SPAK pushoi hetimet ndaj kryebashkiakut të Hasit, Miftar Dauti, i cili ishte denoncuar nga dy kallëzues anonimë se nuk kishte shkruar në formularët e dekriminalizimit një dënim të dhënë gjatë diktaturës.
Në aktet e dorëzuara Gjykatës së Posaçme, të cilat TCH i disponon, prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që gjatë vjeshtës 2024 refuzoi t’i heqë mandatin funksionarit të Bashkisë Has.
Kryebashkiaku, i cili gjatë komunizmit ishte internuar bashkë me familjen në Berat, u largua nga qendra e internimit dhe kjo solli arrestimin e tij dhe dënimin me katër muaj burg në repartin e Martaneshit. Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, kujton një ligj të vitit 1991 për pafajësinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe përndjekurve politikë, ku thuhet se “janë të pafajshëm dhe quhen të padënuar për efekte morale, politike dhe ekonomike të gjithë personat e dënuar për krime politike”.
I denoncuar në SPAK se kishte falsifikuar dokumentet duke mos treguar dënimin, kryebashkiaku megjithatë është pyetur nga SPAK, që njëherazi gjatë kësaj kohe ka administruar një sërë shkresash të tjera, të cilat i kanë krijuar bindjen se çështja duhet mbyllur pa akuzë dhe pa ndjekje penale.
Dauti shprehet se ishte internuar në moshën 18-vjeçare familjarisht në vitin 1986, kohë gjatë të cilës ai i shkroi 19 letra Kuvendit Popullor me pyetjen: “Pse isha internuar?”. Dauti shprehet më tej para prokurorit se, në kushtet kur nuk mori përgjigje, vendosi të refuzojë zgjedhjet e përgjithshme të kohës në vitin 1987. Ndaj këtij veprimi, thotë më tej kryebashkiaku, iu ngrit akuza e largimit nga vendi i internimit, sepse mosvotimi nuk parashikohej si krim në atë kohë.
Megjithatë, prokurori ka kryer edhe kërkime të tjera duke pyetur përmes Interpolit nëse ky shtetas kishte apo jo dënime të tjera, prej nga ku ka marrë përgjigjen se 58-vjeçari nuk ka asnjë rekord kriminal.
Në përfundim, prokurori thotë se dënimet politike të dhëna gjatë regjimit komunist konsiderohen inekzistente për legjislacionin aktual dhe se ligji i vitit 1991 nuk ka vetëm efekte ligjore, por edhe morale. Kjo do të thotë, shton prokurori Gokaj, se “vendimet gjyqësore me karakter politik të dhëna nga një regjim diktatorial, despotik, totalitar dhe tiranik, konsiderohen të paqena për shtetin demokratik dhe të së drejtës. Sa më sipër, shtetasi Miftar Dauti nuk ka asnjë detyrim ligjor për të deklaruar një dënim të dhënë gjatë regjimit komunist.”