Një fluturim i kompanisë japoneze All Nippon Airways (ANA), i nisur nga Tokio drejt Teksasit, është detyruar të bëjë një ulje emergjente në Seattle, pasi një pasagjer tentoi të hapte një nga dyert e emergjencës në mes të fluturimit.
Ngjarja ndodhi të shtunën, kur fluturimi ANA 114 devijoi kursin vetëm disa orë pas nisjes për shkak të, siç u përshkrua nga kompania, “sjelljes së padisiplinuar të një pasagjeri”. Sipas autoriteteve lokale, burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ndodhej në një gjendje krize mjekësore dhe u ndalua menjëherë nga pasagjerët dhe ekuipazhi.
Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Seattle-Tacoma, ai u transportua në spital. Nuk dihet ende nëse do të ngrihen akuza ndaj tij. Ndërkohë, një pasagjer i dytë u përjashtua nga fluturimi për sjellje të papërshtatshme, shkruan BBC.
Avioni arriti në destinacionin final, Houston, me rreth katër orë vonesë. ANA ka vlerësuar reagimin e shpejtë të ekuipazhit dhe autoriteteve amerikane, duke theksuar se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor i kompanisë.
Ky incident vjen mes një sërë rastesh të ngjashme në muajt e fundit. Në prill, një fluturim nga Bali për në Melbourne u kthye pas për shkak të një tentative të ngjashme nga një pasagjer për të hapur derën në ajër, ndërsa në nëntor 2023, një burrë në Korenë e Jugut hapi me sukses derën e emergjencës së avionit pak para uljes, duke shkaktuar panik dhe duke dërguar disa persona në spital.
Ekspertët e aviacionit kanë sqaruar më herët se hapja e derës së avionit gjatë fluturimit është praktikisht e pamundur për shkak të presionit të lartë të kabinës, por tentativa të tilla vazhdojnë të shqetësojnë industrinë e udhëtimeve ajrore.