Në këtë letër të gjatë dhe të mbushur me ironi, Ilir Meta iu drejtua publikisht Arben Ahmetajt, ish-bashkëpunëtorit të afërt dhe një prej figurave më të përfolura në dosjen e inceneratorëve. Nga qelia e paraburgimit në 313, Meta rrëfen me detaje ngjarjen e arrestimit, kushtet e burgut, marrëdhënien me autoritetet dhe “tregun” e rregullave që ndryshojnë sipas rastit.
Letër e hapur drejtuar Z. Arben Ahmetaj
I dashur Beni,
Uroj të jesh sa më mirë andej nga Zvicra dhe fëmijët e familjarët t’i kesh shëndoshë e mirë në këto kohë interesante që po jetojmë!
Të falat e fundit t’i kam përcjellë përmes Flamurit, mikut tim të vjetër socialist, që e takova rastësisht në Tushemisht disa javë para rrëmbimit tim – siç vetë e ke parë – dhe të falenderoj për qëndrimin që ke mbajtur për këtë çështje te z. Çim Peka.
Por ajo që ke parë ti, i dashur, është një episod fare i shkurtër. Ata kapuçonët maskëzinj kishin bllokuar trafikun nja 200 metra para makinës sime.
Nuk po kuptonim ç’po ndodhte, i dashur! Ishin banditë që po përpiqeshin të rrëmbenin ndonjë oligark në mes të ditës apo forca speciale që kërkonin shefin e madh të Sinaloas apo të Ndranghetas?
Kaluan 15 minuta duke parë me çudi se çfarë do të ndodhte. Nuk lanë makinë para nesh pa hapur dyer e bagazhe, duke bërë sikur kontrollonin me automatikë të rëndë këta kapuçonët maskëzinj.
Kur më në fund mbërrijnë te makina ime…
Unë isha ulur në vendin e parë, ku zakonisht qëndrojnë shoqëruesit, dhe shofer kisha një punonjës të Partisë së Lirisë. Po kthehesha nga Prevalla dhe shoqëruesin dhe shoferin e Gardës i kisha lënë të rrinin me familjet e tyre për fundjavë.
Kur shoh kapuçonët e zinj me automatikë të drejtuar nga unë, duke ulëritur si të droguar:
“Kriminel, hajde me ne se jemi Policia!”
Epo thashë me vete: ngaqë kanë futur plot “mallistë” në polici dhe unë isha me bluzën e “Celtic FC” veshur dhe në vendin e parë, mos po u ngjaja me ndonjë kriminel dhe nuk e dinë se kush jam.
“Jam Ilir Meta, – u thashë, – ish-President i Republikës dhe ruhem nga Garda e Republikës.”
“Ti je kriminel, – thanë kapuçonët e zinj, – e do vish me ne te Policia se je i arrestuar.”
“Shumë mirë, – u thashë, – ku e keni urdhër-arrestin?”
“Çfarë urdhër-arresti do ti, bandit?”, – thanë ata.
“Po ju kush jeni?”, – i pyes unë.
“Pse ty do të japim llogari?”, – ulëritën ata.
Vetëm kapuçonë të zinj, maska të zeza, as numra identifikimi, asnjë dokument. M’u kujtuan brigadat terroriste që rrëmbyen Aldo Moron – se e kam parë edhe vendin atje në mes të Romës. Edhe ata me uniforma policie e rrëmbyen.
“Qëndro edhe pak,” – thashë me vete – “sa të vijë Policia.” Dhe vendosa duart në sedilje për rezistencë paqësore.
Kur ata hynë me automatikë të rëndë nga para dhe mbrapa, kush të ulërinte më shumë – siç e ke parë. Më futën në një makinë me targa private.
“Epo, – thashë me vete, – më rrëmbeu banda e inceneratorëve, ndaj nuk u duk edhe Policia.”
Kur “fatmirësisht” mbërrij te Policia e Tiranës…
“Epo, gjysma e së keqes,” – thashë – “tani do sqarohet çdo keqkuptim.”
