Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Klevis Qose, zhvilloi takim me një delegacion të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, të kryesuar nga znj. Kathryn Hammond, Zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës, si dhe me një ekip ekspertësh nga Washington D.C, për të zhvilluar një ceremoni të posaçme dhurimi të pajisjeve për përmirësimin e sistemit penitenciar shqiptar.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të programeve strategjike të qeverisë amerikane si INL (Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit) dhe ICITAP (Programi Ndërkombëtar për Asistencën në Trajnimin e Hetimeve Kriminale), të cilët janë kontribuues kyç në forcimin e kapaciteteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Fokusi i kësaj mbështetjeje konkrete është përmirësimi i standardeve të punës dhe forcimi i infrastrukturës në sistemin tonë penitenciar, përmes pajisjeve teknike moderne dhe trajnimeve profesionale.
Falë mbështetjes së Uashingtonit, Qose theksoi rëndësinë e ngritjes së strukturave të specializuara, si Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut, që po ndjek modele inteligjente të ngjashme me ato të sistemit korrektues amerikan.
Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane dhe theksoi se përballja me sfidat e reformimit të mëtejshëm të sistemit kërkon partneritet të qëndrueshëm. “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson fort marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner strategjik për profesionalizimin dhe modernizimin e sistemit penitenciar,” u shpreh ai.
Nga ana e saj, znj. Kathryn Hammond vlerësoi përparimin e bërë në drejtim të reformimit të sistemit penitenciar shqiptar, duke theksuar angazhimin e SHBA-së për të mbështetur më tej përpjekjet për një sistem më të drejtë, më të sigurt dhe më human.
Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu z. Stephen Fields nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, z. Richard Deasy, atashe pranë ICITAP, dhe z. John Kastning nga INL, si dhe Nisha Abraham, oficere politike-ushtarake të cilët rikonfirmuan angazhimin për të mbështetur përpjekjet reformuese të Shqipërisë në fushën e drejtësisë penale.
Klevis Qose takim me një delegacion të lartë të Ambasadës së SHBA në Tiranë i kryesuar nga Kathryn Hammond
RELATED ARTICLES