Afate më të shkurtra për ndërrimin e operatorit të numrit apo rimbursim të krediteve të papërdorura, janë disa nga risitë që synohet t’i shtohen zbatimit të portabilitetit të numrit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka miratuar për këshillim publik një projekt-rregullore të re për zbatimin e portabilitetit të numrit.
Në periudhën 2020-2024 është vënë re një rritje ndjeshme e numrit të ankesave të qytetarëve të lidhura me ndërrimin e kompanisë celulare, por duke ruajtur numrin, si dhe një rritje e përqindjes së kërkesave të refuzuara nga operatorët celularë. Për rrjedhojë, AKEP ka vendosur të bëjë disa ndryshime të reja.
Nëse qytetari e ka ndërruar operatorin dhe ka sërish dëshirë që ta ndërrojë e të marrë shërbimet e operatorit të mëparshëm, ai mund ta bëjë këtë vetëm pas 3 muajsh që ka bërë ndërrimin e fundit të operatorit të numrit. AKEP propozon që edhe ata persona të cilët e kanë ndërruar kompaninë celulare për herë të parë ose i është çaktivizuar numri, të presin 3 muaj para se të bëjnë një ndërrim të ri.
Qytetari që ka ndërruar kompaninë me të cilën e ka numrin, ka të drejtë të kërkojë rimbursim për kreditin e papërdorur nga kompania e mëparshme celulare. Fillimisht, ai duhet të dorëzojë një kërkesë brenda 14 ditëve nga data e ndërrimit të kompanisë celulare.
Pas marrjes së kërkesës, operatori duhet të vendosë në dijeni qytetarin brenda 3 ditëve pune mbi sasinë e kreditit të rimbursueshëm, tarifat administrative dhe mënyrat e mundshme të rimbursimit.
Kompania celulare mund të aplikojë një tarifë prej 500 lekësh me TVSH për realizimin e rimbursimit. Rimbursimi duhet të përfundojë brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, tarifë e cila zbret nga shuma e kreditit që do të rimbursohet.
Ndërkohë, ndërrimi i kompanisë celulare duhet të përfundojë brenda 1 dite pune. Kompania celulare ka detyrim të kompensojë pajtimtarin për vonesat ose abuzimet e kryera në procesin e portimit të numrit.
Në vitet e fundit është vënë re një reduktim i ndjeshëm i sasisë së numrave të portuar dhe në vitin 2024 u portuan 19,452 numra celularë dhe 173 numra fiks, që përbën një reduktim me 50% të portimeve në krahasim me vitin 2023, si dhe nivelet më të ulëta historike të sasisë vjetore të numrave të portuar prej fillimit të zbatimit të portabilitetit të numrit në Shqipëri.
