Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premte në një pikë karburanti në Romë të Italisë.
Sipas raportimeve në mediat italiane, shpërthimi u pasua nga një zjarr i madh, ndërsa forca të shumta të Departamentit të Zjarrfikësve, forca të policisë dhe vullnetarë të mbrojtjes civilë nxituan në vendngjarje.
Të njëjtat burime thonë se të paktën 21 persona janë plagosur (përfshirë 8 oficerë policie dhe një zjarrfikës), ndërsa stacioni i metrosë aty pranë, Teano , është mbyllur. Ndërtesat kanë pësuar gjithashtu dëme.
Pas shpërthimit banorët u larguan menjëherë nga shtëpitë e tyre, ndërsa dëshmitarët okularë raportuan një erë të fortë gazi para shpërthimit të parë. Pastaj, pasoi një shpërthim i dytë – më i fortë .
“U zgjova papritur, dëgjova një shpërthim shumë të fortë, tingëllonte si një bombë “, tha një dëshmitar që jeton në zonën e Prenestinos.
“Të gjitha dritaret dridheshin, mendova se po ndodhte tërmet “, tha një dëshmitar tjetër që jeton në Centocelle.