HomeKulture“Kandidati për Kandidat”, Jemin Gjana: Arben Çejku ka goditur në zemër të...

“Kandidati për Kandidat”, Jemin Gjana: Arben Çejku ka goditur në zemër të sistemit poliik që kemi ndërtuar duke devijuar

Nga Jemin Gjana
Arben Çejku ka më shumë se tre dekada që e ndan kohën në mes letërsisë dhe politikës. Është prej shumë herët në fushën e letrave, me poezi, romane, publiçistikë, histori e diplomaci te shkrira në një. Së fundmi, ka ardhë para lexuesve me romanin “Kandidati për Kandidat”. Një libër që flet për “sëmundjet” e politikës në ditët e sotme. Për këdo që ka lexuar pak histori, filozofi e politologji, gjeneza e “sëmundjes” vjen prej kohëve te hershme , dhe pse jo të gjithë e trashëgojnë, ndryshe bota do kishte mbetur vendnumëro. Mjafton te rikujtome “makiavelizmin”, doktrinën dhe sinonimin e amoralitetit të politikës. Me “Princin”, gjashtë shekuj me parë, Niçolo Machiavelli, la në dorën e udhëheqësve politike “Biblen” me të cilën ata justifikojnë cdo poshtërsi. Libri i A. Çejkut na nëpërmend, na kthjellon, kur përmes sarkazmës therëse shigjeton “Princat e Politikes” së ditëve të sotme. Dhe këta njësoj, përmes “demokracisë së deformuar” justifikojnë çdo poshtërsi e çdo ndyrësi.

Kur mora ftesën për promovimin e “Kandidatit për Kandidat”, vetë titulli më thoshte shumëçka. E mendova se Beni ka vendosur të flasë përmes letërsisë për gangrenat tuberkulare të politikës. Folën në promovim disa emra te njohur të letersisë e të politikes, disa pasi e kishin lexuar e disa ende pa e lexuar romanin. Të gjithë ishin në një mendje: Arben Çejku ka hedhur dritë, me nota humori e sarkazëm, në korridoret e errëta të partive në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që i duhen drejtimit të partive, ulseve të Parlamentit dhe karrigeve e kolltuqeve të qeverisjes. E vlerësuan romanin si nje trajtesë serioze për lojrat e pista të politikës. Autori kishte sjellë kronologjinë e banalizimit te procesit, përdorimin e keqpërdorimin e atyre që aspirojnë të merren me politikën dhe me qeverisjen, të merren me përfaqësimin e trevave e te komuniteteve, të angazhohen për vendin dhe shoqërinë. Me nota therëse humori autori ja ka dalë të tregojë si dalin përsipër ata që i duhen udhëheqjes, ata që kthehen në shërbëtorë të krerëve dhe si zbythen kokëulur shumë prej atyre që duhet tu prinin listave. Ajo pjesa mbushëse, me apo pa primare është mish për top.

Kam qenë i bindur gjithë koherave se shumë prej atyre më të mirëve e më të duhurve janë të dënuar të mbeten ”Kandidat për Kandidat”.
Edhe autori i romanit për të cilin po flasim e ka patur rastin ta ketë emrin në ato lloj listash. Autori ka shkruar me një letrare të rrjedhshme plot metafora e sarkazëm. Narrativa e tij tërheqëse, pa fraza të stërzgjatura e të lodhshme, me fjalë të zgjedhura rrjesht pas rrjeshti, flet për start e pjekuri artistike të autorit. Ngjyrat e humorit e sarkazmës nuk e rëndojnë rrëfimin. Tonet e lehta të erotizmit vijnë si një parathënie për karakterizimin e politikës: Edhe ajo (politika) është kurvë, herë e pistë e herë lajkare e gernjare siç dhe disa prej heroinave te romanit.

Përpos këtyre, kur shkova në faqen e fundit të librit, në perceptimin tim, romancieri Arben Çejku nuk ka goditur thjesht përbaltjen dhe deformimin e një procesi. Nuk ka denoncuar thjesht banalitetin dhe prapaskenat e udhehqësive politikë për të tërhequr rreth vetes grupe shërbetorësh të pazëshem, që dinë ti bejnë të gjitha. Madje shumë prej tyre duhen të tillë, të të gjenden dhe në ditët e hallit. Me romanin “Kandidati per Kandidat” Beni nuk ka goditur e anatemuar thjesht një a disa zgjedhje të gabuara, nuk ka goditur një proces primaresh a sekondaresh, ka goditur drejt e në zemër te sistemit politik që kemi ndërtuar duke devijuar sa kemi mundur.

