Një moment thellësisht prekës ka ndodhur në Spitalin Universitar të Patras, ku mjekët kanë nderuar në heshtje 14-vjeçarin Spiros, i cili humbi jetën tragjikisht në lumin Arahthos, teksa përpiqej të shpëtonte shokun e tij 12-vjeçar.
Sipas ERT News, pak para fillimit të procedurës për heqjen e organeve të tij, stafi mjekësor qëndroi në heshtje dhe në nderim përpara tavolinës së operacionit, një gjest që shpreh tronditjen e thellë për humbjen e dy të miturve, si dhe respektin për prindërit që vendosën të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre, duke dhënë jetë të re për të tjerë.
Procesi i heqjes së organeve të 14-vjeçarit nisi në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe përfundoi në mesditë. Veshkat dhe mëlçia e tij u dërguan në Spitalin “Laiko” në Athinë dhe në “Ippokrateio” në Selanik për transplantim te pacientë në nevojë. Zemra dhe mushkëritë nuk u konsideruan të përshtatshme për transplantim, ndërsa më vonë u krye edhe heqja e kornesë së syve, të cilët po ashtu do të dërgohen në spitale në Athinë dhe Selanik.