Më futën në një zyrë ku takova nja dy policë dhe u them:
“Ore, mos më kanë ngatërruar ata djemtë?”
“Jo, jo, – thanë, – ata për ju kanë urdhër-arrest nga vetë Altin Dumani.”
“Po, e kam urdhrin?”, – u them, – se ata jo urdhër që s’më treguan, por as nuk u prezantuan dhe identifikuan.”
“Ja, – thanë, – do vijë shef Tonini të të sqarojë.”
Pas nja 10 minutash vjen shef Tonini, i cili u soll shumë mirë të them të drejtën, si atëherë kur isha Kryeministër.
“Do një kafe?” – më tha plot mirësjellje, mbase edhe me merakun për të më mbledhur veten.
“Jo, jo, – i thashë, – se pas orës 12:00 nuk pi kafe.”
“Po mirë, – më tha, – pimë nga një cigare.”
“Patjetër, – i thashë, – po ajo fleta e arrestit ku është?”
“Besoj, – tha, – se nuk do vonohen shumë ata të Policisë Gjyqësore dhe BKH-së, se ata e kanë – ne nuk dinim gjë.”
Ndërkohë mbërriti edhe avokat Gjokutaj, i lajmëruar nga mediat.
“Ku është fletë-arresti?”, – pyeti edhe avokati.
“Ja, do presim edhe ca, – thanë ata, – se nuk do vonojmë shumë.”
Pas më shumë se dy orësh, më në fund, fletë-arresti mbërriti në Polici.
“Epo faleminderit, – thamë, – gjysma e të keqes se të paktën na arrestoi Policia jonë.”
Filloi një jetë e re shumë interesante.
Në bllokun e sigurisë më thanë:
“Ka ardhur avokati të të takojë.”
“Ç’ne Genci?”, – thashë unë, – se ne ishim ndarë për atë ditë. Mbase ka ndonjë haber.”
Por ishte një avokat tjetër, i pakërkuar nga unë, dashamirës, që më solli një letër nga një i afërm i imi.
Letra pak a shumë thoshte:
“Mbahu i fortë, se do kalojë, dhe kemi folur me Hulusiun që të shkosh te Spitali i Burgut që sot.”
“Po kjo çudi?”, – thashë me vete. Edhe “mbahu i fortë”, edhe “shko te spitali” – sikur nuk shkojnë të dyja bashkë.
Mata tensionin: 7 me 11. E falënderova letërprurësin dhe i dhashë një pusullë për letërdërguesin.
Pas dy ditësh, u bëra banor i 313-ës, i dashur!
Kur hyra, dëgjoja plot thirrje “Rama Ik”. Kështu që nisi mbarë.
Sa u ambientova, filluan të më thonë:
“Shiko, se këtu janë kushtet e vështira, ndaj po deshe shko në Fier ose në Durrës ose ku të duash.”
“Mua, – u them, – kushtet më duken fantastike, po inshallah ka palestër.”
“Ah jo, – thanë, – andej ka palestra, këtu jo.”
“Po çfarë ka këtu?”, – i pyes.
“Vetëm ping-pong dhe volejboll.”
“Mrekulli, – u them, – se ti e di që unë 8-vjeçaren e kam bërë te ‘Fan Noli’ dhe të gjithë mësuesit e fizkulturës i kishim volejbollistët e Dinamos – që nga Nard Tase i famshëm, Beriolli, e deri te legjenda Asllan Rusi.”
“Shumë mirë, – thanë, – por duhet të bësh kërkesë me shkrim te edukimi.”
Bëra kërkesat dhe fatmirësisht ping-pongu u miratua, ndërsa volejbolli jo.
“Po pse?”, – u them.
“Është porosi nga lart për arsye sigurie.”
“Epo gjysma e së keqes, – thashë, – të paktën kam ping-pongun që në orën 08:00 të mëngjesit.”
Por për arsye “sigurie”, vetëm 3–4 shqiptarë mund të luanin me mua. Të tjerët ishin nigerianë, italianë dhe nga Bregu i Fildishtë.
