Nga Bislim Ahmetaj
Romani “Kandidati për Kandidat” lexohet lehtë, shpejt, pa asnjë shterngesë apo sforcim.
Të paktën kështu më ndodhi mua, jam i sigurtë që kështu do të ndodh me të gjithë lexuesit, por në mënyrë të veçantë me lexuesit e brezit të viteve ’90-të dhe atij të viteve 2000.
Dy breza këta, që kush më shumë e kush më pak janë aktor të ndryshimeve të mëdha të Dhjetorit 90-të.
Herë si protagonist dhe herë si viktima, por edhe qoftë si dëshmitar të vetmuar të tranzicionit të pashpirt dhe të pafundëm politik, ekonomik dhe social nëpër të cilin ka kaluar dhe po kalon vendi ynë.
Autori në këtë tekst romanesk sa ç’është shkrimtar, është edhe përsonazh.
Megjithëse secili prej nesh e ndjen vetën përsonazh të këtij romani, ku përshfaqet udhëtimi i vështirë dhe sfidues e dy brezave.
Skenat e romanit “Kandidati për Kandidat” i përkasin kryesisht teatrit politik të Partisë Demokratike Shqiptare, jo vetëm se vet autori është bashkëudhëtar i saj që nga themelimi dhe deri sot, por edhe për shkak të realipolitikës shqiptare.
Në Partinë Socialiste trashëgimtare e PPSH-së nuk lodhet askush të merret me zgjedhje të brendshme. Për asgjë, as për Kandidat për deputet, as për kryetar bashkishë, as për kryetar partie.
Ata i zgjedh drejtëpërdrejtë udhëheqësi suprem.
Ndërsa në Partinë Demokratike herë pas herë përdoren farsa zgjedhore të brendshme për të treguar se ajo është progresiste, demokratike siç ka emrin, misionin dhe grimin perëndimor.
Një gjetje stilistike e veçantë e autorit janë emrat e përsonazheve, pa përjashtim e të gjithëve, qofshin ata periferik apo kryesor.
Një grackë e bukur stilistike kjo, ku emri i përsonazhit lidhet me cilësitë e karakterit dhe sjelljen e tij në shoqëri.
S’po i përmend të gjithë por vetëm disa prej tyre: “Kandidati për Kandidat” është emri dhe mbiemri i përsonazhit kryesor, avokatit të respektuar, i cili beson tek shteti ligjor dhe drejtësia, tek liria dhe demokracia, tek vota e lirë dhe e ndershme, ai është një idealist i pandreqshëm.
Mimoza Lastari -lulja që çel gjithmonë, lulja e konseguente që i shtrin “lastarët” kudo, por mbi gjithçka ajo mbetet militante e palodhur e partisë.
Breg Kodra, shefi i sektorit të burimeve njerëzore dhe çështjeve elektorale në “Selinë qendrore”, mjeshtër intrigash dhe miush zyrash që hidhet “si kodra mbas bregut ” nëpër skutat e errëta të jetës së njerëzve për të mbledhur informacion rreth atyre që mbushin lumin e ndotur të kryetarit të madh Tomorr Erzenit.
I cili në emrin e tij mbart famën e madhështisë dhe mitikës së malit të Baba Tomorrit dhe në mbiemër ndotjen dhe mbetjet që mbledh rreth vetes për pushtet përsonal me qëllimin makiavelist për të ruajtur me çdo kusht karrigen e tij.
Të gjithë përsonazhet në këtë roman mbajnë emra të tillë, të cilët autori i ka përshtatur me funksionet që kryejnë në makinerinë politike të partisë politike në fjalë.
Romani, që nga faqja e parë dhe deri tek e fundit të duket sikur po lexon një reportazh të gjallë, me përsonazhe të njohur, vende po aq të njohura, fenomene dhe eksperienca që çdo njëri prej nesh i ka ndeshur në mënyrë të përsëritur.
Zgjedhja e këtij stili rrëfimi për autorin ka qënë e lehtë, atij i vjen në ndihmë eksperienca e gjatë si gazetar i kronikës, por edhe i analizave të thukta dhe të shumta ndër vite për fenomenet dhe ngjarjet e kohës.
Ironia dhe humori i hollë janë filli me të cilin është endur krejt lënda e këtij romani.
Për fund më vjen mirë që kjo gjini romani po merr jetë në letërsinë tonë.
E vërteta duhet thënë me çdo mjet dhe me çdo formë.
Letërsia artistike është nji nga format më të larta dhe më fisnike ku duhet të mbetet e shkruar e vërteta.
Arben Çejku me romanin “Kandidati për Kandidat” ka çel nji dritare në këtë mision të shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptar.
Tiranë, me 1 Korrik 2025.