep më lexuesve të vet, një panair, shumë lexues, debat për librin, stenda, shkolla të angazhuara, mësues letërsie të qeshur, vajza që kërkojnë autografe dhe mbi të gjitha një respekt për shkrimtarët të cilët nderohen me çmime.
I frymëzuar nga kjo atmosferë e bukur, i propozova Kryetarit të këtij qyteti Rakip Sulit, njeriut që ka bërë të mundur këtë aktivitetet dhe e ka gjallëruar në mënyrë kaq befasuese Kamzën, ti zerojë taksat për libraritë dhe mundësisht të krijojë në këtë qytet të ri një rrugë shkrimtarësh.
Rruga e Shkrimtarëve,e mbushur me librari, me kafene ku lexohet,me pika ku mund të dëgjosh audiobooks, me salla të vogla prezantimi, ku jepen edhe filma të shkurtër për jetën e shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, do ishte një mrekulli që do ta shndërronte këtë qytet të ri në një atraksion të përhershëm turistik dhe kulturor.
Atëherë njerëzit do vinin nga Tirana e varfër për të blerë libra në Kamëz, libraritë pa taska do shtoheshin me shpejtësi, tregu i librit do gjallërohej, shtëpitë botuese mund të hapnin seiltë në këtë qytet, ndërsa shkrimtarët do rrinin në rrugën e tyre dhe lexuesit do jetonin me kujtime të bukura të cilat nuk do ti harronin kurrë.
Bashkë me Kamzën, letërsia shqipe do ishte më e pasur dhe njerëzit do kuptonin dicka që është harruar padrejtësisht, se Shqipëeria është krijuar nga shkrimtarët dhe është dëmtuar nga politikanët.
Përpara se të shpallej e pavarur nga Ismail Qemali, Shqipëria u krijua nga pluhuri osman, në vargjet e Naim Frashërit, në esetë e Sami Frashërit, në alfabetin Ndre Mjedës, ne poemat e Gjergj FIshtës dhe në gazetën e Faik Konicës.
Shkrimtarët nuk i kanë bërë keq Shqipërisë edhe kur kanë shkruar keq, ndërsa politikanët i kanë bërë shumë keq edhe kur kanë menduar shumë mirë.
Shkrimtarët janë etërit themelues të vendit që kemi sot, të cilin pa ata ndoshta nuk do ta kishim dhe prandaj ata meritojnë një rrugë shkrimtarësh ku të nderohen, një rrugë e cila nuk ekziston askund në botë.
Por mund të ekzistonte në Kamëz, meqë Tirana, Shkodra dhe Korca i kanë përzënë shkrimtarët sikur të ishin dordolecë që trembin turistët.
Rruga e Shkrimtarëve nuk do kishte numër, nuk do kishte adresa,por vetëm emra librarish,vitrina me libra, fotografi dhe rafte, prandaj cdo njeri do e njihte, cdo postier do ia dinte adresën, cdo letër do vinte shumë shpejt, cdo i huaj do bënte një fotografi, cdo përkthyes do gjente punë, cdo shkrimtar do gjente frymëzim dhe cdo nxënës shkolle do e kishte vizituar të paktën një herë në jetë.
Kamza ka aq shumë rrugë të reja, ndoshta të paemëruara dhe shpresoj shumë që njëra prej tyre mund të pagëzohet në nder të shkrimtarëve, të cilët megjithëse kanë lindur në qytete të tjera mund të strehohen në Kamëz.




