Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka certifikuar tanimë 59 nga 140 deputetët e rinj, teksa rinumërimi i disa votave po vijon akoma gati 2 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
8 nga 12 qarqet e vendit kanë përfunduar zyrtarisht procesin pas ankimeve të opozitës deri në Kolëgjin Zgjedhor dhe KQZ u ka dhënë mandatin deputetëve që do e mbajnë atë deri në 2029.
Deputetët do të mblidhen ditën e sotme në seancën e radhës plenare dhe të fundit për këtë legjislaturë.
Në urdhrin e lëshuar nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, bëhet me dije se në rendin e ditës do të diskutohet për disa çështje, përfshirë projektligjin për investimet e huaja dhe Strategjinë Kombëtare kundër Dezinformimit.
Rendi i ditës
Në rend të ditës është miratimi i raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE) për vitin 2024.
Në këtë raport thuhet se, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian vazhdon të mbetet organi më lartë këshillimor kombëtar për diskutimin e çështjeve të integrimit evropian, por dhe njëkohësisht një platformë mbarëkombëtare dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë grupet e interesit.
Sa i përket vitit 2025, KKIE do të përqendrojë veprimtarinë në disa drejtime kryesore si nxitja e bashkëpunimit midis forcave politike, institucioneve shtetërore dhe të pavarura, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në fokus vijon monitorimi i zbatimit të detyrimeve, gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian, monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian 2024 dhe nënkomiteteve BE-Shqipëri.
Po ashtu, KKIE ka në fokus rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve të të gjithë grupeve të interesit në lidhje me procesin e integrimit, informimin korrekt të publikut mbi monitorimin e detyrimeve për anëtarësim.
Kuvendi gjithashtu pritet të miratojë aktin normativ të ndryshimeve ne buxhetin e vitit 2025.
Në rend të ditës është edhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Bullgarisë, qeverisë së Republikës së Kroacisë, qeverisë së Hungarisë, qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë, qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e kërkimit dhe shpëtimit ajror, nënshkruar në Ohër më 22.2.2023”.
Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.
Në rend të ditës në seancën e sotme është edhe projektligji “Për rezervat materiale të shtetit”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për markat tregtare”.
Në rend të ditës është edhe projektligji “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”.
Gjithashtu në seancën e sotme do të diskutohet edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.
Kuvendi pritet të diskutojë edhe projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”.
Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për ligjin për një ndryshim në ligjin nr. 7764, datë 2.11.1993 “Për investimet e huaja”, i ndryshuar.