Nga Ajne Ibërhysaj
“Në emër të gjakut” i autorit Ahmet Prençi, nuk është vetëm një përmbledhje tregimesh dhe novelash; është një thirrje, një gjëmë, një përulje përpara së vërtetës së hidhur që përshkroi Shqipërinë në vitin 1997, vitin e krizës më të madhe të pasluftës, vitin e zhveshjes së shtetit, të thyerjes së njeriut dhe të përplasjes mes jetës dhe instinktit për të mbijetuar. Në një kohë kur shumë ngjarje tronditëse të historisë sonë moderne janë lënë në harresë ose janë trajtuar me heshtje të qëllimshme, libri “Në emër të gjakut” i Ahmet Prençit vjen si një akt i fuqishëm i kujtesës, një thirrje e zëshme kundër harresës kolektive dhe një përulje ndaj atyre që u flijuan përballë rrënimit të shtetit dhe strukturave të tij. Autori nuk shkruan nga jashtë, si vrojtues i ftohtë, por si pjesëmarrës dhe dëshmitar i një kohe të çakorduar, i një shoqërie që në vitin ‘97 përjetoi kolapsin më të thellë moral, institucional dhe njerëzor pas diktaturës komuniste. Autori, librin e fillon me një deklaratë të qartë: “Në emër të gjakut është një kujtim, një përulje dhe një zë që s’do të shuhet kurrë.” Kjo fjali nuk është vetëm hyrje stilistike, por edhe një formë betimi. Në frymën e filozofisë ekzistenciale, ku njeriu është përgjegjës për të dhënë kuptim ekzistencës së tij, Prençi i jep kuptim të kaluarës përmes aktit të kujtimit dhe rrëfimit. Ai vendos të flasë për ata që nuk mundën me të tjerët të flisnin. Ahmet Prençi, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, autor i librave “Anja”, “Brenga e Prokurorit”, edhe në këtë libër po ashtu ndërthur përvojën personale dhe dëshminë institucionale me rrëfimin artistik, duke ndërtuar një mozaik letrar dhe dokumentues, ku historia e afërt merr formën e artit letrar. Ai nuk ka zgjedhur një rrugë të lehtë: Të shkruash për një plagë të gjallë kërkon guxim dhe ndershmëri. Por, më shumë se kaq, kërkon edhe dhembshuri. Dhe këtë e gjejmë në çdo rresht të librit. “Në emër të gjakut” është i ndarë në tregime dhe novela ku secila e shton një gur të rëndë në mozaikun e kujtesës. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, Prençi na fton të shohim jo vetëm një të kaluar të afërt, por edhe peshën e asaj tragjedie që ende nuk është tejkaluar. Kjo nuk është letërsi e së shkuarës, por letërsi e një plage që akoma rrjedh. Këto tregime dhe novela flasin për katrahurat e kombit, por në to spikat një dimension tjetër: guximi i individit për t’i dalë zot vendit të tij, jo me fjalë, por me jetën e vet. Për autorin, viti 1997 në Shqipëri nuk është thjesht një datë, por një rrëfim kolektiv i kolapsit moral dhe institucional. Filozofi gjerman Friedrich Nietzsche shkruante se “kur shikon gjatë në humnerë, edhe humnera fillon të shikojë brenda teje”. Këtë e ndjejmë në çdo faqe të këtij libri. Prençi i afrohet asaj humnere të errët që ka qenë dhuna, shteti i rrëzuar dhe drejtësia e zhdukur. Ai e sheh dhe e përshkruan atë, por mbi të gjitha, e bën lexuesin të ndjejë se kjo humnerë ende na shikon me kundërmimin e saj. Në “Pallati presidencial që nuk ra”, autori e përshkruan qartësisht rrezikun e zhdukjes totale të strukturave, por gjithashtu lartësimin e dinjitetit njerëzor si një formë rezistence të vetme. Ndërsa te “Masakra e romëve”, ballafaqohemi me një të vërtetë të hidhur: Kur humbet drejtësia, fillon ligësia të shfaqet pa maska. Janë rrëfime që përshkojnë dramën e një kombi, por që gjithashtu tregojnë se në rrënojat e një shteti të shkatërruar, njeriu mbetet e vetmja fije shprese ose akti i fundit i dhunës. Nëpërmjet tregimeve dhe novelave të këtij libri si: “Në emër të gjakut”, “Ditari i marsit të zi”, “Pallati presidencial që nuk ra”, “Masakra e romëve”, “Emblema e kujtesës”, dhe “Pse më vrave?”, autori rindërton një tablo të thellë të shpërbërjes së shtetit dhe të përpjekjes njerëzore për të mos u shuar shpirtërisht. Këto rrëfime janë zëra që vijnë nga buzë humnerës, ku njerëzit nuk kanë më asgjë për të humbur, por ruajnë akoma një grimë nderi, besimi, dhe përgjegjësie për të mos rënë si kafshë në thikën e një çrregullimi total.
Ne novelën “Masakra e romëve”, autori shkruan: “ mendjen e një banditi gjithmonë mbetet një qelizë e errët, një fije instinkti që nuk shuhet: për hakmarrje ose për marrëzi.” Kjo është pikërisht ajo që Nietzsche përshkruan si vullnet për fuqi jo në kuptimin e dominimit brutal, por në atë të mbijetesës dhe përpjekjes për të krijuar një rend në kaos. Kur shteti mungon, drejtësia ajo më e ftohta dhe më e egra e gjen vetë rrugën e saj. atë moment, populli që s’e pyet askush, vendos vetë të mos shkelet më. Revolta bëhet formë ekzistence. novelën tjetër, “Në emër të gjakut”, Shqipëria përshkruhet si një vend që “ziente”, një vend ku “ajri kishte aromën e frikës dhe të heshtjes së rëndë që pason para se të ndodhë e keqja”. Prençi e sheh këtë jo vetëm si krizë politike, por si çarje ontologjike, morale dhe shoqërore. Një moment thellësisht filozofik është përshkrimi i gruas shqiptare që i thotë burrit të saj: “Unë s’jam më ajo që ke lënë”. Ky është çasti kur përmasat e dhunës nuk janë më vetëm fizike, por shkojnë deri në rrënimin e identitetit. atë botë të rebeluar, sipas Nietzsche-s, vlerat tradicionale zhduken dhe krijohet hapësira për një “rilindje të vlerave të reja” por jo gjithmonë të drejta. Për personazhin kryesor të novela ” emër të gjakut”, gjendja shpirtërore arrin kulmin kur ai thotë: “S’e bëra për hak. Jam bosh. E bëra në emër të gjakut”. Ai nuk ka urrejtje, por një boshllëk ekzistencial që ngjason me konceptin e absurdit tek Albert Camus kur njeriu nuk gjen më kuptim në asgjë dhe veprimi i tij është një akt i fundit i revoltës dhe mbijetesës morale. Ai nuk kërkon drejtësi për hakmarrje, por për të shlyer një mallkim që nuk mund të lejohet të trashëgohet. përmbyllje të kësaj novele, autori shkruan: “Jetojmë në një botë ku burrat flasin me plumba, gratë me heshtje dhe drejtësia ka çmimin e shpirtit”. Kjo është një botë ku e vërteta nuk është më objektive, por një zgjedhje morale. se, siç thoshte Martin Heidegger, “njeriu është qenie për vdekje,” dhe është pikërisht kjo vetëdije që i jep thellësi jetës atëherë të shkruash për jetën në prag të vdekjes është akti më i lartë i përgjegjësisë ndaj të ekzistuarit. Këto janë histori që nuk qëndrojnë vetëm në nivelin e një përshkrimi faktik, por hyjnë në psikiken e individit, në plagët që nuk shihen. Shtëpia pa oxhak, fjala e thyer, njeriu që i lutet Zotit pa e ditur më si, djali që niset për t’u kthyer si hije të gjitha këto krijojnë një atmosferë që lexuesin e përfshin të tërin. Viti 1997, “Ulërima që u shua në letër”, vit i cili për Shqipërinë përfaqëson një plagë të hapur. Rënia e skemave piramidale, përplasja civile, rënia e strukturave shtetërore dhe shpërbërja e rendit publik u kthyen në një spirale dhune, frike dhe anarkie. Prençi përshkruan këtë realitet me një stil lakonik, të matur dhe emocionalisht të ngarkuar. “1997-ta, viti që la Shqipërinë pa frymë; nënat shikonin qiellin pa e ditur se për çfarë t’i luteshin Zotit.” Ky përshkrim nuk është vetëm letrar. Ai është ekzistencial. Shqipëria e asaj kohe nuk