Nga Emi Krosi
“Kur s’ka ligj që të dëgjojë, kur s’ka Zot që të ndëshkojë, njeriu i thyer e merr drejtësinë në duar. Jo për hak, por për nder, për gjak. Për atë që i mbeti borxh varrit…”
“Në vitin 1997, Shqipëria u zgjua nga gjumi i dhimbshëm i një tranzicioni që kurrë s’ishte më shumë, veçse një mashtrim. Armët dolën nga depot dhe u futën në duar të uritura. Burgjet u hapën dhe të burgosurit morën qytetet. Njerëzit filluan të digjnin njëri-tjetrin në emër të asgjësë”. Autori, librin e fillon me një deklaratë të qartë: “Në emër të gjakut është një kujtim, një përulje dhe një zë që s’do të shuhet kurrë.” Një rrëfim që duket si legjendë si përrallë, ose më mirë një rrëfim alla kutelian. Vërtetë duket si një legjendë, sepse marria jonë kolektive, por dhe vetëgjykimi për padrejtësinë pro/ kundër vetes, jetës si thoshin të parët tonë: kush vret veten, i humbet gjaku!. Në u vetëvramë. Në emër të kujt? Për çfarë? Për kë? Ishte një marrëzi, hakmarrje, çmenduri apo çfarë?. Askush nuk e di si filloj, dhe si mbaroj. Por, tregimet rrëfejnë dhe për “masakrën” e romëve, apo dhe për mbrojtësit e Pallatit Presindecial, por tregimi apo novela “Në emër të gjakut”, është ndoshta dhe rrëfimi më i arrirë. Është më e lehtë të shkruash një roman, se sa një tregim, sepse duhet ta ngjeshësh rrëfimin, prandaj ndoshta herë i shkrurtër dhe herë i gjatë, rrëfimet marrin një tjetër konotacion, atë në emrin e jetës kundër gjakut, dhunës, hakmarrjes dhe luftës, në emër të paqes dhe dashurisë për njeriun.“Jetojmë në një botë ku burrat flasin me plumba, gratë me heshtje dhe drejtësia ka çmimin e shpirtit”, tek novela “Në emër të gjakut”, autori duket sikur ka antrofizuar gjakun, si lëngu jetësor i njeriut, që klith, thërret, thirrmon, klithmon, kujton, ekzitencën shekullore të krijimit të njeriut nga fryma/gjaku/esenca e “plazmës” së gjakut.
Por, përmes dëshmisë letrare ka dokumentuar, një mozaik letraro-rrëfimtar, ku historia vjen si akt tregues dhe si letërsi memoaristike të mosharresës apo dhe “asgjësimit afatshkurtër” të historisë, në trajtën e tregimtarisë. Njeriu dhe gjaku. Njeriu dhe gjeneza. Njeri dhe liria. Lira dhe (pa)liria. Kush e tha? Që nga Xhon Loku, Jean-Paul Sartre, Makiaveli, Oruelli, Herbert Markus etj. Njeriu dhe kaosi. Njeriu dhe ligji. Njeriu dhe absurdi. Në emër të jetës. Dashurisë. Gjakut. Historisë. Të së vërtetës. Të vetëvetes. Në emër të kujtesës kolektive, duke sendërtuar:
a) rrëfimi i të kaluarës se afërt dhe të largët,
b) rrëfimi një tragjedie kombëtare dhe kolapsi social/shoqëror/politiko-ekonomik,
c) rrëfimi për/rreth dimensionit personal njerëzor,
d) rrëfimi përtej Unit dhe Egos njëpërmasore dhe shumëdimensionale, kur shteti
shkërmoqet, shembet dhe përmbyset, duke parë “përmes humnerës”, rrënimi dhe dhuna që nëpërkëmbin drejtësinë. Se përmes syrit të autorit, nëpërkëmbet dhe përdhunohet dhe dinjiteti deri në asht, deri në shpirt. Elementet: a) historike, b) letraro-romanore, c)psikologjike, d) memoaristike), e) autobiografike, sendërtojnë dhe përrokin tragjedinë e një kombi, kur drejtësia “kapet” dhe historia mund të përsëritet. Njeriu, i kundërvihet vetëvetes dhe vdekja nuk është më “metaforë”, por thjesht një gjendje sedentare e të qenit i padobishëm për vetëveten tonë, që herë i vetëmjaftojmë Qenies, herë i teprojmë vdekjes.
Tregimet: “Emblema e kujtesës”, dhe “Pse më vrave?” etj., revolta e njeriut që nuk bëzan, por që mundohet të mbajë gjallë besimin, nderin dhe dinjitetin e tij. Tashmë frika dhe liria, endet në dimensionin e absurdit të ekzistentecës/(mos)ekzistencës niçejane, se “Qenia dhe Hiçi” e Sartrit, nuk janë asgjë dhe se kaosi, neveria, frika dhe dhuna, ndërtojnë gjithë analogjinë e vitin’97-të, ku urrejtja ndaj njeriut, ishte sa e verbër dhe qorre, por dhe sa absurde dhe brutale. Linjat tregimtare na orientojnë përmes:
– raportit dhe marrëdhënies së individit me shtetin/ligjin (tashmë kjo marrëdhënie është
zhbërë, vetëm si konotacion kohor në diakroni dhe sinkroni rrëfimtare),
– raporti dhe marrëdhënia e njeriut me lirinë/të vërtetën dhe vetëveten,
– marrëdhënia e autorit me shkrimin si dokument letrar (si qëndresë ndaj dehumanizmit dhe
zëshmëri ndaj harresës), si rrëfim për të vërtetën historike, që lexuesi i sotëm të receptojë të vërtetën, që akoma ka shumë tymnaja të pavërteta por dhe manipulime politike dhe historike.
A mund të quhet një rrëfim-dëshmi? A mund të quhet letërsi memoaristike? A mund të quhet rrëfim përmbi ferrin shqiptar? Për zjarrin/ zemërimin/ frikën /qorrsokakun /rrënimin/rrëzimin/shprishjen e gjakut/mallkimin/verbimin/kalvarin sizifian/marrinë kolektive/kategorinë e të çmendurve/për logjikën e jashtëligjshmërisë së ligjit/ për “lojën”e armëve/për ndodhitë/për vrasjet/për rrëmbimet/për përdhunimet/për gjithçkanë/për shumçkanë/për kujtesën/për harresën/për të shkuarën/për të ardhmen etj. Ashtu si Neveria e Sartri-t, si koncept absurd për jetën, ku neveria është si ndjenjë dhe ankth, në mënyrë specifike ai kërkon që qenia për veten të jetë një qenie për vetveten dhe jo për të tjerët, një qenie për të tjerët ndodh kur njerëzit e pranojnë
moralin e futur nga të tjerët, një qenie në vetëvete thotë, ai ndodh kur njeriu/njerëzimi nuk do të heqë dorë nga liria, se nuk është aftësia për të bërë fizikisht çfarëdo që dëshiron, por për të përcaktuar vetëveten dhe për të krijuar vlerat e dikujt tjetër, pra të komunitetit shoqëror ku jeton. Kurse “neveria” e Premçit është përmbysur, se neveria kundër njeriut është dhe neveria kundër vetes, kundër revoltës dhe padrejtësisë, kur zëri i aryes nuk dëgjohet. Pra, në “Emër të gjakut”, si limfa e jetës tonë, duhet të përçojmë kumtin e dashurisë për njeriun/njerëzoren, në emër të jetës dhe dashurisë, që vetë letërsia ia përçon brezave. Si mosharresë për/mbi drejtësinë dhe humanizmin.
Korrik, 2025.