Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Sipas parashikimeve, orët e para të ditës do të karakterizohen nga mot kryesisht i kthjellët, ndërsa pas mesditës pritet një shtim i vranësirave, veçanërisht në zonat malore të lindjes dhe juglindjes së vendit.
Reshjet e shiut do të nisin gradualisht gjatë mesditës në pjesën më të madhe të territorit me intensitet të ulët.
Megjithatë, në zonat lindore dhe juglindore parashikohen reshje me intensitet mesatar, në formën e shtrëngatave të shkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht edhe breshër. Gjatë orëve të mbrëmjes, reshjet pritet të dobësohen dhe të ndërpriten gradualisht.
Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me një shpejtësi mesatare prej 5 m/s, ndërsa në lugina dhe zona bregdetare mund të arrijë deri në 10 m/s.
Deti do të jetë i qetë, me valëzim të ulët, në nivelin 1 deri në 2 ballë.

