Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë me shkrim për italianen Corriere della Sera, teksa është drejt sigurimit të mandatit të katërt qeverisës në krye të vendit.
Rama shprehet për median italiane se fitoi falë këmbënguljes së tij dhe Partisë Socialiste.
Sakaq, ka shtuar se shqiptarët i besojnë atij falë vizionit qeverisës dhe jo prej dobësisë së opozitës.
Rama zbulon edhe çfarë i shkroi Meloni pas fitores. Së fundmi, vlerëson se transformim i mëtejshëm i vendit do të çojë drejt Shqipërisë në BE në vitin 2030.
Intervista e kryeministrit Rama me “Corriere della Sera”:
Fiton mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të diasporës, mban qendrën-jugun dhe gati sa merr edhe veriun, bastion i opozitës. Edi Rama siguron edhe katër vite të tjera në krye të vendit të shqiponjave. Lideri i Partisë Socialiste, tashmë kryeministri më jetëgjatë në historinë e demokracisë ballkanike, në shtator do të betohet për mandatin e katërt radhazi. Vota popullore — ende në proces numërimi më shumë se një ditë pas mbylljes së votimeve — aktualisht i jep 82 mandate nga 140 gjithsej, por mund të rriten. Sali Berisha, me Partinë e tij Demokratike (qendër e djathtë), siguron rreth 50 mandate. Mbrëmjen e djeshme, pas dhjetëra telefonatash urimi, Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetës italiane Corriere della Sera.
A e prisnit një rezultat kaq të thellë pas 12 vitesh në pushtet?
Sinqerisht, po. Sepse kemi punuar shumë për të arritur deri këtu, duke folur me vepra, duke treguar qartë rrugën që duhet ndjekur për Shqipërinë e brezit të ri, duke u përqendruar në rinovimin brezash në listat tona, ku kemi promovuar edhe shumë gra, dhe duke organizuar partinë si një skuadër të madhe në gjithë territorin.
Pse shqiptarët e zgjodhën përsëri Partinë Socialiste?
Sepse kemi ndryshuar Shqipërinë me një vizion të qartë dhe me këmbëngulje të madhe. Njerëzit nuk janë budallenj, siç mendojnë shumë politikanë, dhe dinë të dallojnë midis atyre që punojnë seriozisht për të ardhmen e vendit dhe atyre që merren vetëm me fjalë boshe dhe pesimizëm. Po, kemi bërë edhe gabime, dhe kemi kërkuar falje. Por asnjëherë nuk jemi ndalur, nuk jemi fshehur dhe nuk jemi dorëzuar përballë vështirësive. Kemi ngritur një komb të tërë dhe e kemi bërë të ndihet krenar për emrin e tij.
A tregon ky rezultat edhe mungesën e një opozite reale?
Nuk mendoj se fitojmë sepse opozita humbet. Fitojmë sepse shqiptarët besojnë në rrugën që po ndjekim bashkë.
Çfarë ju thotë vota e diasporës, që në shumicë votoi për ju?
Më prek shumë. Ata që jetojnë jashtë vendit kanë një këndvështrim më të gjerë dhe janë më kërkues. Nuk votojnë nga nostalgjia, por me gjykim të kthjellët. Është një votë besimi nga ata që kanë lënë vendin, por jo Shqipërinë. Dhe nëse diaspora na beson, do të thotë se ne po përcjellim një imazh që i bën ata krenarë.
Keni komunikuar me Giorgia Meloni? Ju ka uruar?
Po, më dërgoi një mesazh si një motër për një vëlla.
Çfarë do të bëni gjatë katër viteve të ardhshme në qeveri?
Do të përfundojmë kantierin e madh evropian të Shqipërisë. Objektivi ynë është të mbyllim negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Ndërkohë, do të vazhdojmë të modernizojmë vendin, të forcojmë shtetin e së drejtës dhe ekonominë, të mbështesim familjet dhe të bëjmë të pakthyeshëm transformimin e vendit në çdo drejtim. Çdo ditë, me përulësi dhe vendosmëri.
Ju thoni se Shqipëria do të hyjë në BE në vitin 2030. Disa ekspertë thonë më vonë. Si përgjigjeni?
Ekspertët shpesh kanë të drejtë, por ata nuk kanë ndryshuar kurrë rrjedhën e historisë. Këtë e bëjnë popujt dhe udhëheqësit e vendosur. Unë nuk bëj parashikime, por flas për objektiva — dhe në këtë rast kemi një objektiv të përbashkët me Brukselin. Nëse Shqipëria vazhdon të bëjë detyrat si deri tani, atëherë do të jetë plotësisht gati në vitin 2030.