PS mbylli këtë të premte fushatën për zgjedhjet e 11 majit në Parkun Olimpik në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama ftoi shqiptarët që të votojnë për Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Rama tha se Partia socialiste do të marrë më shume se 78 mandate në zgjedhjet e 11 majit.
“Ne edhe aritmetiksiht do te ngjitemi me lart me e pakta 78 mandate”, tha Rama.
Ai tha se PS e nxori Tiranën nga gërmadhat dhe e rilindi atë.
“Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë, shqiptarë dhe shqiptare pa krahinë, fe e ide, kudo që jeni në Europë e botë, vëllezër e motra socialistë të progresit të Shqipërisë, ju këtu, shokë e shoqe të armëve nga Tirana, që në fillim, Partia Socialiste e Shqipërisë e nxorri vendin nga gërmadhat, nga një vend pa shtet. Dhe më pas, e rilindëm. Ju jam mirënjohës për praninë tuaj, ku jemi në kulmin e një tjetër rrugëtimi katërvjeçar, në ngjitje, lart, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së Bashkuar. Nuk besoj te rastësitë. Dhe nuk është rastësi që sot jemi këtu, më 9 maj, në Ditën e Europës, për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi. E më pas, për të shkruar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve – shumicën më të madhe të shqiptarëve – në kutitë e votimit, dhe për të firmosur aty marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë tonë europiane, për Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama.