Seanca e parë gjyqësore e themelit ka nisur këtë të hënë për dosjen “Partizani”.
Seanca gjyqësore po mbahet ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, Jamambër Malltezit, Xhimi Begesë. Fatmir Bektashi, Andia Pushtina dhe shoqërive Homeplan shpk dhe Kontakt shpk.
Seanca e parë u hap nga tre gjyqtarët Elsa Ulliri Kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj anëtarë, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Gjyqtarja Ulliri po bën relatimin e akuzave të të pandehurve.
Fletëthirrja për Berishën është marrë dhe firmosur nga Malltezi.
Elsa Ulliri: Zoti Malltezi e keni njoftuar të pandehurin Berisha në lidhje me seancën e sotme?
Jamarbër Malltezi: Nuk e kam njoftuar.
Në një shkresë policia bëri me dije se ia ka dorëzuar fletëthirrjen zotit Berisha dhe se ai është në dijeni për seancën e sotme.
Në seancë mungon i akuzuari Fatmir Bektashi për arsye shëndetësore.
Andia Pustina nuk është e pranishme në sallën e gjyqit dhe kërkon të përfaqësohet nga avokati i saj Klodian Skënderi.
Nga ana tjetër, njëri nga avokatët e ish kryeministrit Berisha, Klodiana Gjyzari deklaroi: Koha ka qenë e shkurtër dhe ne nuk kemi dijeni nëse zoti Berisha është njoftuar për seancën e sotme.
Prokurori Arben Kraja: I pandehuri Sali Berisha nuk është njoftuar për seancën e sotme, po ashtu shoqëria Homeplan shpk konstatojmë se nuk ka avokat në sallë.
SPAK kërkoi që seanca të shtyhet dhe të caktohet një datë tjetër.
Gjykata: Të konsiderohet e pranishme Andia Pustina dhe të mbrohet nga avokatja Klodiana Gjyzari. Gjykata legjitimon avokatët e të pandehurve. Seanca do shtyhet për në një datë tjetër.
Seanca e ardhshme, datë 21 korrik ora 10:30.
Ish kryeministri Sali Berisha ndodhet nën masën detyrim paraqitje, kurse dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi në arrest shtëpie.