HomeTe tjera“Edhe pas goditjeve që më bënte hetuesi në kokë e trup, duke...

“Edhe pas goditjeve që më bënte hetuesi në kokë e trup, duke më larë në gjak, po mbahesha në këmbë”- Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit: Kur ai kapi një dru të ndezur…

spot_img

Nga Ahmet Bushati/ Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Në Gjurmët e një ditari

                                      Shkodra në vitet e para nën komunizëm

Por brenda dramës time qe realizue pa dashje nji copë komedie që meriton me u tregue: Duhet të kishin kalue tri-katër orë natë kur polici, si mbas urdhnit që kishte marrë prej shefit, më dorëzoi në zyrë të tij. Si edhe herë të tjera, aty bashkë me shefin edhe Kasem Troshani. Më thanë se do të më ballafaqojshin me disa njerëz, me të cilët nuk kisha pasë marrëdhënieje shoqnore. Prej dyshimit se mos unë t’u flitsha atyne, kishin mendue që të më futshin poshtë tryezës së shefit, e cila ishte e mbyllun nga të gjitha anët, me përjashtim të nji boshlleku me hymje nga ana e mbrapme, brenda të cilit, kur shefi i ulun në karrige, të kishte mundësi me zgjatë kambët e tij.

Para se të më futshin aty, si në nji kuti, me porositën me shumë seriozitet: “Do të qëndrojsh aty brenda pa lëvizë e pa u ndie aspak. Po luejte pak, pak-pak, ose po fole vetëm nji fjalë, ose edhe po u kolle ndonjë fije, i mjeri ti, mandej e din vetë”!

Ashtu me duer të lidhuna siç isha, u shtrina nën tryezë me krye para e kambë që dilshin përjashta nga ana e padukshme e saj, dhe përnjëherë ndigjova se në oborr të “Degës” u fut nji makinë e cila duhet të ishte ajo që të kishte sjellë prej nji burgut tjetër ata të cilët, njenin mbas tjetrit, do të m’i futshin që unë t’i ndigjojsha. Fjalët njasin, sepse unë i vdekun për gjumë që kisha qenë qysh prej disa ditësh dhe i ngrimë prej të ftohtit të po aq ditëve, sapo rashë në kontakt me ngrohtësinë e mrekullueshme të asaj dyshemeje prej dërrase, në çast m’u mbyllën sytë dhe nji gjumë i thellë më përpiu menjiherë. Kur më zgjuen, në kohë që unë po bajsha gjumin ma të thellë të jetës time, nuk dijsha sa kohë kishte kalue deri athëre e nuk dijsha gjithashtu, sa e cilët kishin qenë ata që aty kishin hy e dalë tue folë për mue, në kohë që unë kisha vazhdue me fjet. Shefit e Kasemit as që u kishte shkue ndër mend që unë gjatë gjithë asaj kohe të kisha qenë fjet.

Mbasi më patën prekë me dorë e me kambë, unë dola si prej nji gaviçi tue u tërhekë zvarrë përmbrapa, e s’di pse i gjithë ambienti aty, mure, dritë, njerëz e çdo gja, të m’u dukshin si të mbështjellë prej nji mjegulle të turbullt në ngjyrë rozë. Shefi Lilo, tashma edhe ma energjik e si gjithmonë me gjeste të forta teatrale, do të më urdhëronte me ton që t’u ulsha në nji stol përballë tryezës së tij e, vetë do të qëndronte në kambë fare pranë meje. I sigurt që unë i kisha ndigjue sa kishin deklarue për mue personat e sjellë aty prej nji burgu tjetër dhe i bindun që unë përfundimisht t’isha i xanë ngusht, ai tue vue buzën si në nji gaz të idhët, do të më pyeste me ironi: “Hë, po tash, ça ke me thanë? A i ndigjove”?! “Po”,- u përgjigja unë. Dhe Lilo vazhdoi: -“D.m.th., ti tashma i pranon ee”?

