Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka refuzuar një plan të paraqitur nga Izraeli për të eliminuar liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Sipas Reuters, Trump e hodhi poshtë propozimin duke thënë se nuk kishte asnjë arsye për të synuar udhëheqësinë politike iraniane, për aq kohë sa Teherani nuk kishte ndërmarrë sulme vdekjeprurëse ndaj qytetarëve amerikanë.
“A kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Derisa të ndodhë kjo, ne as nuk e diskutojmë goditjen e udhëheqjes politike,” tha një nga zyrtarët amerikanë për Reuters.
Në anën tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i pyetur për ekzistencën e një plani të tillë, refuzoi të komentojë.
“Nuk do të hyj në këtë temë,” tha shkurt Netanyahu, duke lënë të hapur pyetje të shumta mbi rolin dhe qëndrimin e Tel Avivit në këtë çështje.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shërben si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe kontrollon Gardën Revolucionare. Ai ka fjalën e fundit për të gjitha politikat kryesore në vend.