E di ti, i dashur Beni, që ma hoqën edhe ping-pongun?
Më thërrasin para tre javësh para një komisioni tepër të gjerë dhe serioz.
“A ka mundësi të firmosësh këtu që je prezent?”
“Patjetër, – u them, – përderisa jam present.”
“Dëgjo, – tha kryesori, – para dy netësh ka ndodhur një ngjarje e rëndë.”
“Ndonjë akt terrorist?”, – i pyes.
“Në orën 20:20 ju keni dalë nga infermieria për të shkuar në dhomën tuaj.”
“Po, – i them, – e saktë, se matim tensionin dhe ai nuk na lëviz – gjithmonë 7-11.”
“Po flas seriozisht!”, – më tha.
“Edhe unë seriozisht ju fola – se sa herë na e matin tensionin, edhe e shënojnë.”
“Jo, jo, – tha, – para se të hyje në qeli, ke shkelur rëndë rregulloren e burgut, se ke folur në telefon.”
“Po unë me telefonin e burgut fola”, – i thashë.
“Po, – tha, – por nuk lejohet të flitet pas orës 20:00.”
“E di, – i thashë, – por ngaqë flasin të tjerët, mua gjithmonë më lënë në fund. Kam folur edhe pas orës 20:00. Mos jeni shqetësuar pse iu përgjigja gazetares Beti Njuma përmes telefonit të Tedi Blushit që është i regjistruar?”
“Jo, jo, – thanë, – nuk ka lidhje me intervistën, por është shkelje e rëndë të flasësh pas orës 20:00.”
“Po dakord, – u them, – tani që e mësova, nuk do ta përsëris më. Por ju lutem, vini një njoftim pranë telefonit që ta shohin të gjithë.”
“Pra ti e pranon këtë shkelje?”, – thanë.
“Po, e pranoj”, – u thashë.
Panë njëri-tjetrin në sy dhe njëri shpalli solemnitetin:
“Komisioni njëzëri vendosi t’ju ndalojë ushtrimet e përbashkëta fizike.”
“Po unë volejbollin e kam të ndaluar”, – u thashë.
“Jo, jo, ping-pongun.”
“Dakord!“, – u thashë dhe ika.
Të nesërmen në mëngjes…
Troket qelia. Juristi i burgut mbante disa letra.
“Të lutem, njihu me vendimin e shkruar që mori Komisioni dje.”
“Po ç’më duhet vendimi? Unë e kam të qartë që 10 ditë nuk do luaj ping-pong.”
“Por ti ke të drejtë të bësh ankesë për këtë vendim brenda 15 ditëve.”
E kupton, i dashur Beni, sa zemërgjerë janë?
Të japin kohë të ankohesh edhe pasi ta kesh kryer dënimin.
“Jo, jo, – i thashë, – faleminderit. Vendimi ishte i drejtë dhe shkelja shumë e rëndë, ndaj nuk do ankohem.”
Më erdhën dje paradite:
“Po pati mundësi, bëhu gati se po të pret Komisioni.”
“Cili Komision?”, – pyes.
“Komisioni Disiplinor.”
Mos më kanë ngatërruar – thashë me vete – se unë ndonjë shkelje tjetër nuk kam bërë.
Kur shkoj, përsëri i njëjti Komision hijerëndë.
“A mund të firmosësh këtu që je prezent?”
“Prit, – u thashë, – ta lexoj me kujdes shkresën se nuk i hedh kollaj unë firmat.”
Lexova një pikë që thoshte se nuk e ndjek vetë çështjen, por përfaqësohem nga avokati. E firmosa.
“Dëgjo, – më thotë njëri, – ka ndodhur një shkelje e rëndë.”
“Prapë?”, – i pyes, – “po unë nuk kam folur më pas orës 20:00.”
“Jo, jo, – thanë, – por për të dhënë intervista me gazetarë duhet marrë leje e posaçme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.”