Shefi Lilo ende besonte, jo vetëm që unë t’i kisha ndigjue ata, po edhe që deklarimet e tyne të mjaftojshin që unë të fillojsha me deponue. Unë, tue mos dijtë se për ç’gja konkrete kishin folë ata, iu përgjigja me seriozitet: “Jo, nuk i pranoj, nuk janë të vërteta”! Shefi Lilo muer e dha me mue për disa minuta me radhë tue tundë para fytyrës time me forcë gishtin e tij tregues e, përfundimisht edhe këtë seancë ta mbyllte pa më pasë prekë me dorë. Nëse ka pasë në Shqipni nji shef Sigurimi, që në ndonjë rast, të kishte dhanë shfaqe për vartësit e tij, ai ka qenë Lilo Zeneli. Të nesërmen m’i futën përsëri plaçkat e fjetjes si dhe ushqimet e shtëpisë. Kështu e kishin ata hetuesit e Sigurimit: të çojshin deri në grykë të vorrit e, mbrapa të kthejshin prap në jetë, përderisa t’mos kishe nënshkrue proçes. Shpesh i burgosuni do të kishte fatin me qenë si nji top futbolli, në kambët e tyne. Kështu mue kishte fillue të më merrte në pyetje dy herë në ditë hetuesi nga Dibra e Madhe, emnin e të cilit unë s’do ta mësojsha kurrë.

Tue përjashtue ditët e para, ai më dukej se po u sillte mirë me mue. Disa herë ai do të më pyeste edhe për gjana që s’kishin fare të baj me shkaqet për të cilët unë u ndodhsha në zyrën e tij. Ndonjiherë, tue vërejte edhe fytyrën e tij disi të pa depërtueshme, dyshojsha në qëndrimin e tij të sjellshëm, por prap, edhe grackë t’ishte, unë s’kisha ç’të humbsha nëse bajsha sikur po i besojsha. Kishte ndodhë disa herë që gjatë kohës që u ndodhsha i marrun në pyetje prej tij, të hynte befasisht shefi Lilo, i cili si nji herë-përherë, do t’iu drejtonte hetuesit vetëm me nji “Hë”? të fortë, pyetje së cilës hetuesi i ngrijtun në kambë në shenj nderimi për shefin, apo si mbas marrëveshjes që kishin ba qyshë ma parë, do t’iu përgjigjte: – “Shoku shef, ky vazhdon të rezistojë. Tregohet i vendosun”! – dhe Lilo, që nga nji zyrë në tjetrën shëtiste pa gja në krye, si t’ishte në shtëpi të vet, do të lëshonte ndonji nga ato fjalët e tija standard e të ikte. Në mbyllje të ciklit të parë të torturave, më mundojnë ma shumë se çdo herë tjetër.

Mbas nja dhjetë ditësh që unë po e merrsha veten me “dyshek”, e “ushqime” që m’i patën futë përsëri, në mëngjesin e nji dite të mërkurë, papritmas Ismail Lulo, si mbas urdhnit që kishte marrë, më nxori me brutalitet plaçkat përjashta, në drekë nuk më shtiu ushqime e s’më dha as ujë me pi. Edhe duerët m’i shtërnguen ma fort se herët e tjera. Të gjitha këto më lejshin me kuptue se, ata ishin nisë të kryejshin punë me mue. Po në atë paradreke, më thirri në zyrë hetuesi, dhe porsa qeshë ulë në stolin tim të përhershëm, ndrysh nga herët e tjera, më qëndroi mjaft serioz. “T’i hoqën plaçkat e fjetjes”? – më pyeti shkurt, dhe ma me seriozitet se herët e tjera. – “Po” iu përgjigja unë, dhe ai vazhdoi: “Nuk do të marrësh ushqim dhe as ujë, e do të qëndrosh i lidhun ditë-natë, derisa të pranosh me ba proçes”, e tue i besue torturës së porsa fillueme, ai s’foli ma, por më ktheu drejt e në birucë.

