HomeKultureSHPENDI TOPOLLAJ: “Rikthimi” i përjetshëm në romanin e BASHKIM HOXHËS

SHPENDI TOPOLLAJ: “Rikthimi” i përjetshëm në romanin e BASHKIM HOXHËS

Nga Shpendi Topallaj
Te romani “Rikthimi” i Bashkim Hoxhës, gjithçka vërtitet mes realitetit e fantazisë, mes personazheve të vërteta dhe atyre të përfytyruara, mes një kohe të papërcaktuar dhe asaj gjithmonë aktuale, mes një vendi pa emër dhe një vendi shumë të njohur, mes të shkuarës dhe të sotmes, mes të sotmes dhe të ardhmes, mes miteve dhe aktualitetit, dhe mes historive sa të pangjara aq dhe të ngjara, pra sa të panjohura aq dhe të ditura nga gjithkush qysh nga koha kur Homeri shkruante “Odisenë” e tij të pavdekshme. Edhe personazhet e paktë, krahas emrit fillestar, kanë edhe nga një pseudonim të huazuar po nga ato 24 këngët e asaj poemës epike mbi 2800 vjeçare. Personazhet hynë e dalin në skenë si në teatrin antik, herë të gjallë e herë të vdekur, shfaqin dyshime ndaj njëri – tjetrit, dialogojnë, madje dhe filozofojnë për raportet mes njerëzve, mes njerëzve dhe vetë jetës. Ata shfaqen si produkt i kohës; katër prej tyre, dikur të ndërgjegjshëm, se do të ngjiten në mal me çlirimtarët, pasi kthehen fitimtarë, ndihen të çoroditur. Të qartë dhe parimorë në luftë, ata nuk dinë si të sillen dhe e humbasin orientimin në paqe. Ai më trimi, ai frymëzuesi që ishte pranuar si komandant i tyre, pas tymnajës së një shpërthimi, duket se është vrarë dhe i është ngritur statuja e brozit, ai më i mefshti është bërë i pari i qytetit dhe sheh fitimin, qoftë ky dhe i pandershëm, kurse ai i ndershmi, ka parë punët e tij në fshat. Por është dhe Penelopa që pret duke endur pëlhurën e saj. Bashkimi ka ditur të operojë me mençuri, duke i ballafaquar ata si me aktorët e cirkut, ashtu edhe me të rikthyerin që e dinin të vdekur. Ka një ndërthurrje interesante te trupa e Cirkut e cila duke dashur të festojë rrugëve të qytetit, me ekstazën e saj, të kujton, bakantet, menandat, e satirët, shoqëruesit e Dionizit, perëndisë së verës. Dhe fare natyrshëm i jep bukuri narracionit, kultura e autorit të romanit. Mirëpo, tani gjërat kanë ndryshuar edhe për faktin se Penelopën, dikur të dashurën e Uliksit (sipas romakëve), do ta bëjë për vete ai i pushtetshmi. Vetë Uliksin, tani Askushi, që i është bashkuar trupës së cirkut, e ka ringjallur dhe e do Kalipsoja. Nga ana e tij, ky kuvendon me statujën çuditërisht të ngjashme, për të cilën i pari i qytetit, Antinoi, i thotë se e ke marrë shpërblimin, ke fituar lavdinë, ndaj nuk ke se ç`kërkon më. Pra, harroje Penelopën, largohu nga kjo botë dhe më lër mua të jetoj jetën time. Ka këtu hetime rreth një vrasjeje dhe hamendësime rreth autorit të saj, saqë lexuesi pandeh se është para një romani policor, por jo. Për mendimin tim, kemi të bëjmë më shumè me një roman filozofik që rreket të trajtojë problemet shqetësuese që mbart kjo kohë, për të mos thënë, të gjitha kohët. Situatat vinë njëra pas tjetrës, në dukje të thjeshta, por me shumë pikëpyetje. Bashkimi këtu ndërhyn, duke u dhënë zgjidhjet e duhura, në dukje dhe ato të thjeshta, por që të mbesin në mendje. Ato, ai i ka formuluar si sentenca të bukura kuptimplote. Ja disa pej tyre: Akrobatët e lartësive kanë shprehjen: të ndodhtë çfarë mendon gruaja dhe mos të ndodhtë çfarë mendon nëna. Në dilemën grua – e dashur, Kalipso mendon se ajo ishte e sotmja dhe e ardhmja, kurse ajo tjetra, nëse ka qenë, ka qenë e djeshmja. Në raportin mes Askushit dhe Dikushit, konkludohet se në këtë botë, kanë ardhur të dy njësoj, ndajnë të njëjtën kohë, të njëjtin vend, por jo të njëjtin sukses. Antinoi, për ta hequr qafe, kërkon ta sugjestionojë shokun e rinisë, ndaj i thotë se duhet të jeni i lumtur që kujtimet s`ju bezdisin. Eurimaku, në dukje naiv, kur mbron zgjedhjen e tij për të jetuar me djersën e ballit, shprehet se jam i qetë dhe nuk grindem aspak me veten time. Nuk duhet harruar se fillimi i një dite të re është vazhdimi i ditës që iku, se ajo shtyn më tej ditën që iku dhe së bashku, shtyjnë karrocën e jetës. Penelopa mendon se jeta është si pëlhura, një fije po u shthur, ikën e gjitha. Mendimi shkon më tej kur thuhet se viti ndahet në stinë, jeta ndahet sipas dashurive, të cilat nga ana e tyre janë pranverat e vetë jetës së njeriut. Në luftën për pushtet, qoftë ky dhe jo shumë i rëndësishëm, ai, Njëshi ndihet i rrezikuar dhe dyshon se Dyshi komploton për t`i zënë vendin; publikisht e lavdëron, por mundohet ta sikterrisë diku sa më larg. Prandaj Antinoi i thotë Uliksit se kështu është kjo botë; ty të dha përjetësinë e pasvdekjes, neve, të drejtën për ta shijuar jetën. E sa për pritjen, kjo nuk vlen për asgjë, sado e gjatë të jetë, tek e fundit mbetet fjalë poetësh. Dhe së fundi, kur Uliksi ndihet i zhgënjyer e thotë hapur; Erdha për të gjetur ata njerëz që më mbajtën gjallë dhe i dhanë kuptim ëndrrave të mia (por ju), nuk jeni më ata trima luftëtarë të çiltër, zemërluanë dhe plot frymëzime sublime. Jeni bërë disa interesaxhinj të ndyrë, që bëni llogari, disa njerëz që fituat luftën, por nuk e fitoni dot paqen. Vizatoni paqen kuturu në ajër…” Në fuksion të kësaj, mendoj se autori me mjaft përvojë, Bashkim Hoxha e ka zgjedhur dhe shfrytëzuar fare mirë futjen e atyre tre lojrave popullore, si kalaja dibrançe; kush t`i hipë tjetrit mbi shpinë, ajo e shuplakës pas qafe dhe fshehjes së dorës dhe ajo e nxitimit se kush ta zërë i pari karrigen. Dhe nuk mund të mos theksoj se nëqoftë se flasim për një roman modern, ky fare mirë mund të shkruhet edhe kështu, me fjalë fare të thjeshta.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular