HomeOP EDI love Lura/nga Edison Ypi

I love Lura/nga Edison Ypi

spot_img

EDISON YPI

Në Maqellarë:

Në Maqellarë:
-Ku ndodhet Lura?
-Atje larg në veriperëndim, pas atij malit shkëmbor dhe asaj kodrës së blertë. Lum ti ku po vete. Rrugë të mbarë! I love Lura.

Dibrani ku ndala me pi një çaj, edhe ai tha: I love Lura.

-O çun, si shkohet te Lura?

-Rruga për te bukuroshja Lura është plot rreziqe, dredha, humnera. Kujdes mos humbësh rrugën! Ruhu mos të çajë ujku, mos të kullufit ariu para se me mrrit tek e fundbotshmja Lura.

Disa çuna rrotull një “Benz”-i që i është shpuar goma.

Edhe ata, i love Lura njëri, i love Lura tjetri.

Njëri nga çunat, pak si mënjanë të mos e dëgjojnë të tjerët, më thotë: -Kta ia fusin kot. Lura është dashdorja ime.

Mesoburrë shtatlartë pak i kërrusur, me syze, kapele, çantë.

-Më fol pak për Lurën.

-Dibra ka gjithë ato bija, njëra më e bukur se tjetra: Maqellara, Shupenza, Kalaja e Dodës, Radomira, Radikja. Por ma e bukura prej krejt bijave të Dibrës është Lura. Kalo lumin tek ura dhe ngjitu përpjetë. Nuk do jetë udhëtim, ekskursion, vizitë turistike, e më the e të thashë. Do jetë një ikje, një arratisje, një marramendje, mrekullim, katarakt ndjenjash, delir, ndriçim, që s’do zbehet kurrë në mendje drejt palcës së Bukurisë që zbut shpirtrat, drejt zjarrit që djeg botën. Unë i di këto dhe të tjera, sepse jam mësues fshati, lexoj libra, por sidomos sepse i love Lura.

“Benz” i bardhë tatëpjetë.

-Edhe ti e love Lura?

-S’do mend që edhe unë love Lura. Si mundet mos me e love Lurën, unë çuni i njërit prej pronarëve të hoteleve të Lurës?

Loveri i Lurës ka pamjen e të pangopurit me dashuri për Lurën dhe bukuritë dhe freskitë mes të cilave ka lindur dhe jeton.

Duken-zhduken me zhurmë nëpër kthesa motoçikleta të huaja që ikin si të tërbuara drejt Lurës, duke iu qepur malit e duke gërvishtur rrugën me thonj si maçokë të çmendur. E kotë t’u bësh shenjë. Nuk ndalojnë bishat që ngjiten drejt Lurës mahnitëse. Zbresin nga rruga me dredha dy “Land Rover”-a me targa të huaja me nga dy veta brenda.

-Lura? – i pyes shqiptarçe me pëllëmbë të hapur dhe gishta të zgjatur në mënyrë habitore.

Përshëndesin me drita dhe përgjigjen me britma të katërt si klarineta të ndryshkur të çakorduar:

-I love Lura.
-I love Lura.
-I love Lura.
-I love Lura.

Rruga malore për tek elegantja Lura ka zabele të zymta, ku janë kryer masakra. Pllaja ku janë bërë luftëra. Lugina mbushur me lot e gjak nga historia. Pyje mahnitëse. Kroje të freskëta. Panorama që verbohesh dhe çmendesh po i pe më gjatë se dy minuta.

“Nissan” gjigant. Tjetër çun pronari hoteli. Mesa duket, etërit po u dorëzojnë stafetën bijve. Ky, ndryshe nga i pari me “Benz” të bardhë, nuk e ka atë tisin e ëndërrtarit. Është më i mprehtë, më i gjallë. Përveçse pronar, është edhe guidë turistike i licencuar. Sistemon makinën për mos me pengu rrugën.

Zbret. Vjen e rrëfen me pasion. Për vendet, historinë, toponomitë, gjeografinë, relievin, klimën.

Ngrënie e lehtë dhe e shpejtë me gjizë dhe djathë Lure, bukë e thekur, vaj ulliri, ujë bjeshke dhe pak muhabet me hotelxhiun.

Ku ma gjen me flejt një natë me Lurën.

Por s’ka kohë. Po bie pasditja. Te liqenet, tjetrën herë.

Nisem me u kthy nga Lura duke vazhdu rrugën për me dalë në Perlat të Mirditës. Pas pak kilometrash, stop. Më tej nuk është e mundur. Rrugën e kanë zënë ca gurë të mëdhenj, që po i hedh nga lart për ndreqjen e rrugës një ekskavator që duket si Skënderbeu që po hedh gurë nga mali për të bllokuar hordhitë e turqve me shallvare dhe çallma të mos vijnë ta përdhunojnë Lurën e bukur plot hire gjysmë të zhveshur. Duke u kthyer, dy francezë me një “Range Rover” në rrugën me dredha.

-You love Lura?
-J’aime Lura.
-Edhe një herë të lutem, se s’ngopem.
-J’aime Luraaaaaa.

Një gur që vuante, një dru që qante, një përrua që rridhte, njëri këtu, tjetri atje, i treti pak më tutje, thanë pa asnjë hezitim: I love Lura.

Duke u kthyer, në zbritje, bukuri kaotike të gdhendura nga Zoti prej atyre që s’i mërziten kurrë as syrit, as veshit, as hundës. Rruga e Lurës është e tëra një bukuri kaleidoskopike, aq mahnitëse sa s’ka valle fjalësh, as cirk kuptimesh, ta shprehi.

-”Ich liebe Lura”, – thotë pa e pyetur dhe qetësisht një gjerman që po udhëton me gruan dhe gocën e vogël me bishtaleca të verdha.

Fill pas gjermanit, “Io amo Lura”, bërtet një pepino nga makina.

Te një kthesë afër urës së Drinit, një hoxhë me tespie dhe çallmë. Edhe Hoxha, pa i lëviz qerpiku:

Me të dalë në rrugën kryesore, disa vajza dorë për dore.

-Goca, edhe ju e Love Lura?

-Sigurisht we love Lura. Por me Lurën ne gocat kemi konflikt interesi. Jemi vetë të bukura.

Te një kafene, katër a pesë dibranë pensionista, sa dëgjojnë Lura-Lura, nisin dridhen si purteka, u merret goja, ngatërrohen, torollepsen dhe nisin e bërtasin: I love Lura-I love Lura.

– thotë me zë të butë një rus që udhëton i vetmuar. Paksa i skuqur në fytyrën e gjerë, pasi ka gjerbur nja dy a tre qelqe vodka, ka derdhur po aq pika lot.

-Me encanta Lura, ia pret një spanjoll mbi një derr “Benz”-i me ia pas zili lacat e Milotit.

Duke u afru tek Ura Cerenecit,

-A e love Lurën ti? – pyes anës rrugës një 2-metrosh nga Shupenza.

-I love Lura, thotë kollosi.
-Më fort!
-I love Luraaaaa!
Edhe një herë dibran!
Edhe më fort vigan!
Sa më fort shqiptar!
Sa dheu të tundet!
Sa Qielli të griset!
Sa Korabi të trembet!
Sa Drini të tërbohet!
Kollosi nuk përton:
I love Luraaaaaaa…
-Q’ashtu!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular