Nga Sidi Hasanaj
Çdo ditë që kalon, teksa rinumërimi i kutive për Tiranën vazhdon dhe ai për Dibrën ka përfunduar, një gjë bëhet gjithnjë e më e qartë: rezultatet janë, në thelb, të sakta. Po, ka pasur gabime, por ato janë brenda normales, brenda asaj që ndodh kur njerëzit numërojnë me orë të tëra nën lodhje. Jo brenda ndonjë skeme të errët apo mashtrimi masiv.
E megjithatë, një pjesë e klasës politike , sidomos opozita dhe lideri i saj historik , vijojnë të shesin një histori të pabesueshme: “treni bullgar”.
Një narrativë që, po të mos ishte tragjikisht absurde, do të ishte komike. Qindra mijëra qytetarë, sipas kësaj fantazie, hyjnë në qendrat e votimit me fletë të mbushura dhe dalin me të pastra për t’i ricikluar më vonë. Dhe e gjithë kjo ndodh dhjetëra mijëra herë, pa u vënë re nga asnjë prej mijëra komisionerëve të opozitës që ndodheshin në çdo qendër votimi.
Kjo nuk është vetëm marrëzi. Kjo është tallje me vetë zgjedhësit e opozitës. E më pas vijon tallja tjetër, kur drejtues të PD-së thonë se komisionerët e tyre “u shitën” te Rama. Pra, o janë të paaftë, o janë të korruptuar. Ose të dyja.
Sikur të mos mjaftonte kjo, vazhdojnë akuzat për “banda që kërcënuan votuesit” dhe “vranë lirinë” e qytetarëve.
Po në Tiranë, ku PD humbi çdo kuti votimi, kush i kërcënoi mësuesit, mjekët, profesionistët, familjarët e kryeqytetir? Kush?
Nëse duam të flasim për bandat , le të flasim seriozisht.
Po, bandat ekzistojnë, dhe janë integruar prej vitesh brenda Partisë Socialiste. Por roli i tyre nuk është ai që përshkruan opozita. Ata nuk rrahin njerëz për t’i detyruar të votojnë. Ata nuk përhapin frikë në rrugë. Ata bëjnë diçka shumë më efektive dhe shumë më e vështirë për t’u luftuar: blejnë besnikëri përmes favoreve.
U ofrojnë njerëzve punë në bizneset e tyre, zgjidhin halle të tyre përmes lidhjeve dhe peshës që kanë te Rama, ndërhyjnë kur shteti nuk funksionon. Dhe në këmbim kërkojnë… votën.
Ky nuk është presion. Është klientelizëm i pastër, që funksionon veçanërisht mirë tek votuesi i lodhur, indiferent, ai që nuk ka shpresë te opozita për ndryshim, por as inat me qeverinë, përkundrazi konformohen me sistemin e Edi Ramës.
Votuesi që i shikon opozitën si zgjatim të Pushtetit.
Ndaj, në vende si Elbasani, nuk është aspak çudi që një kandidate anonime si Sara Mile mori më shumë vota se një eksponent i lartë si Taulant Balla në 2021. Sepse në atë garë nuk ishte PS kundër opozitës, por klanet brenda PS-së kundër njëri-tjetrit. Por PS nuk morri më shumë vota se para 4 viteve, përkundrazi, sepse banda e Suel Çelës nuk stepi qytetarët që kërkonin rrëzimin e Ramës, por bëri biznes politik me socialistët e elbasanit, dhe votuesi votoi sipas interesit lokal, jo sipas bindjes politike.
Edhe në burgun e Elbasanit, ku Sara Mile mori një rezultat rekord , nuk ishte frika që votoi, por besnikëria ndaj shokëve. Një transaksion i qartë: votë për ndihmë nesër. Politika në formën e saj më të zhveshur: pa ide, pa projekt, vetëm interes.
Në Tiranë kjo mënyrë funksionimi nuk ka efekt. Aty opozita humbi jo nga bandat, por sepse nuk Berisha nuk është ofertë. Dhe madje, në zona si Vora, ku pretendonte se votat u shtrembëruan nga “Xhabaftët”, në fakt PD shkoi në skenën e krimit të saj, në Gërdec!
Një parti që zgjodhi të fuste në garë figura të Gërdecit. Figura që, për shumë njerëz, simbolizojnë dështimin, korrupsionin dhe tragjeditë e së shkuarës.
Si mund të thuash “ndryshim”, kur fytyra jote është po ajo që shqiptarët kanë ndëshkuar një herë?!
Ndaj, ajo që po ndodh sot nuk është më një garë politike. Është një teatër i përditshëm, një spektakël i zhurmshëm me akuza pa prova, me “trena bullgarë” imagjinarë dhe me viktimizim të pafund.
Por ky teatër po luhet për të mbuluar një heshtje shumë më të rëndë:
Heshtjen e opozitës përballë çështjeve të mëdha që po e rrënojnë Shqipërinë.
Çdo javë legalizohet një kullë. Shpallen resorte të reja me VKM. Shfaqen investitorë “misteriozë” që ndërtojnë qiellgërvishtës në tokë publike, në qendër të qyteteve, në vend të shkollave, të kinostudieve, të hapësirave publike.
Dhe ndërkohë, opozita… hesht.
A është opozita një juri që mat bukurinë e kullave? Jo. Është (ose duhet të jetë) gardiania e demokracisë. Dhe në një vend si Shqipëria, demokracia nuk vritet më me tanke, por me pasuri të paligjshme, me pronë të rrëmbyer, me treg të deformuar.
Kush po i financon këto kulla? Me çfarë lekësh? Me konkurrencë të ndershme në treg të lirë, apo me lidhje okulte me Ramën?
A janë investitorë realë apo fasada të pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit?
A ka reaguar ndonjëherë PD për ndërtimin e kullës përballë Bankës së Shqipërisë? A ka kërkuar transparencë për investitorët?
A ka komentuar akuzat që thonë se pas saj dhe dy prej kullave më të larta të Tiranës fshihet djali i liderit të saj historik?
Mali i Tiranës. Kulla te Bulevardi i Ri. Kulla përballë Bankës… Të tria të përfolura. Dhe opozita nuk thotë asgjë.
Po për “shkollën me kullë” te 1 Maji …a e ka dëgjuar kush PD-në të flasë?
Jo për formën, por për thelbin: për pazarin e madh urbanistik që mund të fshihet pas saj. Për emra si Mond Leka. Për marrëveshje të heshtura që mund të lidhin Ramën me investitorët, dhe ndoshta edhe opozitën me pjesën e vet të interesit.
Dhe ky është problemi më i madh:
Kjo heshtje është më e frikshme se çdo “tren bullgar”.
Sepse nuk vjen nga frika. Vjen nga bashkëpunimi.
Vjen nga një opozitë që nuk është më kundërshtare e pushtetit, por pjesë e sistemit.
Një opozitë që nuk denoncon, sepse përfiton. Nuk sheh, sepse është pjesë. Nuk guxon, sepse nuk do të ndryshojë asgjë.
Në këtë teatër që luhet çdo ditë, PD jo vetëm që nuk është viktima e kurrsesi antagonistja, por PD është bashkëregjisore… Treni i vërtetë që shkatërron demokracinë nuk është treni fantazëm bullgar, por treni kësaj klase politike ku Rama qëndron në lokomotivë dhe Berisha në vagonat pas!