Në datën 23 qershor 2025, të hënën, në orën 11:00, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të mbahet ceremonia e promovimit të romanit më të ri të shkrimtarit dhe diplomatit të njohur, Arben Çejku, me titull “Kandidati për Kandidat”.
Ky event organizohet nga Shtëpia Botuese “Mediaprint”, botuese e librit, dhe synon të prezantojë një vepër letrare të veçantë, e cila dallon për stilin satirik, tematiken e thellë dhe qasjen kritike ndaj realitetit politik në Shqipëri.
Romani trajton në mënyrë artistike dhe ironike realitetin e brendshëm të politikës dhe demokracisë në partitë shqiptare. Në qendër të historisë qëndron figura e një juristi pa emër, i cili përpiqet të sjellë integritet dhe idealizëm në jetën politike, por përballet me një sistem të mbushur me zhgënjime dhe kontradikta. Përvoja e tij shfaqet si një udhëtim nëpër labirintet e mekanizmave të pushtetit dhe interesave, ku idealet përplasen me realitetin e hidhur.
Me mjeshtri narrative dhe humor të hollë, autori evidenton çështje të ndjeshme si mungesa e meritokracisë, deformimi i garës politike, kultura e emërimeve dhe kriza e besimit në përfaqësim. Personazhe të shumtë, si Mimoza Lastari, Qetësor Bubullima, Pajtim Karari, Drejtim Kthesa, Fjolla Tymi, Puhiza Fresku, Lule Shqerra, Breg Kodra, Tomorr Erzeni dhe Qendrim Fluturaku, përbëjnë një galeri simbolike që kombinon humorin me tragjikomiken, duke sjellë një frymë të re në letërsinë shqipe.
Romani kujton në stilin ironik rrëfimet e Faik Konicës, duke u vendosur në kontekstin bashkëkohor të Shqipërisë, dhe ofron një ftesë për reflektim mbi tranzicionin politik e shoqëror të vendit pas mbi tri dekadash. Përmes alegorisë dhe ironisë, “Kandidati për Kandidat” ngrit pyetje thelbësore për të ardhmen e partive politike dhe demokracisë shqiptare.
Ju ftojmë të merrni pjesë në këtë promovim të veçantë, ku do të prezantohet kjo vepër e rëndësishme letrare dhe do të hapet diskutimi mbi temat që ajo trajton..