“Po unë fola me avokatin tim, z. Cakrani, që ndodhej në studio, dhe gazetarja bëri disa pyetje, unë iu përgjigja. Liria e shprehjes është në Kushtetutë.”
“Ashtu është, – thanë ata, – por ka edhe një rregullore.”
“Rregullore që na ndalon fjalën e lirë? Unë, doni apo jo, Hulusiun dhe ma nalt, jam Kryetar Partie dhe fjalën nuk ma heq dot njeri. Por do lë avokatin të merret me këtë çështje, se ai i di Kushtetutën, ligjin dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”
Largohem, i dashur Beni, dhe bëhesha gati të takoja motrën me tre fëmijët, pas 3 javësh. Dy javë rresht nuk i kishin lënë të më takonin, pas intervistës me Beti Njumën – kur çdo i paraburgosur ka të garantuar një takim në javë me familjen.
Më kishte marrë malli për të katër, por sidomos për motrën, që kujdeset edhe për prindërit tanë të sëmurë, të cilët nuk i kam parë prej 9 muajsh.
Kur hyj te dhoma e takimit, ishin tre – jo katër. Mungonte Besari, djali.
“Po Besi, – u them, – ku është? Apo nuk e ka marrë malli?”
“Besi është përjashta”, – thanë.
“Jashtë shtetit?”, – i pyes.
“Jo mo jo, jashtë burgut.”
“Po pse?”, – i pyes.
“Na thanë që nuk lejohen më shumë se tre të afërm. Ndaj Besi, si kavalier, tha ‘hyni ju dhe po pres unë jashtë’.”
Pra për 8 muaj kishin shkelur rregulloren, duke i lejuar të katërt të vinin. Ndërsa tani, jo.
Pak ditë më parë ishim në GJKKO, për të verifikuar ç’hetime kishte bërë SPAK për mua këto 8 muaj. Meqë nuk kishte raportuar çdo 2 muaj siç e kërkon ligji.
Folën ata, folëm ne, hyri gjyqtari në dhomën e “komandimit” – dhe afërmendsh ajo që dihet.
Meqë SPAK kishte shpërndarë dizinformata, unë njoftova në rrjete sociale një konferencë shtypi për ditën tjetër, ora 11:00.
Kur çohem në mëngjes – pini im i telefonit nuk punonte. Te të tjerët punonte.
Shkoj te Edukimi:
“Pse mua nuk më punon pini?”
U ndjeva shumë keq, i dashur Beni. Kishte “black out” total të sinjalit për të gjithë, për gjithë ditën.
Mirë konferenca, na iku. Po morëm në qafë edhe shumë të tjerë që nuk folën me familjet e tyre.
Ndërkohë, prej dy ditësh më kanë bllokuar edhe lidhjen me Tedi Blushin – i vetmi i Partisë së Lirisë që është i regjistruar. Të tjerët janë familjarët dhe avokatët.
Po ka edhe më keq, i dashur!
E pe çfarë i bënë kolegut të tyre, Erionit? I futën edhe celularët dhe e përgjonin njëkohësisht.
Shokë ideali, s’ke ç’tu thuash!
Të kam paragjykuar kur mora vesh që të lanë fletë-arrestin në dorë. Mendova: “kushedi ç’ka bërë tigri?”
Por kur pashë që donin të të bënin kokë turku për inceneratorin – të mirëkuptova.
Ndërsa kur të dëgjova te Çim Peka në shkurt, u binda që donin të të arrestonin për ato që s’nuk pranuar të firmosësh, jo për pllakat dhe lavamanët e “padeklaruara”.
Po je aktor i madh, sidoqoftë!
E mban mend takimin e fundit, kur erdhe 5 minuta të merrje dekretin si Ministër për Rindërtimin dhe Pandeminë? Kur më thoshe:
“Po ti s’e ke idenë sa të do ai, etj. etj.”
Ndërkohë ti e dije se të donte edhe më shumë se mua – ndaj ua kishe deleguar firmat e tenderave të tjerëve që atëherë.
Kaq, i dashur, si letër e parë!
Do dëgjohemi së shpejti!