Mbreti Charles ka lënë të qartë dëshirën e tij të fundit: në ditën e funeralit të tij, djali i vogël, Princi Harry, do të qëndrojë në qendër të familjes, pranë vëllait të tij, Princit William.
Protokolli është tashmë i vendosur, i shkruar “me të zezë mbi të bardhë”, dhe nuk do të ndryshojë – pavarësisht përplasjeve dhe tensioneve të viteve të fundit në Shtëpinë Mbretërore.
Sipas burimeve të The Telegraph, planet për ceremoninë mortore janë përgatitur prej kohësh, nën emrin e koduar “Operacioni Ura e Londrës”, dhe ndjekin modelin e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II. Protokolli përfshin edhe pjesëmarrjen e Dukës dhe Dukeshës së Sussex, Harry dhe Meghan, së bashku me fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.
Të quajtur “amerikanët” e familjes mbretërore, Harry dhe Meghan do të marrin pjesë në të gjitha ceremonitë zyrtare, përfshirë homazhet në Westminster Hall dhe shërbesën në Westminster Abbey, ku do të jenë të pranishëm edhe fëmijët e tyre të vegjël. Arkivoli i Mbretit do të transportohet në Pallatin Buckingham, pavarësisht se ku ndodh vdekja e tij, ndërsa procesionet do të zhvillohen në qendër të Londrës.
Pavarësisht ndarjes nga rolet mbretërore dhe deklaratave të kaluara të Harry-t se nuk do të kthehej në Britani pa mbrojtje të plotë policore, ai do të ecë përkrah William-it në udhëheqje të ceremonisë – një moment simbolik që synon të rikthejë harmoninë brenda familjes mbretërore.
Ndërkohë, shtohen shqetësimet për shëndetin e Mbretit Charles, i cili prej një viti është nën trajtim për kancer. Aq serioze është situata sa që festimet për 80-vjetorin e tij, të planifikuara për vitin 2028, thuhet se janë pezulluar.
Ceremonia do të përfshijë edhe elementë personalë dhe ekologjikë, në përputhje me dëshirat e vetë sovranit – një fund i planifikuar me kujdes për një mbret që synon të lërë pas një mesazh pajtimi dhe uniteti familjar.