Partitë rreken të thonë se zgjedhjet e lira e të drejta janë themelet e pushtetit në demokraci. Zihen e shahen për manipulimin e tyre, akuzojnë njëra tjetrën për masakër zgjedhore, akuzojnë votuesit e komisionerët për shitje e tjetërsim rezultati, flasin e grinden për sistem spanjoll e tren bullgar. Kur humbin e shohin të gjithën te vjedhjet e palës tjetër, te sistemi e te ligji që natën e hartojnë bashkë e ditën e bëjnë fertele.
Me romanin “Kandidati për Kandidat,” A. Cejku i ka rrëzuar të gjitha keto alibi. Halli i partive është të ndajnë pushtet, të ndajnë copa pronash, e emra kontosh në ofshore, të ndajnë kulla e resorte në det e në mal. Faqet e ngjeshura me humor e sarkazëm në romanin e fundit të A. Çejkut e çjerrin maskën e betejave të politikës që vendit e qytetarëve nuk u sjellin asgjë përveç varfërimit e migrimit. Vendit e qytetareve më shume se kush është humbësi e kush është fituesi u intereson “Qeverisja e Mire”, ajo që bota demokratike e quan “Good Governance”. Në librin e tij A.Çejku zbulon falsitetin e kësaj beteje donkishoteske. Autori i demaskon hilerat nëpër faqet e librit te tij. Ideja parësore e romanit del në dritë të diellit përmes butaforizmit të përzgjedhjes të kandidatëve. Aty është thelbi. Kur ke përfunduar zgjedhjen e njerëzve për pushtetin, e kur përzgjedh krundet në vend të mellit, nuk kanë më rendësi as zgjedhjet, as sistemi e as denatyrimi i rezultatit. Partitë e kanë arritur qëllimin kur zgjedhin se me cilët do qeverisin. Zgjedhin keq, mos prit qeverisje të mire. Gjithë lufta tjetër është betejë për pushtet, jo për shtet e për standarde demokratike në qeverisje!

Me veprën e tij artistike A. Çejku e ka dhënë të qartë mesazhin: Mos u gënjeni, mos u mashtroni. Mënyra si partitë zgjedhin kandidatët për qeverisjen qëndron në zemrekun e sistemit demokratik. Po deformuam procesin e zgjedhjes të njerëzve për të qeverisur kemi deformuar thelbin e sistemit i cili nuk mund të bëjë asnjë hap përpara. Me deformimin e përzgjedhjes goditet në lule të ballit metitokracia, abc-ja e përparimit të njerëzimit. Parlamenti, Qeveria, institucionet e shtetit, po dhe vetë partitë nuk janë eterike, nuk janë virtuale, nuk janë zyra, poltrona e tavolina. Pa njerëz brenda ata janë baraka te boshatisura. Si do jenë njerëzit brenda tyre, si do jetë vullneti dhe angazhimi i tyre për të respektuar ligjet e standardet, i tillë do jetë sistemi, e tillë do jetë qeverisja. Duke u mbështet te fundet e listave, kështu do jemi edhe për shumë kohë. Na qoftë per hair, “Selanik e te përpjetë siç ka qenë do te jetë”.

Arben Çejku me humor e me sarkazem na kujton në librin e tij: Mos u mashtroni, rrini larg sehireve të partive të cilat nuk e nxjerrin prej sinoreve të tyre të drejtën me përzgjedh si te duan e kë te duan. Mos prisni asgjë të mire sa kohë partitë i sundon autoritarizmi dhe kryetarokracia. Mos prisni ndryshe, si është mielli do jete buka. Thembra e Akilit rri e fshehur te manipulimi i tërheqjes së njerëzve në drejtimin e punëve të vendit, gjitha të tjerat janë falli në filxhan me të cilin kupolat e politikës ushqejnë mendjet e popullit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular