Kreu i Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj, ka bërë me dije se Aeroporti i Vlorës do të përdoret edhe për qëllime ushtarake, përveç atyre civile. Sipas tij, ky është një hap drejt zhvillimit të aviacionit në Shqipëri si një industri më e gjerë.
Ethemaj theksoi se me hapjen e shkollave ushtarake dhe civile, si dhe përfshirjen e organizatave të mirëmbajtjes, do të rritet cilësia dhe kapaciteti i sektorit. Ai shtoi se nuk ka rëndësi nëse është aeroporti i Vlorës apo ai i Rinasit, pasi të dy do të jenë pjesë e një infrastrukture të përbashkët për zhvillimin e aviacionit civil dhe ushtarak në vend.
Lidhur me Aeroportin e Gjirokastrës, Ethemaj tha se projekti është në fazë të avancuar dhe do të sjellë përfitime për udhëtarët, duke shtuar konkurrencën në treg.
Ai përmendi gjithashtu se çmimet e biletave në Shqipëri janë ndër më të lirat në rajon, dhe se qasja e popullsisë në aeroportet shqiptare është rritur ndjeshëm. Nga 6.7% në vitin 2018, kjo shifër arriti në 42% vitin e kaluar, ndërsa këtë vit synohet të kapë 47%.
“Deri në vitin 2042, numri i pasagjerëve pritet të dyfishohet,” deklaroi Ethemaj, duke theksuar synimin për ta bërë udhëtimin ajror të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.