HomeAktualitetLibri “Në emër të gjakut”, ministrat flasin si miq të autorit, Manja:...

Libri “Në emër të gjakut”, ministrat flasin si miq të autorit, Manja: Testament moral, thirrje për drejtësi! Hoxha: Gurthemeli për policinë

Në promovimin e librit ”Në emër të gjakut” i Ahmet Prençit organizuar nga shtëpia botuese Media Print të pranishëm ishin dhe dy ministra të kabinetit Rama, Ulsi Manja dhe Ervin Hoxha, përkatiësisht i Drejtësisë dhe Brendshëm. Në këtë takim ku ata patën mundësinë të flasin, të dy protagonistët e këtij shkrimi por dhe të aktivitetit ku mbajtën fjalën që në krye të herës theksuan faktin se ishin në atë promovim si shok të mirë të Ahmet Prençit njohur shumë vite me parë si dhe bashkëpunuar për rrethana pune. E kush më mirë se ata do të mundnin që në fjalët e tyre të sillnin para të pranishmëve në sallën e mbushur plot Ahmet Prençin si garant i zbatimit të ligjit, si shtetar por dhe si shok, mik e qytetar.
Asnjëri prej tyre as mori përsipër të flas për krijimtarinë letrare të të z.Prençi duke iua lënë të tjerëve në sallë ta bënin këtë ekzaminim, por sigurisht që si lexues të librit, të një botimi pse jo dhe provokues ata folën dhe theksuan rëndësinë e mos përsëritjeve të ngjarjeve të ’97 si dhe reflektim nga e gjithë shoqëria.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij gjatë promovimit të librin e tij më të ri të titulluar “Në emër të gjakut” e quajti Ahmet Prençin ‘si një njeri që nuk është strukur kurrë pas funksioneve zyrtare; si një njeri që ka ditur gjithmonë të mbajë mbi supe jo vetëm barrën e një detyre shtetërore, por edhe peshën e ndërgjegjes njerëzore dhe që gjithmonë ka hyrë në zemër të problemeve me shpirt e me ndërgjegje’. Teksa ndalet te libri, ai thotë se “Në emër të gjakut” është një thirrje për drejtësi, një kujtesë për të vërtetën, për ndërgjegjen.
Fjala e ministrit Manja: 
Kur Ahmeti më solli ftesën për prezantimin e librit, me atë thjeshtësinë e tij më tha: “Nëse dëshiron të mbash një fjalë, më thuaj.” Pasi e mbarova së lexuari me një frymë librin, të nesërmen i telefonova dhe i thashë: “Thuaji Monikës që dua të mbaj një fjalë në prezantimin e librit të enjten.”
Nuk doja të më ikte ky rast pa i thënë të vërtetat e mia për Ahmetin. Përjetimet e tij në librin “ Në emër të gjakut “, sikur më liruan mendimet e bllokuara nga harresa e kohës dhe ma bënë më të lehtë për të gjetur fjalët e duhura.
Unë jam lexues i hershëm i librave të Ahmetit, por sot nuk do të flas për shkrimtarin Ahmet Prençi. Dua të ndaj me ju portretin e një njeriu që e kam mik, koleg dhe bashkudhëtar në rrugët më të vështira dhe më sfiduese të shërbimit tim publik. Kam ardhur për të folur për Ahmet Prençin – si një njeri që nuk është strukur kurrë pas funksioneve zyrtare; si një njeri që ka ditur gjithmonë të mbajë mbi supe jo vetëm barrën e një detyre shtetërore, por edhe peshën e ndërgjegjes njerëzore dhe që gjithmonë ka hyrë në zemër të problemeve me shpirt e me ndërgjegje.
Unë me Ahmetin kemi mbi dy dekada që njihemi. E kam njohur në kohë të vështira për Shqipërinë, në situata kur drejtësia nuk ishte thjesht çështje ligji, por çështje morali.
Por, siç thuhet shpesh – njerëzit i njeh më mirë nga puna sesa nga koha.
