7 fitues të Çmimit Nobel në Ekonomi, të cilët kanë analizuar krizat e dekadave të fundit, besojnë se ultra të pasurit paguajnë vetëm qindarka. Kjo situatë sipas tyre është thjesht e pajutifikueshme si në nivelin moral ashtu edhe në atë praktik.
“Ata nuk kanë qenë kurrë më të pasur, por kontribuojnë pak në barrën e përbashkët në krahasim me aftësitë e tyre. Nga Bernard Arnault te Elon Musk, miliarderët kanë norma efektive tatimore më të ulëta se taksapaguesi mesatar” – thuhet që në nisje të analizës së 7 fituesve të Nobelit në Ekonomi, botuar nga “Le Monde”.
Gazeta synon të rindezë debatin global mbi atë që njihet si “çështja e çështjeve”, elefanti në dhomën e pabarazisë, fantazma që për dekada ka ndjekur ligjet buxhetore të vendeve të mëdha evropiane, atë që është mënjanuar menjëherë si antimoderne, paleo-revolucionare, kundër-intuitive sepse “do t’i trembte të pasurit”: TAKSA MBI PASURINË.
Në vend të kësaj, 7 gjigantë të mendimit ekonomik që kanë analizuar krizat e dekadave të fundit, këmbëngulin se ultra të pasurit paguajnë shumë pak dhe gjetja e një mënyre për t’i bërë ata të paguajnë më shumë nuk është një dëshirë e majtë, por një nevojë që duhet të adresohet së pari nga “priftërinjtë” e rigorozitetit dhe përputhshmërisë, gjithnjë e më të paaftë për të balancuar llogaritë në një mënyrë që është e përputhshme, mbi të gjitha, me realitetin shoqëror.
Tatimi mbi të Ardhurat Personale
Figura të tilla si Daron Acemoglu (MIT, Çmimi Nobel 2024), George Akerlof (Universiteti Georgetown, Çmimi Nobel 2001), Abhijit Banerjee (MIT, Çmimi Nobel 2019), Esther Duflo (Collège de France dhe MIT, Çmimi Nobel 2019), Simon Johnson (MIT, Çmimi Nobel 2024), Paul Krugman (CUNY, Çmimi Nobel 2008) dhe Joseph Stiglitz (Columbia, Çmimi Nobel 2001) kanë dalë në fushën e betejës.
Studimi është kryer në bashkëpunim me autoritetet tatimore në disa vende dhe tregon se këta ultra të pasur paguajnë nga 0% deri në 0.6% të pasurisë së tyre në taksa mbi të ardhurat personale. “Kjo është rreth 0.6% në një vend si Shtetet e Bashkuara dhe 0.1% në një vend si Franca” – thonë ata, citon lapsi.al. Duke marrë parasysh të gjitha taksat e tjera të detyrueshme (taksa e korporatave, kontributet e sigurimeve shoqërore, taksa e akcizës, etj.) të shprehura si përqindje e të ardhurave, normat e tyre të taksave janë më të ulëta se ato të klasës së mesme apo edhe drejtuesve të kompanive.
Por si arritëm në këtë pikë? 7 samurajët e ekonomisë përgjigjen në këtë mënyrë: “Thënë thjesht, ndodhi sepse të pasurit mund ta strukturojnë pasurinë e tyre në mënyrë që të shmangin taksat mbi të ardhurat, të cilat zakonisht janë gurthemeli i drejtësisë tatimore. Në vendet evropiane, kjo arrihet përmes krijimit të kompanive familjare holding, ku dividentët grumbullohen për t’u mbrojtur nga taksat. Në Shtetet e Bashkuara, përdorimi i kompanive holding për të shmangur taksat nuk lejohet që nga vitet 1930, gjë që shpjegon pse pasuritë e mëdha tatohen më rëndë se në Evropë.”
Si të përmbledhim 150 vjet kapitalizëm familjar në disa rreshta. Pika që 7 kolosët e ekonomisë duan të theksojnë është se “nuk ka asgjë të pakthyeshme, asgjë të shkruar në pllakat e shenjta të mendimit ekonomik, asgjë të paprekshme”. “Kjo situatë nuk është rezultat i një ligji natyror apo i një fati të lashtë, është produkt i vendimeve njerëzore dhe zgjedhjeve politike. Prandaj nuk ka pashmangshmëri.”
Propozimi
Qëllimi i “të shtatëve” është të bindë politikanët francezë të vendosin një taksë minimale mbi pasurinë e më të pasurve, i frymëzuar nga propozimi i ekonomistit Gabriel Zucman, i refuzuar së fundmi nga Senati i Parisit. Sipas propozimit duhet një taksë minimale prej 2% mbi asetet që tejkalojnë 100 milionë euro (gjë që në Francë do të prekte afërsisht 1800 familje). Në një kohë kur financat publike po përpiqen të ruajnë nivelet e nevojshme të mirëqenies dhe kohezioni social është në rrezik, kjo nuk do të ishte një masë revolucionare, por minimumi i domosdoshëm, sipas tyre.
Instituti Kombëtar Francez i Statistikave, certifikoi se në vitin 2023 shkalla e varfërisë u rrit në 15.4% të popullsisë, shifra më e lartë në 30 vitet e fundit. Kjo do të thotë se pothuajse 10 milionë francezë jetojnë nën kufirin e varfërisë, të vendosur në 60% të të ardhurave mesatare (1,288 euro për një person të vetëm). Heqja e mbështetjes së fuqisë blerëse të futur gjatë periudhës së Covid-it ka futur 650 000 njerëz në varfëri brenda një viti të vetëm.
Këto shifra duhet të jenë të mjaftueshme, argumentojnë “Të shtatët”, për të ndryshuar rrjedhën e luftës kundër evazionit fiskal, duke i penguar ultra të pasurit të shfrytëzojnë mekanizmat e korporatave.
Fshehja e pasurisë në Parajsat Tatimore
Gabriel Zucman, një ekonomist nën moshën 40 vjeçe me një CV mbresëlënëse që aktualisht jep mësim në Universitetin e Kalifornisë “Berkeley” dhe Shkollën e Ekonomisë të Parisit si drejton Observatorin Tatimor të Bashkimit Evropian ka qenë në ballë të luftës për taksa më të larta për të pasurit për vite me radhë. Si një ekspert për parajsat tatimore, vitin e kaluar ai i kushtoi një kapitull Italisë në Raportin Global të Evazionit Tatimor të përgatitur për BE-në.
“Nga viti 2016 deri në vitin 2022, shumat e parave të depozituara nga italianët në parajsat fiskale kanë parë një rritje të fortë. Duke marrë parasysh vetëm asetet financiare dhe duke përjashtuar pasuritë e paluajtshme, 159 miliardë euro kanë ikur jashtë Italisë në 6 vjet, duke shtuar edhe 74 miliardë eurot që janë dërguar jashtë nga emigrantët. Shuma totale e kapitalit jashtë vendit është aktualisht pak a shumë e barabartë me të gjithë shumën e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës në të cilin Italia mbështetet për ringjalljen e saj ekonomike afatgjatë” – citon ai.
Nuk është rastësi që Zucman ka fituar shumë ndjekës në Itali vitet e fundit. Kjo demonstrohet edhe nga manifesti i nënshkruar vitin e kaluar nga 134 ekonomistë italianë nga 50 universitete italiane dhe të huaja, në favor të futjes së një takse progresive prej 0.1% për më të pasurit italianë, me asete neto që tejkalojnë 5.4 milionë euro dhe rritjen e taksës mbi trashëgimitë dhe dhuratat e mëdha.
Në epokën “Trump” taksa për më të pasurit duken pak të vështira. Por Trump nuk është bota. Spanja dhe Brazili, për shembull, sapo kanë zbuluar një iniciativë të përbashkët për të promovuar taksimin global të ultra të pasurve. 7 laureatët e Çmimit Nobel thonë se çdo vend individual mund ta zgjedhë këtë rrugë në mënyrë të pavarur.
“Trendi i krahut të djathtë politik që shfrytëzon pakënaqësinë e gjeneruar nga pabarazia për të fituar zgjedhje dhe për të gjeneruar pabarazi të mëtejshme ka perversitetin e vet, por nuk është një mallkim: është politikë. Dhe politika është gjithashtu antidoti” – thuhet në analizë