Sot, rreth orës 10:00 të paradites, faqja zyrtare e FSHF-së do t’i tregojë opinionit sportiv listën e lojtarëve që Silvinjo do të dorëzojë në zyrën e shtypit për t’u publikuar.
Të mëdha janë dilemat për tifozët, por jo për trajnerin që ka bërë zgjedhjet e tij dhe një pjesë e mirë e lojtarëve kanë marrë mesazhin se duhet të paraqiten këto ditë në grumbullim. Etrit Berisha ka filluar që të luajë në Suedi, por nuk dihet nëse stafi teknik do t’i rezervojë një ftesë për këto dy ndeshje.
Duke ditur rëndësinë, maturia e portierit mund të bëjë punë kundër Serbisë dhe Letonisë. Ndërkohë, Strakosha, Sherri dhe Kastrati pritet të jenë në listë. Gjithashtu, flitet se Silvinjo mund të përfshijë një lojtar nga Egnatia, megjithatë asgjë nuk është e konfirmuar.
DAKU- Nga ana tjetër, një dyshim është për repartin e sulmit. Në grumbullimin e fundit mungonte Mirlind Daku, ndërkohë sulmuesi e ka mbyllur kampionatin me një tjetër rrjetë të tundur në futbollin rus me fanellën e Rubin Kazanit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar në ndeshjen e tretë radhazi, për t’u konfirmuar si një nga futbollistët më rezultativë para portës së këtij kampionati. Në minutën e 5-të të takimit, Daku shfrytëzoi një top të bukur dhe përballë portierit, u tregua i saktë.
Ky ishte goli i 15-të i këtij edicioni për Dakun, duke mbajtur vendin e dytë në renditjen e golashënuesve. Megjithatë, Daku ka një precedent në sjellje gjatë Europianit të vitit të kaluar, ku pas ndeshjes me Kroacinë, mori megafonin dhe bëri ofendime ndaj serbëve dhe maqedonasve. Ai u dënua nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje, ndërsa do të shihet qasja që do të ketë këtë herë trajneri i Kombëtares Silvinjo. Pyetja që ngrihet është: A do ta penalizojë ajo sjellje në këtë grumbullim Dakun? Takimi i 7 qershorit nuk është vetëm një ndeshje futbolli, por ka në sfond edhe historinë, tensionin dhe krenarinë kombëtare.

LISTA- Në mbrojtje të gjithë futbollistët janë të gatshëm: Gjimshiti, Ajeti, Hysaj, Balliu, Mitaj, Aliji, Kumbulla, Ismajli, Mihaj, ndërsa në mesfushë Brruti ka lënë një vend bosh. Në ekip pritet të jenë: Pajaziti, Berisha, Shehu, Ramadani, Asllani, Laçi. Sa i përket krahëve, do të shihet nëse Mehmeti dhe Muçi do të kenë vend, ndërsa Bajrami, Asani, Hoxha kanë shanse më të mëdha. Broja, Manaj, Uzuni pritet të jenë, ndërsa Seferi është në dyshim.