Zgjedhjet e 11 majit nxorën 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, por puna do të vijojë deri në korrik me përbërjen aktuale.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme dhe sipas kalendarit zyrtar, puna parlamentare do të vijojë deri më 8 korrik. Në këtë periudhë tranzitore, Kuvendi do të presë raportimet vjetore të të gjitha institucioneve publike, nga ato kushtetuese e deri tek agjencitë e pavarura.
Ky është një moment kyç për të bërë bilancin e veprimtarisë së tyre para legjislaturës aktuale, përpara se t’ua dorëzojnë stafetën deputetëve të rinj në shtator. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së mëparshme. Duke qenë se mandati i Kuvendit aktual përfundon më 9 shtator 2025, seanca e parë e Kuvendit të ri pritet të zhvillohet brenda datës 19 shtator. Në këtë seancë të parë, deputetët e rinj do të bëjnë betimin dhe do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, duke shënuar fillimin zyrtar të legjislaturës së tridhjetë e dytë të Shqipërisë.
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë përmbyllur një kapitull zgjedhor me rezultat të qartë: Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) del sërish forcë dominuese, duke siguruar 83 mandate në Kuvendin e ri prej 140 vendesh. Megjithatë, prania e aktorëve politikë si Adriatik Lapaj nga Nisma “Shqipëria Bëhet” dhe Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë”, sinjalizon një fragmentim të lehtë të skenës politike përtej dyshes tradicionale PS-PD. Me 812.316 vota (rreth 52%), PS ka siguruar jo vetëm shumicën e thjeshtë, por edhe numra bindës në Kuvend gati-gati shumicë të cilësuar prej 3/ 5 ose 84 deputetë. Ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët e saj (PDASHM) kanë arritur vetëm 50 mandate, me një rezultat kombëtar prej 522.949 votash (33.7%). Ndërkohë, PSD ka siguruar 3 mandate (me 49.535 vota), Partia Mundësia 2 deputetë (48.489 vota), si dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat (61.272 vota).
Lista e kandidatëve të Nisma-Shqipëria Bëhet kanë një specifikë. Kur u prezantuan kandidatët për deputetë, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani njoftuan se në listat e mbyllura kishin përfshirë emra kryesisht nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar me qëllim nxjerrjen jashtë loje të listave të sigurta si domen të PS dhe PD, ndërsa e vetmja listë efektive dhe e vlefshme do të ishte ajo e hapur. Adriatik Lapaj ka siguruar deri tani 4 554 vota, ndërsa i dyti pas tij, Endri Shabani ka 2477.