Anti-mafia italiane në bashkëpunim me SPAK shqiptar dhe autoritetet gjermane kanë goditur një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikimin e kokainës dhe heroinës.
Në qendër të hetimit nga autoritetet italiane janë 29 persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë dhe kokainë, me origjinë nga Shqipëria dhe Holanda, të destinuara për tregun italian. Bashkë me numrin e personave nën hetim në Shqipëri, numri total i urdhër-arresteve është 52.
Sipas dosjes hetimore të autoriteteve italiane, organizata kishte si drejtues kryesor shtetasin Xhevdet Troplini.
Ndërmjetësit kryesor të Xhevdet Troplinit në këtë aktivitet dyshohet të kenë qenë Adi Çoba dhe Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”.
Gazetari Eni Ferhati tregoi në emisionin Now në Euronews Albania se Xhevdet Troplini ka një precedent të kaluar për trafik droge, është arrestuar dhe më pas është liruar.
“Njihet si biznesmen në fushën e pularisë, së fundmi është futur edhe në tregun e kafesë. Është ekspozuar publikisht dhe politikisht për shkak të një fotoje ku është shfaqur në krah të ish-presidentit Ilir Meta në atë kohë kreu i LSI”, tha Ferhati.