Kryeministri Edi Rama ishte dje dhe do te jetë edhe sot në Cërrik, ku do të zhvillojë një takim dyditor me temë kryesore bujqësinë. Në këtë takim pritet të marrin pjesë kryetarët e 7 bashkive, por edhe ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, përfaqësues të blegtorëve dhe aktorë të tjerë të sektorit te agro turizmit.
Diskutimet do të përqendrohen në sfidat dhe arritjet e sektorit bujqësor, si dhe në mënyrat e financimit për t’u përshtatur me zhvillimet ekonomike dhe rritjen e turizmit në vend. Analiza do të përfshijë fusha të ndryshme si agroturizmi, bujqësia, blegtoria, peshkimi dhe agro-përpunimi.
Takimi, i organizuar si një forum diskutimi mbi zhvillimin dhe perspektivat e bujqësisë, do të zgjasë dy ditë dje dhe sot.
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me fermerët, bëri me dije se është krijuar një linjë kredie prej 250 milionë eurosh në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, e dedikuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fokus të veçantë për bujqësinë.

Kredia do të jepet nga bankat e nivelit të dytë me interes fiks 2%, ndërsa garancia mbulohet nga qeveria.
Rama theksoi se bankat duhet ta zbatojnë angazhimin e nënshkruar dhe u bëri thirrje pushtetit vendor të angazhohet për të ndihmuar fermerët të përfitojnë nga kjo mundësi.
Ai paralajmëroi gjithashtu organizimin e një Kuvendi Kombëtar të Bujqësisë për të konkretizuar angazhimet.
Rama: Çështja e një pakete blegtorale të diskutohet. Të gjithë blegtorët ftohen në Çajup kur ta lançojmë paketën. Është bërë një punë shembullore nga ministri i Financave dhe i sipërmarrjes dhe është arritur me këmbëngulje nga qeveria të krijohet një linjë kredie e BSH. 250 mln euro që është për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Por fokusi ishte bujqësia. Që ta kemi këtë linjë kredie nga BSH, dhe të aksesohet duhet një nivel informimi nga fermerët dhe një mesazh i qartë për bankat e nivelit të dytë që kanë firmosur angazhimin për të dhënë kredinë. Ajo është për të gjitha. Flasim për bujqësinë, 2% dhe asnjë presje më shumë. Duhet të jenë të qartë bankat e nivelit të dytë. Sa i përket riskut është garancia e qeverisë, duhet të jetë bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e pushtetit vendor në këtë proces.
Kemi folur dhe duhet të bëjmë hap përpara që të angazhojmë pushtetin vendor për sipërmarrjen bujqësore. Ne si qeveri të angazhoheni në këtë fazë të parë dhe drejtuesit e qarqeve të krijojnë nuklet e para, kemi konkretisht bashkinë e Roskovecit që ka bërë hapa në këtë drejtim. Siç është linja e kredisë, është dhe Paketa e Maleve. Rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar nëse nuk japim informacion, nëse nuk linjëzohet me subjektet. Këto janë pak a shumë që unë shoh si konkluzione nga tryeza ku isha. Besoj që duke marrë përshtypjet e tryezave të tjera të kemi një dokument rekomandimesh paraprake dhe të organizojmë një Kuvend kombëtar të bujqësisë, për të marrë përsipër angazhime konkrete.
Ne jemi në kushtet, mundësitë që ta shikojmë ndryshe qeverisjen. Dhe ta shikojmë ndryshe potencialin që ka vendi në zhvillim. Duhet të zgjerojmë ne kapacitetet tona në pjesëmarrjen e zhvillimit. Nuk është zhvillim, taksa, subvencione dhe kërkesa nga buxheti. Duhet që çdo lek që hedhim nga buxheti ta kthejmë në fitim për ekonominë e vendit.