Më 7 maj të vitit 2020 u nda nga jeta Maks Velo, piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar i njohur.
Viti 2025 që përkon me 90- vjetorin e lindjes së tij, është shpallur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit si “Viti Maks Velo”. Maks Velo është piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar i njohur. Ai ka vuajtur dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera. Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pas gjimnazit ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Kur ishte 5 vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz. Në Korçë, Maks Velo ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit-Arkitekturës. Dhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste. Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë.
PËRNDJEKJA DHE ARRESTIMI
Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë. U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi, 249, u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986. Maks Velo vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë.
Me ardhjen e viteve ’90, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut si dhe një koleksion të madh pikturash. Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera. Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020. Ai u përcoll në banesën e fundit në një ceremoni të pazakontë për shkak të rregullave për mosgrumbullimin që ka diktuar situata e epidemisë në vend.
DOSJA HETIMORE
Historia e jetës së Maks Velos, është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes. I denoncuar nga ishgruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial. Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka treguar se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar. Por thikat pas shpine ndaj Maks Velos do të ishin edhe më të thella se kaq. Vjehrra e tij, një austriake do të rezultonte bashkëpunëtore e Sigurimit të shtetit.
Dosja, ka një numër të madh dokumentesh sekrete dhe jo sekrete –aktakuza, ekspertiza, procesverbale të marrjeve në pyetje nga hetues dhe vendime të gjykatës. Maksi e dispononte pjesën më të madhe qysh nga koha e hetuesisë dhe i pati me vete gjatë gjithë kohës së burgut – kalvar, i cili nisi më 14 tetor të vitit 1978.
Materialet e arkivit të Sigurimit nuk i kishte e as nuk ishte në dijeni, derisa aplikoi pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për ta marrë të plotë dosjen e tij. Maksi do të mësonte gjëra që nuk i kishte ditur më parë për dramën e jetës së tij. Për të vjehrrën, austriakja Gertrudë Buheckes që ishte një nga ato gra të huaja, të cilat u martuan me burra shqiptarë dhe mbetën brenda kufijve gjatë regjimit komunist, Maks Velo ishte borgjez. Po ashtu do e cilësonin edhe dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe denoncues të Maks Velos.
DENONCIMI I VJEHRRËS
Në denoncimin e vjehrrës në Sigurimin e Shtetit do të shkruhej: “Sot në datën 4.7. 75 pata një bisedë në prezencë të punonjësit operativ Gëzim Bejko, me qytetaren Gertrudë Buheckës që banon në rrugën Bajram Curri 36/4. Ap.10. Kjo është e vjehrra e Maks Velos që ndiqet nga ana jonë nën p. Paraprak për Agjitacion propagandë. Gertrudë u ankua për dhëndrin e saj si dhe për të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, bile edhe e rrahin. Gertrudë është me kombësi austriake. Ajo duke qarë fliste me një urrejtje të thellë për Maksin dhe familjen etij. Për Maksin ajo thotë se është një njeri hipokrit, egoist, për familjen e tij, ajo është familje aristokrate. Më ka qëlluar, tha ajo, në ndonjë rast kur kam shkuar në shtëpinë e tyre dhe kam dëgjuar fjalë e të jëmës së Maksit, e cila më thoshte se Maksi im është rritur me çokollata, se ai ka lindur në Paris etj. Vajza ime, vazhdon më poshtë Gertrudë, qysh se është martuar me time bijë, Maksi nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, bile dhe tani që ka lindur djalë. Ai është një tip psikopati dhe shumë i ulët në karakter. Tani ka dy ose tre muaj që sjellë vajzën në shtëpi me gjithë djalin, dhe nuk interesohet fare për ta. Do që ta ndajë time bijë, por nuk do që ta padisë në gjyq. Me një fjalë Maksi është një tip borgjezi që unë nuk gjej fjalë ta u shpjegoj karakterin e tij. Tani ai më quan mua spiune se kam dorëzuar dy librat e tij, në degën e brendshme, që kanë përmbajtje jo të mira. Unë në të vërtetë kam shpënë dy libra në lidhjen e shkrimtarëve, që më janë dukur jo të mirë dhe jo në degën e brendshme.
Nuk di kush mund t’i ketë thënë Maksit për këto. Bile edhe ime bijë po më thotë që po që se do i ndodhe gjë Maksit, dije se kam për të zhdukur ty. Ime bijë bile më ka goditur mua, ajo është bërë si e lojtur mendsh. Në këtë gjendje atë e solli Maks Velo. Vajza ka rënë në një pesimizëm kaq të madh sa më ha meraku se mos ajo për shkak të Maksit mos kalon në vetëvrasje. Dua që ta bind që ajo të shtrohet në spital, por ajo nuk më bindet mua. I them që ta ndjekë Maksin, por ajo përsëri nuk pranon”. Në kallëzimet e tyre nuk do të linin pa përmendur edhe luksin aristokratik të shtëpisë së tij në rrugën “Hoxha Tahsim”, me qilima, sixhade, shpata të varura në mure e servise të çmuara argjendi. Mes rreshtave duket se lexohet se po të qe e mundur do të quhej faj edhe përkatësia e familjes së tij prej nëpunësish të lartë. I ati, Sotiri, ishte shkolluar në Francë ndërsa në vitin 1937 u kthye në Tiranë dhe ushtroi profesionin e mjekut okulist, po ashtu edhe i vëllai ishte mjek kirurg, i emëruar në Vlorë. “Kjo familje ka qenë e privilegjuar në regjimet e shkuara gjatë okupacionit kanë mbajtur qëndrim indiferent, nuk janë aktivizuar në jetën politike”, shkruhet në një prej dokumenteve në dosje. Dosja e Maks Velos është dosja e një artisti, dënimet ndaj të cilëve ishin të rralla në të gjithë kampin socialist, por mbase më të dendurat në vendin më të izoluar dhe fortesën e fundit të komunizmit në të gjithë Lindjen.