Kështu, pa pasë futë gja në gojë, pa shtroje e me duar që përditë e ma tepër m’u ajtshin prej prangave, i kalova të pesë ditët e para, e në mbrëmjen e ditës së pestë, Ismail Lulo, përsëri si mbas urdhnit që kishte marrë, lagu me ujë të ftoftë çimenton e mue. E natyrisht, vazhdonte me kenë dimën. Të nesërmen në mëngjes, në seancën e parë të ditës së gjashtë, hetuesi mẽ tha: “Ti nuk e sheh veten si je ba. Tashti po të flas sinqerisht, se më vjen keq për ty, se je i ri. Ban mirë të heqësh dorë nga rezistenca”!

Dhe vazhdoi: “Unë po të tregoj se si mbas eksperiencës që kemi, nji njeri i dënuem kështu si ti, pa bukë, ujë e pa plaçka fjetjet në kohë dimni, e në gjendjen që je ti, ditën e gjashtë ose të shtatë, vdes me siguri”! Gjatë dhjetë ditëve që unë do të kalojsha nën atë torturë të fundit, vetëm dy herë do të kisha pi ujë fshehtas hetuesit: rasti i parë ka qenë nji ditë kur unë, mbasi pata kuptue se roja e shërbimit ishte zavendqsue prej nji polici të ri që s’dinte gja për masat e marruna ndaj meje, bana që kur Shurdha po kalonte nëpër korridor, unë t’i nxirsha poshtë derës tue i lëvizë majat e gishtave të duarve të lidhuna, gja që Shurdhës i ra në sy e më hapi sportelin menjiherë. Si gjithmonë me shenja, Shurdhës i kërkova ujë. Ai, me që e dinte dënimin tim, për nji çast u mendue tue shikue kah polici e, pa e zgjatë, më mbylli sportelin, e në dy minuta ktheu me safën njëlitërshe plot me ujë.

Kisha qenë tha prej disa ditësh për nji pikë ujë! Nuk më kishte ndodhë ndonjëherë gjatë jetës time që rrëshqitjen e ujit nëpër faring, ta ndjejsha tue kalue ashtu të ftoftë e të kandshëm si nëpër nji tub qelqi. Rasti i dytë ka qenë nji herë tjetër, po gjatë asaj periudhe, kur unë nji ditë mora guximin me i kërkue ujë nji polici me emnin Hajredin, që ishte ma seriozi ndër të gjithë ata policë që shërbejshin aty, por që unë megjithatë, besojsha se i vinte keq për mue. Ai pa hezitue, thirri Shurdhën, dhe me shenja i tha që të sillte nji safë me ujë, se gjoja u donte pastrue biruca, gja qe Shurdha e realizoi shpejt e me dëshirë, tue e pasë kuptue ma së miri finten e Hajredinit, që në atë rast, disi po kërkonte t’iu ruente edhe Shurdhës.

Siç do të mësojsha ma vonë, disa të burgosun në kushte të tilla e kishin pasë pi urinën. Në muzgun e mbramjes së të premtes, plot mbas dhjetë ditësh që isha nën këtë torturë të fillueme qysh në mëngjesin e të mërkurës së javës së kalueme, në birucën time u fut me çelësa ndër duer Qemali, polici i mirë. Ky Qemali, qysh se isha arrestue, e kishte ba zakon që çdo ditë të hapte sportelin e birucës time dhe pa folë, me sy të skuqun e si të përlotun, të më vërente gjatë dy-tre minutave dhe, sapo unë të bajsha me hapë gojën për me i folë, nga frika, ai do ta mbyllte sportelin menjiherë e t’u largonte. Isha i bindun se ai Qemali duhet t’ishte i lidhun me ndonji njeri timin jashtë.