Dhe unë figurën e Ahmetit e kam njohur tamam pikërisht nga puna e përbashkët me të, në një prej periudhave më sfiduese për shtetin dhe për jetën publike në Shqipëri: në vitet 2003–2007, kur ai drejtonte Policinë e Shkodrës, ndërsa unë Prokurorinë e Rrethit. Ishin vite me tension, me ngjarje tronditëse, me sfida të përditshme. Vite të vështira, me ngjarje që të shkundnin shpirtin dhe vinin në provë karakterin e njeriut. Dhe karakteri i Ahmetit binte në sy menjëherë: ndershmëri pa kushte, përkushtim pa orar dhe një ndjeshmëri njerëzore që sot rrallë e gjen te dikush në postet e ashpra të zbatimit të ligjit. Ai nuk ishte thjesht një drejtues i zoti; ishte një njeri që dinte të dëgjonte, të kuptonte, të vuante me viktimat dhe të revoltohej përballë së keqes.
Nuk është rastësi që Ahmeti sot ka zgjedhur të shkruajë për një kohë të shkuar , për një kohë të marrëzisë sonë kolektive, ku shteti ra sa hap e mbyll sytë, dhe  njeriu  u gjend “vetëm me zotin dhe me  katundin” – do të thoshte një mik i imi dhe i Ahmetit në Dibër. Nuk është rastësi as titulli i këtij libri: “Në emër të gjakut.” Sepse ai nuk shkruan vetëm për të bërë letërsi. Shkruan për të dëshmuar. Shkruan për të treguar të vërtetat që shpesh harrohen. Për të sjellë para nesh pasqyrën e errët të dhunës, krimit dhe tradhtisë, por edhe reflektimin mbi forcën e drejtësisë, mbi errësirën që sjell mungesa e saj, mbi shpirtin e njeriut dhe mbi detyrimin që të gjithë kemi për një shoqëri më të mirë.

Ahmeti nuk shkruan për të zbukuruar realitetin. Ai shkruan për ta pasqyruar atë në mënyrën më të ndershme, më të thellë dhe më njerëzore. Shkruan për t’i dhënë zë kujtimeve të punës së tij, të punës sonë, të punës së të gjithë njerëzve të ndershëm në shërbimin publik – kujtime që nuk duhen harruar kurrë. Shkruan për të ndriçuar ato skuta të errëta të shoqërisë sonë, ku dhuna, krimi dhe padrejtësia shpeshherë kanë tentuar të bëhen normë.
“Në emër të gjakut” është një thirrje. Një thirrje për drejtësi. Një kujtesë për të vërtetën. Një dëshmi që vjen jo nga distanca, por nga dikush që ka qenë aty, në terren, në përballje të drejtpërdrejtë me të keqen – nga sytë e një njeriu që ka parë shumë, por nuk është mësuar kurrë me të keqen. Përkundrazi – e ka luftuar me çdo mjet të ligjshëm dhe me gjithë forcën e ndërgjegjes së tij. Ky libër është një thirrje për ndërgjegje. Dhe për këtë arsye, është më shumë se një libër – është një testament moral.
Kur lexon “Në emër të gjakut”, e kupton menjëherë se monologu që zhvillohet në mendjen e Nuriut, personazhit kryesor të tregimit, dhe dilemat e tij mes hakmarrjes dhe drejtësisë, në fakt janë lëmshi që tirret vazhdimisht në mendjen e shkrimtarit Ahmet Prençi – dhe lehtësisht kuptohet që Ahmeti vetëdeklarohet në anën e drejtësisë dhe jo të vetëgjyqësisë. Ahmeti, me gojën e subjekteve të tij në tregim, pyet: A është hakmarrja drejtësi apo vetëm një plagë e re me emër tjetër?
Dhe përgjigjen autori e jep mjeshtërisht kur thotë:
“… Po kur gjaku hidhet në tokë, ai nuk shuhet. Ai kërkon gjak tjetër. Por unë s’pashë drejtësi. Pashë vetëm një tjetër trup të tërhequr zvarrë.”
Unë do të thoja që ky libër është një pasuri. Jo vetëm për ne që e njohim autorin, por për çdo lexues që kërkon të kuptojë më mirë errësirën e shoqërisë sonë dhe dritën që sjell guximi dhe ndershmëria. Ai na kujton se asgjë nuk duhet harruar. Se gjithmonë, gjithmonë ka vlerë të “rrnohet për me tregue” – siç thoshte At Zef Pllumi.
