Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1, që goditi mëngjesin e sotëm zonën e Kretës, ka shkaktuar shqetësim të madh tek banorët e Kretës. Lëkundja u ndje edhe në Atikë, përfshirë Athinën.

Dëshmitarët tregojnë se pas tërmetit u dëgjua një zhurmë e fuqishme, ndërkohë që video të publikuara tregojnë lëkundjen e fortë të kabllove elektrike dhe automjeteve.
Në supermarkete janë rrëzuar produkte nga raftet duke shkaktuar dëme materiale. Deri më tani janë regjistruar edhe nëntë paslëkundje, me më të voglën prej 2.5 Rihter dhe më të madhën 3.5 Rihter.
Shërbimi zjarrfikës në Kretë është vënë në gatishmëri, me automjete që patrullojnë për të inspektuar gjendjen. Janë raportuar rrëshqitje të dheut në disa rrugë rurale, ndërsa në rrugën “25 Gushti” në Heraklion është rrëzuar një pjesë e një ndërtese.
Në vendngjarje ndërhyri menjëherë policia bashkiake që rrethoi zonën, ndërkohë që po kryhen kontrolle edhe në zona të tjera të qytetit.
Kryetari i bashkisë së Heraklionit, tha se gjendja e përgjithshme në qytet nuk është shqetësuese, por po mbahen kontakte të vazhdueshme me autoritetet dhe nuk do të mbyllen të gjitha shkollat, përveç atyre ku konstatohet ndonjë problem konkret.
Bashkitë e Heraklionit dhe Lasithit kanë dhënë udhëzim për kontrollin e objekteve arsimore. Deri tani nuk është raportuar ndonjë dëm serioz dhe të gjitha shkollat funksionojnë normalisht.

Mbyllet përkohësisht kanioni i Imbros në Sfakia
Si masë parandaluese, është mbyllur përkohësisht kanioni i Imbros në Sfakia. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Chania. Ndërkohë, autoritetet janë në pritje të një vendimi për funksionimin ose mbylljen e Parkut Kombëtar të Samarës, pas kontrolleve që po kryhen nga autoriteti për mbrojtjen e natyrës.
Presidenti i OASP, Efthymios Lekkas, deklaroi se tërmeti ka pasur një thellësi të konsiderueshme, çka e bën të pamundur gjenerimin e cunamit dhe redukton rrezikun për dëme të mëdha.

Drejtori i kërkimeve në Institutin Gjeodinamik, Thanasis Ganas, e përshkroi si një tërmet klasik në thellësi të ndërmjetme, i cili ndjehet në një rreze të gjerë për shkak të natyrës së valëve sizmike.
“Ky ishte tërmeti kryesor. Zona ka pasur aktivitet mikrosizmik për dy vite. Mund të ketë pasgoditje të tjera, ndoshta deri në 5 Rihter, por nuk pritet të ketë pasoja të rënda”, tha sizmologu Akis Tselentis theksoi:
Pesëmbëdhjetë minuta pas tërmetit kryesor, është regjistruar një tjetër lëkundje me magnitudë 3.1 Rihter, me epiqendër 53 kilometra në veri të Neapolis, Lasithi, dhe thellësi fokale prej 59.4 kilometrash.