Këtë mbramje të fundit, sa ai qe futë në birucë, kuq në fytyrë e me keqardhje të dukshme, më tha: – “Të duan lart” – dhe tue më ndihmue me u ngritë, muer duart e mija në të tijat dhe tue tundë kryet, po i vërente si ato ishin enjtur e frye si dy topa të mëdhaj ne ngjyrë mavi prej zinxhirëve të shtërnguem shumë ndër pulse, tue pasë pengue kështu qarkullimin e gjakut ndër ta. Mbasi ofshani thellë nji herë, Qemali u vue të m’i lironte zinxhirët ndoshta ma shumë nga sa kisha nevojë unë. Kur mbas nja nji ore i ligu Sirri Çarçani të shikonte duart e mia disi të lira prej zinxhirëve, do ta thirrte Qemalin në zyrë e ta kërcënonte ashtu si kërcënohet nji i burgosun e jo nji polic, si në shërbim të tyne që mendohej se ishte.

Kur dolëm prej birucës, Qemali, tue vërejt se kambët nuk po më mbajshin, më futi krahun dhe tue ecë ashtu me ngadalë nëpër muzg të mbramjes, mbërrijtëm mbas pak në zyrën e hetuesit nga Dibra, i cili nga ana e tij, mbasi më vërejti pa folë për pak çaste, shqiptoi me za të ultë: “Shko aty pranë sobës”. S’do ta harrojsha kurrë mbrapa ngrohtësinë që menjiherë pata ndie edhe fizikisht se si më qe futë menjiherë si afsh fort i kandshëm nëpër të gjithë trupin e ngrimë si dru q’prej disa ditësh. Mbas nja njizet-tridhjetë minutash, hetuesi, tue u shkëputë për herë të parë prej do letrave që kishte pasë mbi tryezë, m’u drejtue me të butë: “A u ngrohe”? “Po”, -iu përgjigja dhe ai vazhdoi si me keqardhje: – “Kam urdhër me të lagë prap sonte” – dhe në kohë që po thirrte policin me anë të nji zileje që kishte në dorë, dera u hap me vrull dhe brenda u fut si bishë Sirri Çarçani, surratin e të cilit s’e kisha pa q’prej ditëve të para mbas arrestimit tim.

Qe futë aty brenda me sy të xhindosun e si i luejtun mendsh, mund t’ishte edhe i pimë, dhe pa humbë as edhe nji çast, me fytyrën e tij të ngërdheshun si gjithmonë, iu drejtue hetuesit tim me ton të papërmbajtur: “Akoma ky, mo”? – dhe pa pritë të merrte përgjigje prej tij, hoqi shpejt e shpejt kapë e kapotë, shkopsiti xhaketën e tij ushtarake me pulla shumë dhe menjiherë u lëshue mbi mue me tërbimin e nji egërsinë. Ma s’parit nisi të më binte me sa fuqi që kishte me grushta fytyrës e, poshtë ku të mundte, me majat e forta të çizmeve të tij ushtarakë. Unë, ndonëse mezi po u mbajsha në kambë, vazhdojsha me qëndrue i mbështetun për mur e me durue pa u ndje të ramet e tij. Më binte pa pushim, e pa pushim edhe klithte si i çmendun. Sa ishte i egër nga shpirti edhe ma i fëlliqët ishte nga goja. Po të kishte mundësi që i ligu e vagabondi Sirri Çarçani, t’u përgjigjte për nji gja, mbi të gjitha ai u donte të jepte llogari, jo për torturat që kishte ushtrue mbi viktimat e tij, sa për fyemjet që ai u pat ba atyne.

Për nji farë kohe unë pata vazhdue t’u mbajsha në kambë, pamvarsisht goditjeve që më bante, por kur ai mbas do kohe mori drunë e po më binte me të ku të mundëte e me sa fuqi që kishte, e kur edhe fytyra m’u mbulue në gjak e djersë, sa edhe mos me shikue mirë, atëherë forcat më lëshuen e unë rashë nji copet për dysheme, aty ngjitë me sobën e skuqun prej zjarrit. Të shtrimë e të mbetun në vend si me kishte, ai do të vazhdonte të më binte herë me dru e herë me shqelma. Erdh nji vakt që edhe atij djersët po i kullojshin çurkë nëpër fytyrë e, nga lodhja mezi të merrte frymë, kështu që dikur filloi të bante edhe pauza.

Ndërkaq unë, i dermuem siç isha, nuk u ngopsha me frymë e s’kisha fuqi të nxirrsha as edhe nji fjalë prej gojet. Plasa, plasa për nji fjalë, për nji fjalë të vetme që do t’ia drejtojsha ma të ligut njeri, Sirri Çarçanit, nji fjalë pra, që mund t’ishte “i poshtër”, “kriminel” etj., e me që s’muejsha me artikulue qoftë edhe nji rrokje, ngaqë s’u mbushsha me frymë, isha i detyruem të vuejsha nji zemërim të madh në vetvete. E s’kisha fuqi as me u largue sadopak edhe nga ajo stufë e ndezun shumë që po me digjte si furrë, pranë së cilës unë pata ra pa mundë ma me lëvizë. Ai kishte vendosë që pa tjetër atë natë të kryente punë me mue. Ka mundësi që ai me atë rast, të kërkonte me u dhanë leksion vartësve të tij e vetë shefit, tue u provue se si mbarohet punë me nji “armik”, pra të realizonte në nji natë të vetme atë që të tjerët s’e kishin realizue me mue, gjatë nji mueji e gjysë kohe.

Së fundi, si të donte me i dhanë fund torturës, mbas disa orësh që e kishte pasë fillue, Sirri Çarçani kujtohet edhe për nji tjetër gja: të nxirrte drunj të ndezun nga stufa e me ta të më binte në fytyrë e krye, që m’i pat përcëllue krejt. Me që s’më therë e as më vriste, në mendjen e ndritun të kriminelit Sirri Çarçani, dikur ditët e vona, do të shkrepte edhe nji ide tjetër: të provonte me më futë ndër sy, drunë e ndezun. Kështu që ai, disa e disa herë, tue bërtitë si kafshë e tërbueme, do të kërkonte që unë t’ia mbajsha synin e hapun, kur ai t’ia afronte drunë e ndezun, por syni, nën efektin e nxehtësisë e të dritës së drusë së ndezun, u mbyllte po aq herë vetvetiu.

Do të kërkonte të më prekte në ndjenjën time të dinjitetit, kur si lugat, të vazhdonte t’u çirrte me të madhe: “Hape, hape syun frikacak, hape po të them”! – dhe unë, që kisha mbete pa gojë, por që isha i vendosun për çdo sakrificë, veç si t’i provojsha asaj bishe se nuk kisha frikë, as nga djegia e nji syni dhe nga asgja, ia nxirrsha aq sa mundsha fytyrën para, me njenin sy të çelun në drejtim të drusë, por që siç e thashë ma sipër, ai sy edhe pse i hapun fort, do të vazhdonte t’u mbyllte përsëri vetvetiu.

Vonë, aq vonë kur ndoshta nuk donte shumë mesnata e nji dite dimni, aty ma në fund gjithçka u zhgreh e për pak kohë, ra paqja, tue u krijue ajo gjendje e papërcaktueme që zakonisht ngjet mbas mbarimit të nji beteje. Kishin kalue disa orë të mira qysh nga muzgu i asaj nate. Unë kisha mbetë i mbërthyem në vend, aty pranë stufës, e s’mund të lëvizsha aspak, ndërkohë që edhe me frymë s’po arrijsha me u mbushë. Edhe vetë Sirri Çarçani, që deri atherë kishte ezaurue të gjithë energjitë e tij fizike, dukej mjaft i lodhun e nervoz, gja që ia tregonte frymëmarrja e çrregullt e djersët që i shkojshin rrëkaj për faqe. Kishte mbështetë kryet te supi i hetuesit nga Dibra, e pa hjekë shikimin asnjiherë prej meje, do t’i fliste atij me nji buzëqeshje të sforcueme: “Shife, shife qenin si na tund kokën”! dhe me të vërtetë, nga që s’kisha fuqi me folë, në shenj reagimi, i luejsha kryet me dhambë të shtërnguem.

Përfundimisht Sirri Çarçani, mbas nji pushimi të heshtun, me nji vendim të ri në krye, duel prej zyrës bashkë me gjithë hetuesin, tue më lanë nën mbikëqyrjen e Nurçes, policit që sa e sa herë më kishte pasë ngacmue me fjalë, por që në ato çaste po u tregonte gjoja i prekun prej gjendjes time. Gjatë kësaj kohe Nurçia, tue m’u drejtue si me dhimbje, disa herë do të më thonte: “Po ç’paske bërë, mor i ziu ti”?! dhe unë që nuk besojsha në sinqeritetin e tij e tue mos i falë as ngacmimet e shumta që më kishte pasë ba, nga inati, nji herë i thashë: “U bane ti me marrë vesh punët e mia”?!

Edhe pse njerëzia q’prej ma shumë se tri vjetësh po vuente me shpirt ndër dhambë terrorin e egër komunist, prapseprap, pakkujt në Shkodër mund t’i shkonte ndër mend se ç’ndodhte në të vërtetë në ato orë të vona të natës nëpër zyrat e vdekjes të Sigurimit. Nuk mund ta përtytyrojshin siç u donte shtëpitë tona të pikllueme, shokët tonë gjithashtu, që u dridhshin prej frikës së arrestimit; s’e përfytyronte qyteti i jonë me anti-komunizmin e tij të thellë, se ç’mund të ndodhte vërtetë ndër ato zyra të misterta, ku në duart e kriminelëve komunistë të atij Sigurimi mizor, kishin lanë jetën disa prej bijve ma të mirë të tij, jetë a vdekje e të cilëve, që Sirri Çarçani me shokë, i kishin pasë si objekte të zakonshme të punës se tyne kriminale e që për të cilët, mashtrimi, torturat, vrasjet, si edhe vetë sadizmi i tyne, do të ishin pjesë e pandame e arsenalit të tyne ma ç’njerëzor.

Mbas nja nji gjysë oret kohë, Sirri Çarçani u kthye në zyrë. I ulun para nji tryeze, ai do të vazhdonte me qëndrue i heshtun e serioz, tue u marrë gjoja me do letra që kishte para. Skenari sa kishte fillue. Si kaluen edhe pak minuta tjera, papritmas u ndigjue se poshtë në oborr, u fut më shumë poterë nji makinë që prishi qetësinë e thellë të natës, përfshi edhe atë të zyrës, ku deri atëherë s’po fliste njeri. Aty edhe heshtja e randë dhe e zgjatun, si pjesë e skenarit, ishte sajue që mundësisht të fliste ma shumë se “këshilla” që ai hetues kriminel do të më drejtonte mbas pak minutash, si gjoja “i zbutun”, para vdekjes së nji të riu.

Nuk vonoi e n’atë turr ia mbërriti nji kapter, i cili mbasi përshkoi ushtarakisht për së gjati zyrën, e po ushtarakisht u ndalue para eprorit të tij, Sirri Çarçanit, tue i raportue me nji shqiptim të qartë e të vendosun: “Shoku …, gjithçka asht gati, makina, skuadra e qeleshja”. Fjalën “qeleshe”, s’do ta mësojsha asnjiherë se ç’kuptim duhet të kishte pasë në atë rast. Sidoqoftë, Sirri Çarçani, tue besue se po shfrytëzonte gjendjen time morale të krijueme prej solemnitetit të asaj atmosferë të frikshme, kur gjoja u luente fati i jetës time, u suell prej meje, e me ton njerëzor e këshillues, po edhe serioz, po më thonte: “Është fundi. Mendohu, mendohu edhe njëherë, përndryshe që tani do të të çojnë në Zallë të Kirit. Janë marrë të gjitha masat. Ti e dëgjove vetë”.

