Pas përfundimit të provimeve të Maturës Shtetërore, të rinjtë që kanë vendosur të vijojnë studimet e larta duhet të aplikojnë në faqen zyrtare të portalit U-Albania në fund të muajit korrik, nga data 29 korrik deri më 3 gusht 2025.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se ashtu si çdo vit, ky proces nis me pagesën e tarifës së aplikimit për në universitet, detyrim që duhet kryer nga data 8 deri më 28 korrik.
“Këtë vit kemi lehtësuar procesin administrativ. Duke filluar nga java e ardhshme maturantët do të kenë akses në portal, të shkarkojnë mandatpagesën, konfirmimin… Ky proces tani është kthyer komplet online. Maturantët mund ta ringarkojnë mandatpagesën sërish nga banka në sistem dhe shkolla ose RASH-i [Rrjeti Akademik Shqiptar] bëjnë konfirmimin,” thotë Dr. Xhelaj.
Maturanti ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 programe studimi sipas preferencave. Aplikimi mund të kryhet në çdo mjedis ku ka akses në internet, si në shtëpi, nëpërmjet telefonit, por edhe pranë çdo shkolle të mesme, në rastet kur kanë nevojë për konsultim me mësuesit.
“Portali është 24 orë i hapur, që do të thotë se mund të aplikohet në çdo orë të ditës, nga Shqipëria apo jashtë Shqipërisë. Në portal shfaqen ato degë të cilat përkojnë me rezultatet që ke. Pra, nëse maturanti ka një mesatare të caktuar nën 6,5 atij do i dalin vetëm degët profesionale dyvjeçare; mbi [mesataren] 6,5 shfaqen degët e Bachelor-it. Eksperienca e gjithë këtyre viteve, ne arrijmë të regjistrojmë në raundin e parë mbi 80 për qind të gjithë aplikantëve,” thotë kreu i RASH-it.
Pas kryerjes së regjistrimit në degën përkatëse, çdo maturant ka të drejtën e çregjistrimit për dy ditë rresht në fund të çdo raundi, për t’u regjistruar kështu në një tjetër program studimi.
Raundi i dytë i aplikimit nis nga data 20 shtator deri më 22 shtator, ndërsa raundi i tretë zhvillohet nga data 13 tetor deri më 24 tetor 2025.
