HomePolitikeRama intervistë për “The Guardian”: Nga plani i Starmer për emigrantët, te...

Rama intervistë për “The Guardian”: Nga plani i Starmer për emigrantët, te anëtarësimi i Shqipërisë në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për median ndërkombëtare “The Guardian“.

Rama u shpreh se plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendrat e kthimit” në vendet e treta, tregon se Britania pas Brexit-it, është “në një vend shumë të errët”.

Për kreun e qeverisë, ideja që Britania e Madhe të donte të “kërkonte vende për të larguar emigrantët”, ka qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.

Rama, i cili është i njohur për pikëpamjet e tij të hapura dhe kontradiktore, shprehu zhgënjim për nivelin e diskursit publik në Mbretërinë e Bashkuar. “Si një anglofol i përkushtuar, tha ai, ishte e vështirë ta pranonte këtë”, shkruan The Guardian.

“80%e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që para Brexit do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme”, tha ai.

Vizita e Starmer në Shqipëri në maj, e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik, kishte si qëllim vendosjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel më të lartë. Teksa ndodhej në Tiranë, udhëheqësi i Partisë Laburiste tha se bisedimet ishin duke u zhvilluar “me një numër vendesh” për të ngritur qendrat. Por, në një veprim të parë si një qortim i butë ndaj mysafirit të tij, Rama tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në skemë, shkruan The Guardian.

Për të shpjeguar refuzimin e bërë ndaj Starmer, Rama u shpreh në intervistë se kryeministri britanik është një “person shumë i mirë dhe i këndshëm”, e se nuk ishte udhëheqësi i parë anglez që ka hapur këtë temë.

Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson ma kërkoi dhe Rishi ma kërkoi… Gjithmonë kam thënë jo”, tha Rama.

Por përse një marrëveshje e tillë për emigrantët u bë me Italinë dhe jo me Britaninë e Madhe?

“Praktikisht ne jemi një vend i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita që dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës. Ne kemi një pikë të dobët për Italinë, kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”, tha Rama, duke nxjerrë në pah raportin e ngushtë politik dhe shoqëror që vendi ynë ka me Italinë.

Kuriozitet nga media e huaj pati dhe për hapat e mëdhenj e të shpejtë që Shqipëria po bën për anëtarësimin në unionin evropian, teksa theksojmë se Partia Socialiste aspiron mbylljen e negociatave deri në 2027 dhe futjen në BE, deri në vitin 2030.

“E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Tani ata (BE-ja), janë shumë të etur të ecin përpara… Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putin e bëri këtë, ai e bëri Evropën shumë më të interesuar për bashkimin”, u shpreh Rama.

Qëndrim pozitiv të Ramës pati dhe ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Sipas kryeministrit shqiptar, Trump e nxori Evropën nga plogështia e saj dhe i solli “një frymë shqetësuese” që i nevojitej botës, raporton The Guardian.

“Mendoj se kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, mendoj se ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Evropën, për ta zgjuar Evropën”, shtoi ai.

Politikat e Ramës brenda Shqipërisë

Teksa për herë të parë në Shqipëri, emigrantët arritën të votojnë nga jashtë, synimi i Ramës është rikthimi i pjesës më të madhe të tyre në atdhe, e këtë gjë e shprehu dhe për The Guardian.

Më shumë se 500,000 shqiptarë jetojnë në Greqi, e për ata, Rama u shpreh se mund t’i rikthejë në Shqipëri pasi “tashmë pagat tona janë shumë të ngjashme me ato në Greqi dhe se kjo është shtëpia jonë”.

Duke iu rikthyer e një herë aspiratës së bashkimit të Shqipërisë me unionin evropian, Rama u shpreh se “nëse Shqipëria do të arrinte sukses në përpjekjen e saj për anëtarësim, do të ishte momenti i duhur dhe më i mrekullueshëm për të kaluar pishtarin. Do të ishte një arritje personale, por gjithashtu do ta ndihmonte Evropën të ishte më pak e mërzitshme dhe më me diell”./tvklan.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular