Gjatë fushatave arkeologjike në Forumin Rrethor të Durrësit, të zhvilluara nga viti 2021 deri në 2024, janë zbuluar disa objekte metalike me vlerë të të madhe historike: një karficë, dy vathë, një varëse dhe dy vula.
Pas restaurimit të tyre, ato sjellin dëshmi të reja për jetën sociale dhe administrative të qytetit në shekujt VI–V p.e.s.
“Vula e Damosisë është një objekt i cili përveçse provon një gjurmë të prodhimit të tjegullave në qytet gjatë periudhës qytetare ilire para erës sonë, nga ana tjetër, ruajtja e këtij objekti në një kontekst të antikitetit të vonë është një histori tjetër,” tregon arkeologia Brikena Shkodrani.
Ndër gjetjet më të veçanta është gjithashtu një fibul zoomorfike, që përveç funksionit zbukurues, tregonte statusin shoqëror të mbajtësit. Po ashtu, një vulë prej plumbi me simbolin “delta” lidhet me institucionin e polisit të Durrësit dhe tregon për ekzistencën e një administrate të organizuar që në kohët ilire.
“Gjetja e këtij elementi është e rëndësishme për arsyen se dëshmon për të parën herë aplikimin e vulosjes së letërkëmbimeve të rëndësishme të titullarëve të qytetit,” shton arkeologia.
Objektet, të dëmtuara rëndë, u restauruan me kujdes, duke zbuluar detaje të reja përfshirë gjurmë të një veshjeje prej mëndafshi.
“Në këtë grumbull objektesh, përveç atyre që shihen ka edhe diçka që nuk shihet apo shihet në mikroskop. Pikërisht në këtë fragment të vogël ne gjejmë gjurmë tekstili, që sipas strukturës duhet të jetë një veshje prej mëndafshi. Pra, personi që është varrosur bashkë me këto objekte ka qenë i veshur me një veshje prej mëndafshi,” thotë restauratori Frederik Stamati.
Këto zbulime theksojnë pasurinë historike të Durrësit dhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore në një qytet që ka qenë aktiv dhe i organizuar ndër shekuj.
Në Forumin Rrethor gjenden gjurmë dhe më të hershme se antikiteti i vonë, pasi nevoja e ritransformimit dhe përdorimit të hapësirës në të njëjtën bërthamë ka bërë riciklimin e mbetjeve.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/