Ilir Alimehmeti ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve që refuzoi kërkesën e tij për rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës.
KAS e argumentoi vendimin se Kodi Zgjedhor nuk legjitimon kandidatët e një partie që t’i drejtohen këtij organi, por vetëm subjekteve garuese, diçka e cila nuk e ka bindur Alimehmetin. Krahas kërkesës për rinumërimin e kutive, Alimehmeti kërkon nga Kolegji Zgjedhor që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të bërë një kontroll incidental të nenit përkatës të Kodit Zgjedhor dhe rrjedhimisht kushtetutshmërisë së kërkesës.
Disa prej kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Tiranë dyshojnë në manipulime gjatë procesit të numërim të votave.
Kandidatët e listës së hapur iu drejtuan KAS-it me kërkesë zyrtare për të bërë rinumërimin. Por anëtarët e PD në KAS kanë rrëzuar ankimimin e 4 kandidatëve të PD, për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.
Kryedemokrati Sali Berisha tha se ata vepruan sipas ligjit pasi e ndalon Kodi Zgjedhor.
“Këta kandidatë të nderuar kanë ndjekur një rrugë të këshilluar, nuk mund të them pasi përfaqësuesit tanë ua kanë bërë të qartë edhe interpretimin e thirrjes time, që duhet t’i bëjnë nëpërmjet partisë, por brenda platformës së miratuar nga partia.
Në ç’kuptim? Në qoftë se sa partia ka kërkuar paligjshmërinë e zgjedhjeve, e para kërkesë që shqyrtohet është paligjshmëria. Pas kësaj, partia merr dhe paraqet një nga një kërkesat e kandidatëve.
Disa kandidatë që kanë kërkuar rinumërim i kanë depozituar pranë përfaqësuesve të partisë në KQZ dhe presin momentin e vlerësimit që partia ka për X qark dhe pastaj do paraqiten ankesat e tyre.
Edhe për kandidatët e Tiranës, ata u informuan dje përsëri se rruga që kanë ndjekur është një rrugë që nuk ka mbështetje ligjore.
Përfaqësuesit tanë në KAS kanë zbatuar ligjin. Ata nuk mund të votonin për një akt që është hequr me ligji. Këta të katërt kanë të drejtë të depozitojnë ankesën tanë pranë përfaqësuesve tanë në KQZ dhe ata do e paraqesin siç dëshirojnë kërkesën pranë KQZ-së.
Pra, ka qenë vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Në qoftë se nga unë është thënë dy herë se çdo kandidat që mendon se i duhet transparenca, do mbështetet nga partia, duhet të respektojë këtë platformë që ka përcaktuar partia në përputhje me ligjin elektoral”, ka deklaruar Berisha.
Alimehmeti ishte kandidat në listën e hapur të koalicionit opozitar, PD-ASHM, në qarkun e Tiranës. Edhe pse ai siguroi mbi 18 mijë vota, sërish mbeti jashtë Parlamentit.
Njoftimi:
Në datën 03.06.2025, ora 10:00, në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, në adresën: Rr.“Ismail Qemali”, Tiranë, do të hidhet shorti për përcaktimin e trupit gjykues të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, për gjykimin e Ankimit Nr.10 Regjistri Themeltar Dt.02.06.2025 Regjistrimi, me:
ANKUES: Ilir Alimehmeti, kandidat nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike/Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM). I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
OBJEKTI: – Ndryshimin e vendimit nr.83 datë 30.05.2025 të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve1 “Për Mospranim për Shqyrtim të Kërkesës Ankimore Nr.52, datë 29.05.20252, të depozituar nga Z.Ilir Alimehmeti, kandidat për Deputet i Subjektit Zgjedhor Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”;
– Ndryshimin e vendimit nr.1326 datë 24.05.2025 “Për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë, në zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”3;
– Rinumërimin dhe/ose rivlerësimi i votave në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë; – Ndryshimi i rezultatit të tabelave përmbledhëse pas rinumërimit dhe/ose rivlerësimit të votave;
– Si alternativë ndaj mospranimit të kërkesave të mësipërme, dërgimin për kontroll incidental pranë Gjykatës Kushtetuese të nenit 124, paragrafi 1, i Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. BAZA
LIGJORE: Nenet 124, 152, 153 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Neni 145 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Tiranë, më 02.06.2025
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë