Ka qenë mëngjesi i 1 shtatorit të vitit 1976, kur punëtorët e ndërmarrjes së Peshkimit që mbërritën të parët në vendin e tyre të punës që ndodhej në bregun e liqenit të Shkodrës afër fshatit Shirokë, konstatuan se çuditërisht aty mungonte roja e ndërmarrjes së atij sektori, si dhe dezhurni i zyrave, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë?! Kjo sepse, veç të tjerash, aty ndodhej edhe moli ku ishin ankoruar të gjitha varkat e peshkimit, që të lidhura me kavo çeliku dhe të kyçura me çelës, konsideroheshin si objekti i rëndësisë së veçantë e, ishin nën kontrollin e ruajtjen e dyfishtë, si nga ana e ndërmarrjes së peshkimit, ashtu dhe nga posta e Kufirit që ndodhej në fshatin Zogaj, ku ishte dhe kufiri shtetëror me Malin e Zi, asokohe pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë së Marshallit Tito.
Edhe pse vazhdonte të binte një shi të rrëmbyer dhe me shtrëngata, që kishte filluar që nga mesnata e kaluar, peshkatarët filluan të kërkonin rojën dhe dezhurnin e ndërmarrjes së tyre, duke i thirrur ata me emër, por më kot, se askush s’përgjigjej? Por pas pak, ata shtangën në vend dhe u tmerruan, kur vetëm pak metra larg magazinës së peshkut, panë të shtrirë në tokë dhe pa shenja jete, një kufomë…! Ishte roja 50 vjeçar, Fadil Rizaj, i cili prej disa vitesh shërbente në atë detyrë. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë, pasi ai jo vetëm se ishte i gjakosur dhe me shenja të dukshme në kokë e në trup, por duart i kishte të lidhur me litar nga prapa trupit dhe gjithashtu edhe organet e frymëmarrjes, të lidhura me një leckë pas kokës…! Çka nënkuptonte qartë, se atë e kishin vrarë…!
Pas asaj skene tmerri, disa nga peshkatarët vrapuan për tek zyrat për të telefonuar shefat e ndërmarrjes së tyre dhe Degën e Brendshme gjithashtu, por linja telefonike ishte e këputur dhe lidhja me Shkodrën nuk mund të realizohej…! Ndërkohë nga kontrollet e tjera për të gjetur dezhurnin e ndërmarrjes, u konstatua gjithashtu, se në molon në breg të liqenit, mungonte njëra nga lundrat, (varkat e peshkimit), pikërisht ajo që njihej si; “Lundra e Shëndetësisë”, si dhe kasaforta që mbante çelësat e tyre, ishte e thyer me levë!
Ndërkaq ishte dhënë alarmi dhe aty ja bëhen disa nga efektivët dhe shefat kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, të cilët konstatuan menjëherë, se jo vetëm se kishin të bënin me një krim të rëndë, por edhe me një arratisje me varkë nëpërmjet liqenit, gjë e cila veç të tjerash, do e rëndonte edhe pozitën e tyre para eprorëve në ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. Ndërkaq lajmi mori dhenë dhe grupi hetimor me ekspertët përkatës filloi menjëherë nga puna, për zbulimin e krimit që kishte ndodhur dhe zbardhjen e gjithë asaj ngjarje, që disa ditë më pas do trondiste jo vetëm qytetin e rrethin e Shkodrës, por gjithashtu edhe Tivarin, Titogradin dhe Ulqinin në Malin e Zi!
Po ç’kishte ndodhur në të vërtetë, kush dhe pse e kishin vrarë rojën e Peshkimit Fadil Rizaja? Sa veta ishin arratisur dhe çfarë kishte ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, duke u gdhirë 1 shtatori 1976, teksa binte një shi i dendur dhe me gjëmime e shtrëngata, që thuhej se nuk mbahej mënd ndonjëherë, edhe nga banorët më të moshuar të atyre anëve? Përse disa trupa të pajetë u gjetën në bregun e liqenit në pjesën jugosllave dhe një kufomë tjetër në anën tonë të kufirit, në afërsi të postës së kufirit në fshatin Zogaj? Si mundi të dilte me not në në pjesën e liqenit që i takonte kufirit të Republikës Federative të Jugosllavisë, autori kryesor i asaj arratisje, në atë natë të errët me shi, dallgë dhe stuhi?
Kush ishte Hamit Arif Myrto dhe çfarë u tha ai fillimisht banorëve të asaj zone, kur e panë në rrugicat e fshatit të tyre krejt të zhveshur, si dhe organeve kompetente jugosllave, lidhur me arsyet e arratisjes? Për çfarë e pyesnin Hamitin organet e UDB-së gjatë procesit hetimor në disa zyra të veçanta në Tivar, Titograd dhe Ulqin, ku e dërgonin duke i ndërruar shpesh vendin, “shokët” e qelisë dhe hetuesit që e merrnin në pyetje? Çfarë ju deponoi ai kur e pyesnin për bazat e repartet ushtarake, repartin e raketave e tjera instalime që ndodheshin asokohe në në rrethin e Shkodrës, si dhe traktet që ishin hedhur ato ditë në atë qytet, kundra Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës?
Çfarë ju tha Hamiti organeve të UDB-së, lidhur me kunatin e tij, ministër në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, e gjithashtu një nga njerëzit më të afërt të diktatorit Enver Hoxha, i cili qëndroi në atë detyrë deri në shembjen e regjimit komunist? Kush ishte “fotografi” nga Shkodra që ishte arratisur para disa vitesh në Jugosllavi dhe përse të gjithë hetuesit e pyesnin Hamitin, pikërisht për atë person? Përse autoritetet jugosllave të UDB-së vendosën dhe e kthyen Hamit Myrton në Shqipëri, duke ua dorëzuar organeve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar, edhe pse ata ishin të bindur, se atë nuk e kishin dërguar me mision sekret?
Çfarë deponoi Hamiti gjatë procesit hetimor, si për arsyet që e kishin detyruar të ndërmerrte atë aventurë të rrezikshme e, gjithashtu të gjitha ato çka ai kishte treguar para UDB-së? Çfarë shkruante Hamiti në letrën drejtuar Enver Hoxhës për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe si u bë e mundur gjetja e asaj letre në shtëpinë e tij në Shkodër? Çfarë deponuan gjatë procesit hetimor familjarët e Hamitit, të afërmit, fqinjët, shokët e punës, brigadieri, drejtori i ndërmarrjes së Peshkimit, kryetari i Këshillit Popullor të Lagjes “Partizani” ku ai banonte, e të tjerë persona që u thirrëm për të dëshmuar ndaj tij, në vjeshtën e vitit 1976?
Përse gjyqi ndaj Hamit Myrtos u zhvillua në fshatin Shirokë, sa u dënua ai nga Gjykata e rrethit të Shkodrës, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë dhe përse Presidiumi Kuvendit Popullor, la në fuqi vendimet e tyre, për dënimin e tij me vdekje (me varje në litar) edhe pas asaj tragjedia të tmerrshme që i kishte ndodhur atij; ku humbi të gjithë familjen? Cilat ishin fjalët e fundit që Hamiti tha para skuadrës së pushkatimit dhe përse edhe sot e kësaj dite, nuk është gjetur ende varri i tij, ashtu si dhe të bashkëshortes dhe dy djemve të tyre, që ndodhen në anën tjetër të kufirit, në Malin e Zi?!
Lidhur me këto dhe të tjera nga ajo ngjarje nga më të rëndat e tragjiket që ka përjetuar rrethi i Shkodrës në ato vite dhe Mali i Zi gjithashtu, na njohin dokumentet arkivore të dosjes voluminoze përkatëse që ka siguruar Memorie.al, të cilat po i botojmë në disa numra (me faksimilet dhe fotot përkatëse), me qëllimin e vetëm, për të zbardhur dhe për të bërë të njohur krimet monstruoze të ndodhura në atë kohë, ku shqiptarët, për t’i shpëtuar ferrit komunist, detyroheshin të ndërmerrnin aventura nga më të rrezikshmet drejt kufirit shtetëror, ashtu si personazhi kryesor i kësaj ngjarje, Hamit Arif Myrtja!
DOKUMENTI I PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR DËRGUAR DREJTORISË SË HETUESISË PRANË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME DHE PROKURORISË SË PËRGJITHSHME, ME VENDIMIN E REFUZIMIT TË FALJES SË JETËS, PËR HAMIT ARIF MYRTJA
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 25.12.1976
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
Nr. 975/1
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
(Drejtorisë së Hetuesisë)
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
Për njoftim: GJYKATËS SË LARTË
TIRANË
Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 25.12.1976, refuzoj faljen e jetës së:
Hamit Arif Mytjes, dtl. 1944, lindur dhe banues në Shirokë të rrethit të Shkodrës, dënuar me vendimin 401, datë 18.11.1976, të gjykatës së rrethit të Shkodër, me vdekje, (varje në litar), se ka tradhtuar Atdheun, ka kryer vepra terrori dhe ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor, vendim ky që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Presidiumi vendosi që dënimi me vdekje, të ekzekutohet me pushkatim.
