Kombëtarja Shqiptare e futbollit po përjeton një periudhë sfiduese në aspektin ekonomik të tregut të lojtarëve, me 20 futbollistë kuqezi që kanë humbur vlerë në merkato gjatë vitit të fundit.
Rëniet reflektojnë forma të luhatshme, mungesë aktivizimi dhe ndikimin e faktorëve si dëmtimet, mosha dhe rezultatet e klubeve respektive.
Broja, rënie me 10 milionë euro
Ndër më të prekurit është sulmuesi Armando Broja, i cili pas një sezoni me dëmtime dhe mungesë aktivizimi, ka pësuar një rënie nga 22 milionë në 12 milionë euro – humbja më e madhe individuale në vlerën e lojtarëve kuqezi këtë vit.
Talente në vështirësi
Kristjan Asllani, që nuk ka bindur plotësisht në Inter, ka humbur 5 milionë euro nga vlera e tij, duke zbritur nga 18 në 13 milionë. Po ashtu, Ernest Muçi ka humbur 3 milionë euro për shkak të formës së paqëndrueshme.
Aktivizimi i ulët, efekt negativ
Portieri Thomas Strakosha, lojtari Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Arbër Hoxha, Andi Hadroj dhe Elseid Hysaj janë ndër lojtarët që kanë përjetuar rënie për shkak të minutave të pakta në fushë. Hysaj ka humbur 1 milion euro, ndërsa Ivan Balliu ka pësuar rënie me 600 mijë euro në Vajekano.
Veteranët e Kombëtares, ndikim nga mosha
Mosha ka ndikuar gjithashtu në vlerat e Berat Gjimshitit (rënë me 4 milionë euro), Arlind Ajetit, Naser Alijit dhe të tjerëve. Rënia e ekipit të Elhan Kastratit në Itali ka ulur vlerën e tij nga 1.3 milionë në vetëm 500 mijë euro.
Sulmues të tjerë në rënie
Rënia e vlerave ka prekur edhe emra si Rei Manaj, Taulant Seferi dhe Indrit Tuci, që aktualisht vlejnë më pak në treg, duke ngritur shqetësime për perspektivën e tyre në Kombëtare dhe në klube.
Kjo situatë është një sinjal i qartë se një pjesë e madhe e përfaqësuesve kuqezi po kalojnë një periudhë jo optimale, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në perceptimin e tregut ndërkombëtar të futbollit./Noa.al