Familjarët e shtetasit Lekë Ndreshaj, 78 vjeç, nga fshati Bzhetë të Malësisë së Madhe, i cili është zhdukur në rrethana misterioze, vijojnë të kërkojnë ndihmë nga shteti për gjetjen e tij.
78-vjeçari kishte shkuar për të marrë pjesë në një ceremoni mortore, ku aty është ndjerë keq dhe nga ai moment nuk ka më asnjë gjurmë të tij.
Ka qenë djali i të moshuarit i cili ka vënën në dispozicion një shumë prej 50 mijë eurosh për këdo që e gjen babanë e tij.
Dhe pas disa ditë kërkimesh pa rezultat, familja Ndreshaj ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon ndihmë.
Njoftimi i plotë i familjes Ndreshaj:
Tiranë, 30 Qershor 2025, Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Lënda: Kërkesë urgjente për ndihmë shtetërore dhe mobilizim për gjetjen e qytetarit Lekë Ndreshaj
I nderuar Z. Kryeministër, Unë, Gëzim Lekë Ndreshaj, banues në Bruksel dhe biri i z. Lekë Ndreshaj, i drejtohem me këtë thirrje publike dhe urgjente për ndihmën tuaj në gjetjen e babait tim, i cili është zhdukur që prej datës 9 qershor 2025 në fshatin Bzhetë, Malësi e Madhe, gjatë pjesëmarrjes në një ceremoni mortore të dajës tim.
Që nga ajo ditë nuk kemi asnjë informacion për vendndodhjen apo gjendjen e tij. Kërkimet tona familjare dhe komunitare nuk kanë sjellë rezultat, ndërkohë që terreni i thepisur dhe mungesa e mjeteve teknike e bën të pamundur vazhdimin efektiv të kërkimeve pa ndihmën e shtetit.
Ju lutem me përulësi të mobilizoni: Forcat e Ushtrisë së Shqipërisë, Strukturat e Policisë së Shtetit, Administratën e Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe njësive vendore, Helikopterë dhe dronë të pajisur me kamera termike dhe teknologji të specializuar për kërkim-nxjerrje
Çdo orë që kalon është jetike. Familja jonë jeton në ankth dhe ka nevojë për ndërhyrjen tuaj të menjëhershme si kryetar i qeverisë dhe si përfaqësues i një shteti që nuk braktis qytetarët e vet në momente të tilla.
Për çdo informacion apo bashkëpunim, ju lutem na kontaktoni në: Email: [email protected], Telefon: +32 456 19 27 20 Me shpresë, dhimbje dhe respekt të thellë, Gëzim Lekë Ndreshaj, Bruksel, Belgjikë.