Një vajzë 3-vjeçare ka rrezikuar jetën pasi ka gëlltitur 62 rruaza magnetike. E mitura u dërgua me urgjencë nga prindërit në Spitalin Pediatrik, ku mjekët zbuluan përmes grafisë sasinë e pazakontë të trupave të huaj në stomak.spitali pediatrik
Duke folur për rastin, mjeku gastrohepatolog Virtut Velmishi tregoi për procedurën e ndërlikuar që i shpëtoi jetën vogëlushes.
“Vajza mbërriti rreth orës 22:00 dhe nga mjeku i turnit më është referuar grafia. U evidencua një konglomerat sferash magnetike. Ajo kishte gëlltitur rreth 62 sfera magnetike, të cilat mund të dëmtonin rëndë traktin digjestiv dhe të rrezikonin jetën e fëmijës,” – u shpreh Dr. Velmishi.
Sipas tij, ky është një rast unik për nga sasia e madhe e objekteve të gëlltitura. Megjithëse paraqiste vështirësi të mëdha, ekipi mjekësor arriti t’i nxjerrë rruazat përmes një procedure endoskopike, duke shmangur kirurgjinë.
“Mendoni një stomak sa një portokall, ku duhet të heqësh një masë të madhe sferash magnetike. Endoskopia dhe ezofagu i një fëmije nuk e lejojnë lehtë këtë. Ia dolëm t’i ndajmë në katër pjesë dhe, me një kosh endoskopik, arritëm ta kryenim me sukses procedurën. Fëmija u shpëtua nga ndërhyrja kirurgjikale dhe brenda ditës u kthye në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore,” – shtoi ai.
Edhe pse rasti përfundoi me sukses, mjekët bëjnë apel për më shumë kujdes ndaj fëmijëve, sidomos atyre të moshës 1-3 vjeç. Rastet e urgjencave për shkak të gëlltitjes së objekteve të huaja janë të përditshme.
“Duhet treguar kujdes i veçantë me bateritë në formë pulle. Ato janë shumë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë djegie të ezofagut brenda vetëm dy orësh,” – paralajmërojnë mjekët.