Deputetët kanë shënuar herën e 38-të që dështojnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Për herë të 39-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga deputetët 95 që ishin në sallë, 53 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca vazhdon më 1 korrik në orën 11:00.
Seanca e Kuvendit të Kosovës nisi me tensione të forta, ku përplasjet mes deputetëve arritën kulmin kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, akuzoi kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për shkelje të Kushtetutës.
Çitaku e akuzoi Deharin për tejkalim të kompetencave dhe për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar veprimin e tij si të papranueshëm dhe të dëmshëm për rendin kushtetues.
Pasi tensionet u rritën, kryesuesi Dehari reagoi ashpër duke kërkuar ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit për ta larguar deputeten Çitaku nga foltorja.
“Nuk mund të vazhdojmë kështu. Kjo është shkelje e rendit të seancës. Thërras sigurimin të ndërhyjë”, u dëgjua të thotë Dehari, përpara se regjia e Kuvendit t’i ndërpriste fjalën Çitakut.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në sallë, duke rritur edhe më tej tensionin mes shumicës dhe opozitës në një periudhë të ngarkuar politike, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.