PSG ka siguruar këtë të shtunë Ligën e Kampioneve të parë në historinë e klubit, por jo vetëm atë. Paralelisht mundësisë për të fituar edhe Superkupën e Europës në duelin ndaj Totenhemit këtë verë, francezët kanë siguruar që tani edhe një biletë për një turne që zhvillohet pas katër vitesh.
Bëhet fjalë për edicionin e dytë të Botërorit të Klubeve, atë që do të zhvillohet në vitin 2029. Fitueset e Ligës së Kampioneve 2025, 2026, 2027 dhe 2028 siguronin direkt kualifikimin për në aktivitet, pa u shqetësuar për koeficientin e tyre UEFA, sipas rregullores së aktivitetit.
Kësisoj, parisienët bëhen skuadra e parë europiane që siguron biletën për turneun e ardhshëm.
Por ata nuk janë të vetmit, pasi ka edhe skuadra të tjera që kanë prerë biletën e tyre për atë turne. Kruz Azul i Meksikës mundi Vankuverin në finalen e Ligës së Kampioneve CONCACAF duke fituar turneun dhe një biletë.
Al Ahli fitoi Ligën e Kampioneve të Azisë, ndërsa Piramids fitoi atë të Afrikës, duke u bërë kështu të katër fitueset e garave kontinentale, pjesëmarrëse të sigurta të turneut të ardhshëm.