SEKRETARI I PRESIDIUMIT
Telo Mezini
DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET I DREJTORISË SË HETUESISË NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, FIRMOSUR NGA MINISTRI KADRI HAZBIU, DËRGUAR DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT SHKODËR DHE PROKURORISË SË PËRGJITHSHME, PËR EKZEKUTIMIN ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, TË HAMIT ARIF MYRTJA, MË 25.12.1976
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr 3
DREJTORIA E HETUESISË Tiranë më 25.12.1976
Nr 801/2 prot
E përkohshme 5 vjet
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (me pushkatim) të të dënuarit Hamit Arif Myrtja.
DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
SEKTORIT TË HETIMIT
SHKODËR
Për njoftim
PROKURORISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Në bazë të vendimit nr 401 datë 18.11.1976 të Gjykatës së Rrethit Shkodër, lënë në fuqi vendimin nr 397, datë 4.12.1976 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, është dënuar me vdekje (varje) Hamit Arif Myrtja, dt. 1944, lindur e banues në Shirokë të rrethit të Shkodrës, për arsye se ka tradhtuar Atdheun, ka kryer vepër terrori, dhe ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor, krime këto të parashikuara nga nenet 64, 67, dhe 73/1, të Kodit Penal.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 975/1 datë 25.12.1976 njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës, dhe vendimin mbi ekzekutimin me pushkatim të të lartpërmendurit.
URDHËROJ
Që i dënuari Hamit Arif Myrtja, të ekzekutohet me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar, datë 26.12.1976 ora 24.00 Për ekzekutimin e tij ngarkoj Degën e Punëve të Brendshme Shkodër. Para se të ekzekutohet, të njoftohet i dënuari se kërkesa e tij për faljen e jetës, i është refuzuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit i ngarkuari me këtë punë, duhet të bëjë process-verbalin e ekzekutimit të vendimit, që mban edhe fjalën e fundit të të ekzekutuarit, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
Kadri Hazbiu
DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E DEGËS SË BRENDSHME TË RRETHIT TË SHKODRËS, I FIRMOSUR NGA KRYETARI REXHEP KOLLI, DËRGUAR DREJTORISË SË HETUESISË NË MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR PUSHKATIMIN E HAMIT MYRTJA
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Sekret
DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr 1
SEKTORI I HETUESISË E përkohshme 5 vjet
Nr. 1765/5 Shkodër 31.12.1976
Lënda: Dërgohet një kopje e proces-verbalit të ekzekutimit me vdekje të Hamit Arif Myrtjes
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORISË SË HETUESISË
TIRANË
Në mbështetje të urdhrit nr 801/2 të datës 25.12.1976 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bashkangjitur me këtë shkresë, ju dërgojmë një kopje të proces-verbalit të ekzekutimit me vdekje të Hamit Arif Myrtos, nga qyteti i Shkodrës.
KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME
(REXHEP KOLLI)
PROCES-VERBAL
I mbajtur sot në datën 26.12.1976 ora 24.00 ndërmjet hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, Shyqyri Çoku, duke qenë me Zv/Shefin e Policisë, Bajram Shima, dhe Ndihmës Prokurorin e rrethit Shkodër, Remzi Kruja, mbajmë këtë proces-verbal në zbatim të vendimit Nr 401 datë 18.11.1976 të Gjykatës së rrethit Shkodër e lënë në fuqi vendimin Nr. 397 datë 4.12.1976 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që është dënuar me vdekje (varje) Hamit Arif Myrtja, dtl. 1944, lindur e banues në Shirokë të rrethit të Shkodrës, për arsye se ka tradhtuar Atdheun, ka kryer vepër terrori, dhe ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor, krime këto të parashikuara nga nenet 64, 67, dhe 73/1, të Kodit Penal.
Meqenëse edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, refuzoi faljen e jetës, por ja ndryshoi nga varje, në pushkatim, të lartë përmendurit e për këtë gjë, sipas urdhrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr. 801/2 datë 25.12.1976, u ekzekutua në kohën e në vendin e caktuar. Në fjalën e fundit ai tha: “Më vrisni ballë për ballë. Nuk prishet asgjë se nuk është pranuar falja e jetës sime”.
Proces-verbali mbasi u shkrua, u lexua e, u nënshkrua nga ne. Memorie.al Nga Dashnor Kaloçi
HETUESI ZV SHEFI I POLICISË
(Shyqyri Çoku) (Bajram Shima)
ND/PROKURORI I RRETHIT
(Remzi Kruja)