Mbasi unë i pata përgjegjë me fjalët: “Nuk kam përse të mendohem”, ai urdhnoi kapterin e Nurçen, që u ndodhshin mbas shpindës time: “Merreni”, dhe vetë duel prej zyrës. Me duer të lidhuna para e me Nurçen e kapterin që më mbajshin për krahësh, dolëm nga zyra me drejtim oborrin e makinën. Që të më çojshin deri në Zallë të Kirit, si për skenar, unë e besojsha, por që të më pushkatojshin, jo, për moshën që kisha, megjithëse mendjen time nuk do ta ndryshonte as pushkatimi vetë. Mbasi zbritëm shkallët e po merrshim për me dalë në oborr, hetuesi nga Dibra po na ndiqte prej mbrapa me vrap, gjoja edhe për nji gja që u kishte dale, para se të shkojshim atje për ku përfundimisht ishte vendosë. Oficeri në fjalë thirri: “Kthehuni, vetëm për nji sqarim”.

S’kishte nji gja që ta thyente sadopak heshtjen e randë të atyne minutave, gjoja të fundit të jetës time. Edhe Nurçia e kapteri nuk u bajshin të gjallë. Skenari u luente prej të gjithëve. Na lanë të pritshim edhe do minuta tjera në korridor, larg nji zyrejet tjetër, ku ishte planifikue që të më futshin. Nga dera e asaj zyreje doli Sirri Çarçani i cili, si shumë i preokupuem që u dukte, më foli me za të ultë, por të vendosun: “Shiko, do të të ballafaqojmë me një njeri, të cilin ti vetëm do e dëgjosh e s’do t’i thuash asnjë fjalë dhe as në fytyrë nuk do e shikosh fare, more vesh”? Në përgjigje të tij unë pohova nji; “Mirë”. Personi me të cilin do të më ballafaqojshin në atë mesnatë, ishte nji shoku i im. Dhe s’mund ta dij se ç’duhet të ketë provue ai, kur në fytyrën time të ketë vërejtë nji karikaturë të mbulueme me njolla bloze të zezë, përzie me djersë e gjak, si dhe me flokë të ngrimë nëpër të. Nuk mund ta di cila duhet të ketë qenë përshtypja e tij para kësaj pamje time tronditëse e s’di gjithashtu, se ç’t’i ketë folë ajo?! Shokun tim e gjeta në kambë, të ngrimë si nji gur vorri, aty në hymje të nji zyrjet të rrethuem me tre-katër oficerë Sigurimi, dy prej të cilëve ishin Sirri Çarçani e hetuesi nga Dibra.

Qysh se u futa aty, shikimin e drejtova kah shoku i im, dhe kur i qeshë afrue, në kundërshtim me sa më kishte porositë Sirri Carçani, unë me qëllim inkurajimi, i vuna buzën në gaz dhe tue e thirr në emën, e pyeta shoqnisht: “Si je, …”? Sirri Çarçani, i alarmuem së tepërmi, bërtiti fort nja dy-tri herë – “Pusho, pusho”! – e si para faktit të kryem që ishte, s’e zgjati me mue, veç u kthye me të shpejtë kah shoku i im, tue i thanë: “Foli tash për çfarë ishit takuar, ku u takuat, çfarë biseduat në shtëpi të tij, si folët për nevojën e fletushkave që do të shpërndanit” etj., etj. Shoku i im mohoi në vend. Sirri Çarçani u tërbue edhe nji herë, ashtu si u tërbonte ai. Mue më nxorën në çast përjashta, dhe kur unë i shoqnuem prej dy policëve po u largojsha nëpër korridor me kënaqësinë e qëndrimit të mirë nga ana e shokut tim, ndigjojsha përmbrapa britmat nervoze që Sirri Carçani ia drejtonte atij…! Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular