HomeOP EDAutokrati Rama në 3D: Fasada demokratike, kapja e pushtetit dhe korrupsioni i...

Autokrati Rama në 3D: Fasada demokratike, kapja e pushtetit dhe korrupsioni i institucionalizuar që po shkatërrojnë Shqipërinë

Nga Bujar LESKAJ

Situata në Shqipëri është larg çdo standardi demokratik apo funksionimi të një shteti ligjor. Nën qeverisjen e Edi Ramës, vendi është kthyer në një autokraci me fasadë demokratike, ku pushteti kontrollon drejtësinë, shtypin dhe proceset zgjedhore. Retorika për integrimin europian shërben vetëm si kamuflazh, ndërsa në realitet çdo mekanizëm kundërbalancues është zhbërë, dhe zgjedhjet janë kthyer në mjete për të legjitimuar një pushtet personal korruptiv të pakontrolluar e të palimituar.

Pavarësisht presioneve ndërkombëtare dhe përpjekjeve për të ruajtur ndikimin europian në rajon, Shqipëria  në realitet është më larg se kurrë nga anëtarësimi në BE. Kriteret themelore si transparenca, llogaridhënia dhe lufta ndaj korrupsionit janë injoruar. Qytetarët ndihen të përjashtuar, ndërsa vendi mbetet në një qorrsokak politik ku ndryshimi i vërtetë duket gjithnjë e më i largët.

Një skaner në 3D i autokratit Rama na tregon qartazi fasadën demokratike që ai ka krijuar në Shqipëri si mbulesë në sytë e ndërkombëtarëve, kapjen e shtetit dhe korrupsionin e institucionalizuar si mjete të forcimit të autokracisë së tij.

I. Rama, autokrat me fasadë demokratike

Së pari, Edi Rama ka përdorur reformën në drejtësi për të kapur sistemin dhe për të vendosur kontroll të plotë mbi gjykatat dhe prokuroritë. Institucionet e pavarura janë zhbërë dhe drejtësia është kthyer në një vegël politike kundër opozitës dhe zërave të padëshiruar. Vendimet nuk merren më mbi bazën e ligjit, por të interesit të pushtetit të sektit Rama.

Së dyti, Parlamenti nuk funksionon si përfaqësues i qytetarëve, por si zgjatim i urdhrave të kryeministrit. Deputetët  e majté janë thjesht ekzekutues të vullnetit të tij dhe të një grushti oligarkësh që mbajnë pushtetin në këmbë dhe përvetësojnë resuret publike.Demokracia parlamentare është zëvendësuar me një farsë boshe.

Së treti, mediat janë vënë nën kontroll përmes financimeve dhe presionit politik. Propaganda është bërë mjeti kryesor për manipulimin e opinionit publik, duke zëvendësuar debatin e lirë me një realitet të fabrikuar, ku e vërteta vendoset nga ekrani dhe jo nga faktet.

Së katërti, Shqipëria është një shtet i kapur, ku pushteti mbahet me çdo mjet dhe ku qytetarët janë të përjashtuar nga vendimmarrja. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, Shqipëria nuk ka asnjë shans për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Shpresa për ndryshim qëndron vetëm në rikthimin e institucioneve të pavarura, shtetit ligjor dhe një opozite që nuk (duhet të) dorëzohet.

II. Rama, shkatërrues i autonomisë vendore (shembulli i Vlorës)

Rama është një shkelës serial i autonomisë vendore, një zaptues i çdo hapësire pushteti dhe një KM feudal që sheh çdo pushtet lokal si plaçkë personale për të ushtruar kontroll dhe për të ndarë privilegje për klientelën e tij.

Partia Demokratike e Vlorës dhe Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë kanë denoncuar qartë ndërhyrjet brutale  më të fundit të Ramës në Bashkinë e Vlorës, duke shkelur çdo parim të demokracisë lokale dhe çdo normë të Kartës Evropiane të Autonomisë Lokale, të ratifikuar nga Shqipëria. Ky është vetëm një shembull i një modeli të rrezikshëm që Rama po e shtrin në gjithë Shqipërinë, duke zbehur rolin e pushtetit vendor, duke e kthyer atë në një zgjatim të Kryeministrisë dhe duke e varur gjithçka nga një dorë e vetme që kërkon kontroll absolut.

Edhe shkarkimi “me një fjalë goje” i drejtorëve të Bashkisë Vlorë, dëshmon shkeljen flagrante që kryetari i sektit po i bën ndarjes së pushteteve dhe respektimit të autonomisë vendore.

Kjo është një goditje flagrante ndaj decentralizimit dhe një kthim në një sistem vertikal të kontrollit absolut.

Ditët e fundit, Vlora është kthyer në një mjet propagandistik për të mbuluar problemet reale që po e mbysin qytetin, ku “ lideri global”është shfaqur për disa ditë në qytet, duke demonstruar shfaqjen e radhës. E vërteta është ndryshe nga ajo që jepet në propagandën e sektit Rama: qyteti nuk ka ujë të pijshëm në shumë lagje, dhe mbetjet digjen në mënyrë të pakontrolluar prej vitesh, duke ndotur ajrin e duke rrezikuar shëndetin publik.

As bashkia, as qeveria nuk kanë dhënë zgjidhje konkrete, përveç se premtime boshe nga ana e Kryetarit fallco të Bashkisë Vlorë dhe marketing mashtrues politik nga ana e kryetarit të sektit Rama.

Me këto skenografi për spektakle politike që synojnë të largojnë vëmendjen nga e vërteta: landfilli i Vlorës jo funksional, qyteti pa ujë, tuneli korruptiv i Llogorasë, Porti i Vlorës i tjetërsuar, Tec-et lundruese që përveç se fonde publike nuk kanë prodhuar asgjë tjetër, dhe dhjetra monumente të tjera korruptive që sektit Rama ka cimentuar në Vlorë gjatë këtyre viteve.

Dhe për të mbuluar këto skandale, shpiken ngjarje, inskenohen “kontrolle” dhe fushata për të gjetur karrige e vazo lulesh në rrugë. Por Vlora nuk ka nevojë për spektakël. Ka nevojë për ujë, ajër të pastër, llogaridhënie dhe transparencë.

Propaganda e Ramës mund të prodhojë show, por nuk mund të mbulojë dot aromën e plehrave të djegura në mesin e sezonit turistik, mungesën e ujit, infrastrukturën e dobët, ujërat e zeza që vazhdojnë të derdhen në det, menaxhimin e dobët urban e mjedisor dhe aferat e tjera korruptive që mbajnë vulën e sektit Rama.

III. Autokrati Rama, nga korrupsioni ekonomik në atë politik

Me emërimet e fundit në administratën shtetërore, Edi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse ka formalizuar një praktikë që e ka ndjekur prej vitesh: forcimin e korrupsionit politik, e cila rrënon përfundimisht shërbimin civil dhe shtetin e së drejtës.

Kjo strategji nuk është as spontane, as naive – është pjesë e një modeli të qëllimshëm. Rama nuk bashkëpunon, ai zhbën dhe blen. Ai nuk ndërton institucione funksionale, por ndërton një sistem klientelist, ku administrata është mall tregu dhe pozicionet publike janë dhurata për besnikëri personale ose tradhti politike. Emërimet e fundit janë po aq fyese sa pazari i gjësë së gjallë në tregun e Roskovecit, si dhe shkarkimi i drejtorave (përmes doréheqjes së imponuar)në Bashkinë Vlorë dëshmon jo vetëm paaftësinë e dobësinë e ekipit drejtues , por edhe depersonalizimin që kryetari i sektit i bën Vlorës e vlonjatëve.

Ai nuk qeveris për qytetarët, por për një kastë të ngushtë njerëzish që e ndihmojnë të ruajë pushtetin. Nga përdorimi politik i patronazhistëve – një nga format më të pastra të manipulimit elektoral dhe shkeljes së privatësisë – te faljet selektive të gjobave dhe shpërndarja e bonuseve para zgjedhjeve, e gjithë qeverisja e Ramës është ndërtuar mbi themele klientelizmi dhe manipulimi elektoral.

Edhe ligji për nëpunësin civil është shkelur rëndë. Ministritë dhe bashkitë janë kthyer në tribuna spektakli për shfaqjet populiste të Ramës, ndërsa funksioni i tyre shtetëror është boshatisur. Në vend të profesionalizmit, dominon servilizmi e militantizmi. Në vend të transparencës, dominon pazari.

Prej 12 vitesh, në Shqipëri dominon një regjim ku është institucionalizuar korrupsioni, që e përdor shtetin si mjet për të zgjatur pushtetin.

Shqipëria po përjeton një shuarje graduale të pavarësisë institucionale. Institucionet e pavarura janë dobësuar ose kapur, duke e lënë vendin pa mekanizma realë kontrolli e llogaridhénie ndaj abuzimeve të qeverisë. Kjo ka krijuar një klimë ku korrupsioni jo vetëm që tolerohet, por stimulohet nga vetë struktura e pushtetit ramist.

Ligjet e qeverisë si ligje të qepura me doré janë kthyer në instrumente për favore klienteliste. Nga investitorët strategjikë, te koncesionet, inceneratorët, portet strategjike dhe resortet në tokë publike – të gjitha janë shembuj të një modeli ku pasuria publike privatizohet pa garë, në shërbim të një grupimi të lidhur me Ramën dhe sektin e tij.Shikoni shembujt më të fundit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular