Ardi Stefa
1- Edi Rama fitoi mandatin e katërt. Në fakt, fitorja në 11 maj, ishte fitorja e mandatit të pestë në 2029-ën, pasi nga 83 deputetë këto zgjedhje vështirë se kalon në opozitë në zgjedhjet e ardhshme. Edhe po ra në numër deputetësh, përsëri do të jetë mbi 70.
Rama tashmë ka shifrat. Çfarëdo që të ndodhë, edhe 30 deputetë apo ministra t’i bien në burg apo të hetohen nga Drejtësia ai mund t’i zëvendësojë lehtësisht.
Rama bëri gjithçka që të fitonte. Fitoren e çertifikoi triumfalisht në 16 maj në Samitin e Tiranës, kur të gjithë liderët europianë e uruan!
Pozitat në parti i ka më të forta se kurrë dhe është lideri absolut.
Megjithëse kjo fitore është një fitore, e cila më shumë tremb socialistët rreth tij se të tjerët.
2- Partia Demokratike humbi. Demokratët humbën për herë të katërt. Megjithëse Sali Berisha humbi për të katërtën herë, është fituesi i përhershëm. U çimentua si lideri i opozitës, e cila do të vazhdojë të tkurret e të tkurret. Deputetët e tij amorfë do të flasin përsëri me gjuhën e tij dhe do të bëjnë sikur bëjnë opozitë.
PD është Berisha dhe Berisha është PD. Çdo përpjekje për ta shkëputur PD nga Berisha ka dështuar dhe do të dështojë dhe ajo është tashmë një parti private dhe vetëm për të mbrojtur atë dhe për hallet e tij derisa ta “marrë Zoti!”,- siç e tha edhe vetë!
Askush që është në PD dhe është kundër Berishës nuk lejohet nga berishistët të ngrerë kokë. Në këto tre vite, të vetmet fitore të Berishës janë fitoret ndaj armiqve të brendshëm. Ato do të jenë edhe në të ardhmen, nëse ndonjëri do të kërkojë të shkëputet prej tij.
Dhe, për sa kohë do të vazhdojë një gjë e tillë, tingëllon aktuale shprehja e Yuri Kim: “Me Berishën do të hani bar!”
Në këtë kontekst opozitarët në Shqipëri duhet të kuptojnë se e ardhmja e opozitës tashmë nuk kalon më as nga Berisha e enturazhi i tij, e as nga PD pa shtyllë kurrizore dhe e kapur me thonj pas së shkuarës, pas figurave të konsumuara, pa peshë e të neveritshme. E ardhmja e opozitës nuk mund të kalojë nga një parti e cila refuzon të reformohet, të ndryshojë, të bëhet promotore e së ardhmes.
3- Partitë e reja kishin shansin e madh këto zgjedhje, pavarësisht vështirësive dhe pamundësisë që u krijon kodi zgjedhor për vlerësim të çdo vote, që të sillnin ndryshimin.
Ato nuk u bënë dot bashkë dhe të faktorizoheshin duke krijuar një pol të tretë për të ngjallur shpresën te populli opozitar apo elektorati gri që nuk voton PS, që nuk do këtë PD dhe kërkon ndryshim.
Partitë e reja, të cilat ngelën të vogla, duhet të ndryshojnë mentalitet. Kanë një shans, pasi nuk kanë Berishën apo pesha të së shkuarës e pengesa mbi shpinë.
Ato duhet të jenë më të hapura a bashkëpunuese, të ndryshojnë qasje, mentalitet dhe të mos vërtetojnë atë shprehjen e Konicës që thotë: “Rasti i vetëm kur shqipëtarët bashkëpunojnë dhe koordinohen mes tyre, është kur kërcejnë valle!”
As vargjet e Fishtës: “Troç, dy fjalë, kombit mbarë,/ Sy me sy me ja thanë deshta:/ Ma zor mblidhen dy shqyptarë,/ Sesa mblidhet nji thes me pleshta.”
Në të kundërt: do të ngelen përjetësisht të vogla e do të braktisen shpejt nga elektorati.