Ahmeti nuk ka ndryshuar me kohën. Është i njëjti: i qetë, i kthjellët, i ndershëm, i matur por dhe i guximshëm kur duhet. Sot, si Komisioner për Parandalimin e Torturës në Avokatinë e Popullit, ai mban mbi supe një barrë të ndjeshme – mbrojtjen e atyre që nuk kanë zë, që janë të mbyllur, të pambrojtur, që janë në besë të shtetit – në burgje. Dhe ai është njeriu i duhur për atë vend. Sepse dinjiteti është fjala kyçe që e përshkruan më mirë Ahmetin, që ka ditur gjithmonë t’i thotë të bardhës – e bardhë, dhe të zezës – e zezë.
Ndërsa për mua, Ahmeti është më shumë se një mik – është një zë i arsyes dhe një këshilltar i paçmuar në çdo moment kur kërkohet maturi, përgjegjësi dhe besim te e mira e përbashkët.
Në një kohë kur fjalët shpesh humbasin peshën, ai vijon të dëshmojë se shërbimi publik, ndershmëria dhe njerëzorja nuk dalin kurrë nga moda. Jam krenar që ndaj me të jo vetëm kujtime profesionale, por edhe bindjen se ky vend mund të bëhet më i mirë – duke filluar nga vetja. Më shumë se kaq, jam krenar që e kam mik – një mik që nderon fjalën njeri, që nderon fjalën shërbim publik dhe që sot nderon edhe fjalën shkrimtar, sepse ka ditur të flasë me ndershmëri, me ndjenjë dhe me përgjegjësi.
Faleminderit, Ahmet.
Faleminderit për gjithçka që ke bërë dhe për gjithçka që vazhdon të bësh.
Faleminderit që nuk hesht, por shkruan.
Që nuk heq dorë, por dëshmon.
Që nuk ndryshon, por mbetesh njësoj – i drejtë, i ndjeshëm dhe i guximshëm.
Shkruaj e mos u ndal; shkruaj për vete, për ne miqtë e tu dhe për çdo shqiptar të mirë e të ndershëm, që ngrihet pa zbardhur dita dhe bie në orët e vona të natës, që e ka ndarë mendjen të jetojë dhe të ndërtojë të ardhmen e familjes dhe të fëmijëve të tij në këtë vendin tonë, të bekuar nga Zoti me të gjitha të mirat, por që ka nevojë për shumë e shumë njerëz të mirë, të ndershëm dhe patriotë – si vëllai im, Ahmet Prençi!

Edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili mori pjesë në promovimin e librit “Në emër të gjakut” të Ahmet Prençit. Hoxha tha se ky libër vjen si rrëfim i fuqishëm për një nga vitet më të errëta të historisë sonë jo të largët, 1997-ën.
“Një vit ku shteti u drodh deri në palcë, por nuk u rrëzua edhe falë burrave e grave me uniformë që zgjodhën të qëndrojnë. Ky libër nuk është vetëm letërsi. Është një testament i jetuar, kujtesë për ata që ranë në krye të detyrës dhe për ata që mbijetuan me plagë në shpirt e në trup”, tha ai. Sipas Hoxhës, Ahmet Prençi nuk shkruan si spektator, por si dëshmitar dhe pjesëmarrës në atë kohë të vështirë. “Ai i jep zë një brezi që mbajti mbi supe barrën e kaosit, të dhimbjes dhe të sakrificës. Në çdo faqe, ndjeshmëria njerëzore ndërthuret me mësimin institucional, pa Polici profesionale, pa institucione të forta, pa kujtesë kolektive, historia mund të përsëritet. Dhe askush prej nesh nuk do të dëshironte më një vit si ai”, pohoi Hoxha. Ministri Hoxha në fund të fjalës së tij, falënderoi autorin, ndërsa shtoi se “libri është një gur në themelin e asaj që duhet të jetë Policia e Shtetit, trupë e ndershme, humane, profesionale dhe e palëkundur”. “Kujtesa është përgjegjësi dhe detyrim. “Në emër të gjakut” na e kujton këtë me forcën e fjalës dhe me dhimbjen e së shkuarës”, tha Hoxha.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular