Drejtorët e Bashkisë Durrës kanë dhënë dorëheqjen pas kërkesës së Kryeministrit Edi Rama.
Do të jetë Komisioni i ngritur që do të vendosë se cili do të qëndrojë në detyrë dhe kujt do t’i pranohet dorëheqja.
Gjithashtu kanë paraqitur dorëheqjen edhe kryetarët e njësive administrative.
Më 8 Korrik, kreu i qeverisë Edi Rama shkoi në Bashkinë Durrës për një takim me drejtues vendorë dhe me deputetët e qarkut.
Gjatë mbledhjes, Rama kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve që janë aktualisht në varësi të bashkisë, ndërsa vendimi përfundimtar për largimin e tyre do të mbetet në dorën e kryebashkiakes Emiriana Sako, bazuar në performancën e secilit prej tyre.
Në takimin e së martës ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e institucioneve në varësi të Bashkisë së Durrësit, përfshirë drejtorin e Policisë Bashkiake Vasil Copa, drejtorin e Shërbimeve Ardian Ilazaj, drejtoreshën e Buxhetit Valbona Dako, drejtoreshën e Çështjeve Juridike Ani Rroshi dhe drejtoreshën e Burimeve Njerëzore Dhurata Gjoka.
Të pranishëm ishin edhe deputetët që po mbyllin mandatin aktual, si dhe ata që pritet të jenë pjesë e legjislaturës së re, Ani Dyrmishi, Etleva Budini dhe Arkend Balla.
Vizita e Kryeministrit në Durrës ndoqi të njëjtin format si në Vlorë dhe Fier, ku u kërkuar largimi i drejtuesve nga detyra.
Lista e drejtorëve të Bashkisë së Durrësit që kanë dhënë dorëheqjen:
Roni Shqiopa: Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore
Meme Xhaferaj: Drejtoria e Shërbimit Social
Ardian Gurra: Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Sportit, Rinisë dhe Komuniteteve Fetare
Oneda Deliallisi: Drejtoria e Auditit të Brendshëm
Ermal Lufo: Drejtoria Ekonomike
Ardian Iljazaj: Drejtoria e Shërbimeve
Valbona Qiriako: Drejtoria e Buxhetit
Lorenc Facja: Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike
Lorenc Smajli: Drejtoria e Turizmit
Dhurata Gjoka: Drejtoria e Burimeve Njerëzore
Robert Dervishi: Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit
Alneida Rroshi: Drejtoria Ligjore.