Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve në media mbi lejimin e udhëtimit të kreut të saj, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një deklaratë publike, PD e ka cilësuar qëndrimin e fundit të Departamentit të Shtetit si një “rikthim në legalitet”, duke e konsideruar si një hap të vonuar, por të drejtë.
“Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës”, thuhet në reagim.
PD shprehet se kjo është një fitore që i atribuohet administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar edhe fjalimin e fundit të zv. Presidentit J.D. Vance në Mynih si një konfirmim të kësaj qasjeje. Sipas saj, kjo nuk është thjesht çështje e të drejtës së udhëtimit të një individi, por simbolikë e lirisë politike në Shqipëri.
“Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti”, thekson deklarata.
Në përfundim, PD risjell në vëmendje mesazhin e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit James Baker, të thënë në Tiranë më 1991: “Liria funksionon” — një frazë që, sipas demokratëve, mbetet aktuale edhe sot.
Reagimi:
Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës.
E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih.
Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falenderon Deparatamentin e Shtetit për qëndrimin e drejte dhe parimor!
Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.
Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump.
Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”.
Ajo funksionoi edhe sot.