është më vetëm një vend pa rend, por një vend pa frymë, pa orientim, pa Zot. këtë boshllëk, njeriu përballet me thyerjen e plotë të kuptimit dhe qëllimit dhe ky është rreziku më i madh që sjell dhuna kolektive: Jo vetëm shkatërrimin fizik, por rrënimin e ndjenjës së përkatësisë dhe shpresës për një të nesërme pa dhunë. “Një tregim nga Varshava”, ku autori rikthen kujtimet e një studenteje të huaj gjatë sistemit dhe martesës së saj në Shqipëri, me përplasjen e shpirtit njerëzor me realitetin brutal. Kjo dëshmi e gjallë na bën të kuptojmë se sa thellë u godit shoqëria dhe sa shumë ëndrra u shuan. Libri i Ahmet Prençit është zëri i grave të atij viti ku në mënyrë të veçantë, autori sjell në qendër të vëmendjes dhimbjen e grave shqiptare: nënat që nuk dinë ç’t’i luten më Zotit, që ngelen me sy nga qielli, pa përgjigje, pa drejtësi. një prej faqeve apo shprehjeve më të fuqishme të librit thuhet: “na shikon qiellin pa e ditur çfarë t’i lutet Zotit.” Është një imazh që bart brenda gjithë tragjedinë shpirtërore të asaj kohe. Jo vetëm për humbjen e jetëve, por për humbjen e besimit te një rend shoqëror dhe etik. Autori nuk e shmang përgjegjësinë, as nuk e zbukuron të vërtetën. Ai e thotë qartë se: “keqja shqiptarëve u vjen nga vetvetja, nga vetë gjaku i tyre.” Dhe në këtë mendim të dhimbshëm, por të ndershëm, qëndron qartësia më e madhe që ofron libri.
Ne thelb, ky libër është një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive në një shoqëri që ka tendencë të harrojë. “Është një ulërimë e shuar në letër,” thotë autori, duke i dhënë librit një dimension metaforik të thellë. Libri nuk është thjesht përshkrim i dhunës, por akt i ripërjetimit të saj, jo për të traumatizuar lexuesin, por për ta ndërgjegjësuar atë. “Është përpjekje për të mbajtur mend kur gjithçka rreth nesh na mëson e na dikton të harrojmë.” Kjo thirrje nuk është vetëm për të mos harruar viktimat, por për të mos lejuar që një realitet i tillë të rikthehet. Për autorin, të shkruarit është një formë e aktit civil, e qëndresës kulturore dhe morale. Një nga linjat më të forta të librit është raporti mes individit dhe shtetit. shumë prej tregimeve të autorit, protagonisti është një qytetar, një polic, një prind një njeri që papritur gjendet vetëm përballë një realiteti të egër ku shteti është zhbë dhe drejtësia është zhveshur nga kuptimi. “Nuk kemi shtet. Nuk kemi drejtësi. Kemi vetëm njëri-tjetrin.” Kjo fjali përmbledh krizën themelore: Njeriu është lënë vetëm, pa institucione, pa garanci, në një hapësirë ku çdo vendim bëhet në bazë të ndjenjës, jo ligjit. këtë përmbysje të vlerave, njeriu përballet me zgjedhjen e madhe: të bëhet një me kaosin, apo të qëndrojë me dinjitet! Shumica e personazheve të Prençit zgjedhin këtë të fundit, duke i dhënë librit përmasën e tij më të thellë: njerëzimi në kohë errësire. Stili i Ahmet Prençit është i matur, i ngjeshur, por jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Ai nuk bie në retorikë, nuk shfrytëzon patetizmin, por ndërton me fjalë të zgjedhura një atmosferë që lë gjurmë te lexuesi. Ka një thjeshtësi që zbërthen kompleksitetin dhe një rrjedhshmëri që ngjall reflektim. “Shtëpia jonë s’ka më oxhak, as zë, as jetë.” Me pak fjalë, autori arrin të përshkruajë një boshllëk ekzistencial. Ai nuk përpiqet që t`na bindë me argumente, por me ndjeshmëri dhe kjo e bën veprën më të thellë se një libër historik apo sociologjik. Është një libër që bën atë që nuk e ka bërë dot sistemi: gjykon padrejtësinë. Jo me urrejtje, por me kujtesë. Jo me dënime, por me rrëfim. Çdo faqe është një formë e hapur e shprehjes: “ja çfarë ndodhi – mos e harroni”. Dhe kjo, në vetvete, është një akt i jashtëzakonshëm në një shoqëri që shpesh ka heshtur përballë të vërtetave të dhimbshme. këtë mënyrë, vepra e tij bëhet më shumë se një akt letrar bëhet një akt etik, një akt qytetar. Është një përkujtimore për ata që u flijuan dhe për ata që mbijetuan me plagë të heshtura. Është një udhërrëfyes për ata që sot kërkojnë të kuptojnë rrënjët e çarjes shqiptare, dhe një paralajmërim për brezat që nuk e kanë jetuar atë kohë. “ emër të gjakut” nuk është libër që lexohet lehtë sepse nuk mund të lexohet pa u ndjerë, pa të dhënë të drejtën të mendosh dhe të kujtosh atë kohë. Është një vepër që nuk flet vetëm për vitin 1997, por për fragjilitetin e njeriut dhe shoqërisë përballë kolapsit institucional. Është një himn për qëndresën dhe një lutje për drejtësi. Për lexuesin shqiptar, ky libër është një thirrje për reflektim. Për brezat e rinj, është një mundësi për të mos e harruar atë, se çfarë ka ndodhur në atdheun e tyre. Për studiuesit dhe kritikët, është një dëshmi letrare e një periudhe që duhet trajtuar jo vetëm me ftohtësi historike, por edhe me ndjeshmëri njerëzore, për të vërtetën. Ahmet Prençi nuk shkruan për të fituar zemrat e lexuesve, por për të zgjuar ndërgjegjen e tyre. Libri “ emër të gjakut” nuk është një libër që lexohet lehtë por është një libër që duhet lexuar. Ai nuk kërkon keqardhje, por reflektim. Nuk kërkon lavdërim, por drejtësi. Dhe kjo e bën librin e tij një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare bashkëkohore që merret me tragjeditë e kombit në mënyrë të ndershme, të thellë dhe njerëzore. Edhe vet titulli i librit “ emër të gjakut” në kontekstin e Ahmet Prençit, ai përfaqëson kujtesën, përgjegjësinë dhe ndëshkimin moral që mungon nga institucionet e shtetit. Ai shfaqet si një etikë individuale, një nevojë për të lënë gjurmë në një vend ku e vërteta mbulohet: “si bora mbi varre – mbulon gjithçka por nuk ngroh asgjë.” Këtë recension të librit e përfundoj me një thënie që përmbledh më së miri thelbin nga autorja Isabel Allende: “Vdekja nuk ekziston, njerëzit vdesin vetëm kur harrohen; se mund të më mbani mend, unë do të jem gjithmonë me ju.” Atëherë sipas autorit A. Prençi, “jo çdo plagë kërkon drejtësi”. Dhe krejt në fund ky libër është një dëshmi e fortë për brezat e ardhshëm, sepse ata duhet të mësojnë nga e kaluara e tyre, për ta ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe humane për atdheun e tyre.